EKSKLUZIVE/ Skënderbeu në krizë, drejtori: Ringrihemi, janari plot lëvizje! Kush e do ekipin, ta… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 23, 2024 | 22:00

EKSKLUZIVE/ Skënderbeu në krizë, drejtori: Ringrihemi, janari plot lëvizje! Kush e do ekipin, ta… (E PLOTË)

Skënderbeu është në fazë reflektimi dhe ripërpunimi të skuadrës në të gjitha komponentët e saj. Paraqitjet në nëntë javët e fundit me vetëm tri pikë të marra mes tre barazimesh dhe gjashtë humbjesh kanë krijuar një hendek të thellë në klubin korçar.

gjanci

Kjo “gropë”, edhe sipas Gjokës është bërë shumë e madhe dhe nuk mund të rikuperohej në kaq pak ditë. Në kushte të tilla puna duket se ka filluar menjëherë dhe pritet që viti 2025 ta gjejë Skënderbeun me një tjetër fytyrë dhe mbi të gjitha me ndryshime të shumta në skuadër dhe në mënyrën e punës. Ai që e konfirmon një fakt të tillë është drejtori sportiv i Skënderbeut, Ardi Gjançi, i cili në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, tregon se puna për riformatimin e ekipit ka nisur që një ditë pas ndeshjes së fundit kundër Elbasanit.

“Kush e do Skënderbeun, le ta mbështesë, sepse ne do të vijojmë të punojmë për ta rikthyer në nivelin që i takon. Kush e do këtë ekip, le ta tregojë tani në momentet më të vështira që jemi duke kaluar. Ne nuk jemi dorëzuar dhe këtë e them me bindje, por kemi reflektuar mbi gabimet e bëra nga skuadra në këto nëntë javë dhe po shohim mundësitë për t’i rregulluar ato. Ky ekip ka nevojë për mbështetje pasi asgjë nuk do të vijojë të jetë si më parë dhe për këtë ju siguroj”, theksoi fillimisht drejtori i bardhekuqve, duke u ndalur më pas edhe tek ndryshimet që ai i quan të domosdoshme për të ndërtuar një ekip konkurrues për pjesën e mbetur të sezonit.

“Ne kemi qëllimin që të rikthejmë ekipin në nivelet që i takon dhe do të bëjmë sforcon e duhur që të ndërtojmë një grup dinjitoz. Kur them këtë, i qëndroj faktit se pritet të ketë ndryshime të shumta në organikën e lojtarëve me largime nga ata futbollistë që nuk kanë qenë në pritshmëritë e klubit në këto dy faza kampionat dhe duke sjellë elemente cilësore që do të rrisin potencialin e ekipit duke i dhënë trajnerit grupin e duhur për të ringritur. Qëllimi është për të dalë përfundimisht nga kjo situatë e vështirë ku ndodhemi momentalisht”, vijoi Ardi Gjançi në prononcimin e tij për gazetën.

PROBLEMET – I ndalur më pas te paraqitjet e dobëta të skuadrës, Gjançi thekson se ngarkesa psikologjike ka sjellë probleme të shumta në lojën e skuadrës duke bllokuar një pjesë të mirë të lojtarëve cilësorë të ekipit. “Mendoj se ky ekip ka cilësi dhe për këtë jam i bindur, por ngarkesa psikologjike si pasojë e mungesës së rezultateve ka krijuar një ngërç që ne po mundohemi ta zgjidhim. Por e them me bindje se ky ekip do të ringrihet dhe do të bëjmë një fazë të dytë të kampionatit tepër të mirë”, mbylli prononcimin e tij drejtori sportiv i Skënderbeut, Ardi Gjançi.

 

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"