EKSKLUZIVE/ Skënderbeu kërkon të mbajë Rashicën edhe 6 javë, ja prapaskenat me sulmuesin e korçarëve
“Ermir Rashica nuk është më lojtari ynë”, deklaroi trajneri Ernest Gjoka pas humbjes 0-4 me Vllazninë. Një rezultat që i ka rënduar pozitat e korçarëve në fundin e tabelës, por më të vështirë pritet ta kenë ata pa sulmuesin më të mirë deri në këtë pikë të kampionatit. Rashica ka lënë Shqipërinë dhe sot pritet të kryejë vizitat mjekësore me ekipin e tij të ri, ukrainasit e Metalist Kharkiv, ndërsa kontrata mes palëve me shumë mundësi do të firmoset gjatë javës. Klubi korçar përfiton shumë financiarisht nga kjo lëvizje, pasi bëhet fjalë për mbi 800 mijë euro që do të shkojnë në arkat e tij, por në këtë moment ka edhe një kërkesë të fundit.
Burime të “Panorama Sport” bëjnë me dije se drejtuesit e Skënderbeut duan ta mbajnë sulmuesin 20-vjeçar të paktën deri në fund të fazës së tretë, pra edhe për 6 ndeshje të tjera, duke gjykuar se ai mund t’i ndihmojë shumë në luftën për mbijetesë. Por realisht duket e vështirë që ukrainasit ta pranojnë kërkesën e korçarëve. Ata duan ta kenë menjëherë në skuadër lojtarin, megjithatë te Skënderbeu besojnë ende se Metalisti do të tolerojë në këtë pikë. Është një detaj që do të përcaktohet për punë orësh, por është fakt se e ardhmja e Rashicës ka marrë rrugë tashmë.
TEUTA – Skënderbeu është ekipi më i rrezikuar për rënien nga kategoria aktualisht, por nuk i ka dorëzuar ende “armët”. Këtë fundjavë korçarët presin Teutën, që gjithashtu është në vështirësi. Nëse skuadra e Gjokës merr pikët e plota ndaj durrsakëve, atëherë i jep vetes një bonus jo të vogël psikologjik për vazhdimin e garës.
Nuk do të jetë e lehtë për juglindorët, por 4 pikët me vendin e 8-të janë të rikuperueshme. Sfida me Teutën është jetike në këtë drejtim për të mbajtur gjallë shpresat. Do të mungojë në fundjavë Randi Dumfur, i cili ka plotësuar numrin 4 të kartonëve të verdhë. Gjatë javës stafi teknik dhe drejtuesit e klubit do të punojnë më tepër të ngrenë moralin e ekipit, pastaj do të merren me pjesën teknike.
LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"