EKSKLUZIVE/ Të huaj pa limit në Superiore, Prodani: Thikë pas shpine për akademitë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2024 | 8:52

EKSKLUZIVE/ Të huaj pa limit në Superiore, Prodani: Thikë pas shpine për akademitë

Të huaj pa limit! Ky është vendimi që Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së ka marrë sa i përket rregullores së Superiores nga sezoni i ardhshëm.

prodani

Një vendim që hap një diskutim të gjerë, por opinionet e një ish-sekretari të federatës, janë edhe më të vlefshme. Eduard Prodani ka dhënë një intervistë për Panorama Sport në lidhje me këtë ndryshim, që sipas tij është një dëshmi e dështimit të politikave të futbollit në vendin tonë.

FSHF-ja ka vendosur që nga sezoni i radhës të hiqet limit i lojtarëve të huaj, të cilët do të luajnë njëkohësisht në Superiore. Si një ish-sekretar i federatës, cili është komenti juaj?

Është padyshim tregues që futbolli i Shqipërisë ka rënë në pikën më të ulët. Është dëshmi e dështimit të politikave për zhvillimin dhe masivizimin e futbollit të fëmijëve, të infrastrukturës minimale, të ngritjes së cilësisë së trajnimit, etj. Në fakt, kur them “politikat”, e ngre shumë pjacën e diskutimit, sepse politikat dhe programet në të vërtetë janë koncepte që FSHF-ja nuk i kupton, lëre më t’i ketë në natyrën e punës. Spontaniteti, koniuktura, votat, humori i vendimmarrësit, akumulimi i parave e të tjera si këto, janë në të vërtetë kultura e punës në qeverinë e futbollit tonë. Sa për programet dhe projektet që përmenden në media, ata e kanë fjalën për ato të FIFA/UEFA, që FSHF i “qep” dhe “shqep” sipas shijes së vet dhe i konverton në para që derdhen në qesen e madhe, me pak ose aspak efekt në zhvillimin e futbollit të luajtur. Sot FSHF-ja thotë që ka të regjistruar 20,000 futbollistë. Kjo me siguri është një gënjeshtër e madhe. Po edhe sikur të jetë e vërtetë, është për të vënë duart në kokë që kemi më pak futbollistë se një çerek shekulli më parë, kur vetëm në ligën amatore numëroheshin më tepër se aq. Numri i futbollistëve për banor na rendit të fundit në Ballkan, përfshirë edhe Kosovën. Ndërsa në raport me Europën, me të cilën duam të matemi, jemi në nivel mesjetar. Masiviteti është alfa dhe omega për një futboll të zhvilluar, cilësor dhe me profil kombëtar. Kjo është provuar dhe ilustrohet nga shumë praktika. Po kujt t’ia thuash? Ligjvënësve prej kartoni të futbollit tonë? Lodhje e kotë. Ata sapo “shqyen dyert”. Sezonin e ardhshëm do dëgjojmë pazare të tipit: “Na dy qen, më jep tre këlyshë”, por do shkojmë gjithmonë e më larg modelit të një futbolli të konsoliduar kombëtar. . T’u japësh atyre para është e papranueshme. Mundi, pasioni, investimet e akademive dhe e ardhmja e futbollit kombëtar nuk kanë fare rëndësi për ta. Ata duan vetëm të marrin. Dhe po ia arrijnë të marrin edhe shpirtin e futbollit.

INTERVISTËN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS PANORAMA SPORT

KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"