EKSKLUZIVE/ Skënderbeu bën 4 goditje në limite, korçarët i marrin sulmuesin rivalëve dhe…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 1, 2025 | 8:14

EKSKLUZIVE/ Skënderbeu bën 4 goditje në limite, korçarët i marrin sulmuesin rivalëve dhe…

Skënderbeu shpërthen në fundin e merkatos. “Panorama Sport” ka mësuar ekskluzivisht se klubi korçar ka bërë plot katër përforcime në limite. Pas tratativash të zgjatura në kohë, klubi bardhekuq ka finalizuar marrëveshjet me një mesfushor dhe tre sulmues.

SKENDERBEU

Vetëm njëri prej tyre është i njohur në futbollin shqiptar dhe është vërtet surprizë. Bëhet fjalë për sulmuesin egjiptian të Teutës, Saleh Nasr, i cili tashmë do të veshë fanellën e Skënderbeut. Ai ishte në stol gjatë ndeshjes së djeshme mes Teutës dhe Vllaznisë dhe nuk u aktivizua asnjë minutë. Afrimet e tjera të korçarëve janë për t’u zbuluar, pasi janë lojtarë që vijnë nga jashtë Shqipërisë.

MESFUSHA – Për fuqizimin e mesfushës është afruar Amadu Sabo nga Hamarbi. Ai do të bashkohet me ekipin korçar ditët në vijim për të shtuar forcën e këtij reparti. Sabo është nga Nigeria dhe në të kaluarën ka veshur për 3 ndeshje fanellën e përfaqësueses së vendit të tij.

Sezonin e fundit Sabo ka luajtur në kampionatin finlandez, si i huazuar nga Hamarbi te Mariehamn, ku ka zhvilluar 21 takime dhe ka shënuar 1 gol. Sabo, 20 vjeç, luan si mesfushor qendre dhe profili i tij vlerësohet së tepërmi nga drejtuesit e klubit bardhekuq. Gazeta mëson se pranë korçarëve është edhe një mesfushor nga Kosova, 19-vjeçari Altin Ukici, i cili së fundi ka qenë pjesë e Liberec B në Çeki dhe më parë ka luajtur edhe në Kroaci me të rinjtë e Zadarit.

SULMI – Përveç mesfushës, bardhekuqtë kanë përforcuar edhe sulmin me tre lojtarë. Në këtë repart Skënderbeu ka pasur vërtet nevojë për të plotësuar hapësirat që do të krijohen nga largimi i Rashicës. Me korçarët do të bashkohet Nasr nga Teuta, braziliani 26-vjeçar Zhoao Felipe dhe 20-vjeçari Benson Young nga Gambia. Egjiptiani Nasr njihet tashmë në futbollin tonë pas aktivizimit mer Teutën.

Felipe ka luajtur në Brazil gjatë gjithë karrierës së tij. Ai aktivizohet në të dy krahët e sulmit dhe për këtë fakt ka rënë në sytë e klubit bardhekuq, duke e bindur për të mbyllur këtë marrëveshje. Këtë sezon Felipe ka shënuar 10 gola me ekipet Ypirangës dhe Jonvill. Benson është i ri në moshë dhe vjen si një talent te korçarët, ai nuk ka luajtur më parë në Europë.

MERKATO – Më këto lëvizje të fundit, shkon në gjashtë numri i transferimeve të reja te korçarët. Përpara afrimeve të djeshme, me Skënderbeun janë bashkuar më parë edhe Estrela dhe Lukinas. Trajneri Gjoka do të ketë tashmë një grup më të kompletuar lojtarësh për të synuar largimin nga zona e ftohtë e renditjes. Nga ana tjetër ka pasur edhe largime nga skuadra juglindore. Të fundit janë ato të Nergutit dhe Tares, që janë zyrtarizuar dje nga klubi bardhekuq. Po ashtu, Oniks Grezda ka lënë korçarët për të kaluar te Kukësi.

Screenshot 2025-02-01 075459 Screenshot 2025-02-01 075512 Screenshot 2025-02-01 075525 Screenshot 2025-02-01 075534

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"