EKSKLUZIVE/ Të huaj pa limit në Superiore, Prodani: Thikë pas shpine për akademitë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2024 | 22:54

EKSKLUZIVE/ Të huaj pa limit në Superiore, Prodani: Thikë pas shpine për akademitë (E PLOTË)

Të huaj pa limit! Ky është vendimi që Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së ka marrë sa i përket rregullores së Superiores nga sezoni i ardhshëm.

prodani

Një vendim që hap një diskutim të gjerë, por opinionet e një ish-sekretari të federatës, janë edhe më të vlefshme. Eduard Prodani ka dhënë një intervistë për Panorama Sport në lidhje me këtë ndryshim, që sipas tij është një dëshmi e dështimit të politikave të futbollit në vendin tonë.

FSHF-ja ka vendosur që nga sezoni i radhës të hiqet limit i lojtarëve të huaj, të cilët do të luajnë njëkohësisht në Superiore. Si një ish-sekretar i federatës, cili është komenti juaj?

Është padyshim tregues që futbolli i Shqipërisë ka rënë në pikën më të ulët. Është dëshmi e dështimit të politikave për zhvillimin dhe masivizimin e futbollit të fëmijëve, të infrastrukturës minimale, të ngritjes së cilësisë së trajnimit, etj.

Në fakt, kur them “politikat”, e ngre shumë pjacën e diskutimit, sepse politikat dhe programet në të vërtetë janë koncepte që FSHF-ja nuk i kupton, lëre më t’i ketë në natyrën e punës. Spontaniteti, koniuktura, votat, humori i vendimmarrësit, akumulimi i parave e të tjera si këto, janë në të vërtetë kultura e punës në qeverinë e futbollit tonë.

Sa për programet dhe projektet që përmenden në media, ata e kanë fjalën për ato të FIFA/UEFA, që FSHF i “qep” dhe “shqep” sipas shijes së vet dhe i konverton në para që derdhen në qesen e madhe, me pak ose aspak efekt në zhvillimin e futbollit të luajtur.

Sot FSHF-ja thotë që ka të regjistruar 20,000 futbollistë. Kjo me siguri është një gënjeshtër e madhe. Po edhe sikur të jetë e vërtetë, është për të vënë duart në kokë që kemi më pak futbollistë se një çerek shekulli më parë, kur vetëm në ligën amatore numëroheshin më tepër se aq. Numri i futbollistëve për banor na rendit të fundit në Ballkan, përfshirë edhe Kosovën. Ndërsa në raport me Europën, me të cilën duam të matemi, jemi në nivel mesjetar.

Masiviteti është alfa dhe omega për një futboll të zhvilluar, cilësor dhe me profil kombëtar. Kjo është provuar dhe ilustrohet nga shumë praktika. Po kujt t’ia thuash? Ligjvënësve prej kartoni të futbollit tonë? Lodhje e kotë. Ata sapo “shqyen dyert”.

Sezonin e ardhshëm do dëgjojmë pazare të tipit: “Na dy qen, më jep tre këlyshë”, por do shkojmë gjithmonë e më larg modelit të një futbolli të konsoliduar kombëtar. . T’u japësh atyre para është e papranueshme. Mundi, pasioni, investimet e akademive dhe e ardhmja e futbollit kombëtar nuk kanë fare rëndësi për ta. Ata duan vetëm të marrin. Dhe po ia arrijnë të marrin edhe shpirtin e futbollit.

Çfarë ndikimi do të ketë kjo në futbollin e bazës?

Hapja e dyerve për futbollistët e huaj është në fakt thikë pas shpine për akademitë ushqyese të futbollit. Akademitë e futbollit janë ato që mbajtën gjallë dhe filluan të ndërtojnë një futboll të ri kombëtar edhe në kushtet e braktisjes totale nga shteti në vitet e vështira ’90. Ishin me qindra të apasionuarit që me sakrifica ekstreme hapën dhe mbajtën në funksionim akademi futbolli në të gjithë Shqipërinë.

Nëpërmjet tyre, futbolli gjeti mënyrën për të mbijetuar dhe u vu në rrugën e rimasivizimit dhe rritjes cilësore. Po akademitë sot janë bërë të bezdisshme për “matrapazët” e futbollit. T’u japësh atyre para është e papranueshme. Mundi, pasioni, investimet e akademive dhe e ardhmja e futbollit kombëtar nuk kanë fare rëndësi për ta. Ata duan vetëm të marrin. Dhe po ia arrijnë të marrin edhe shpirtin e futbollit.

Ku penalizohen ata?

“Shqyerja e dyerve” për të ardhur të huajt është gjithashtu humbje e shpresës për shumë të rinj vendës që shpresojnë të bëhen futbollistë, qoftë edhe të nivelit të Shqipërisë. “Shtëpia e futbollit” i mbyll kështu dyert shumëkujt prej tyre. Po ç’rëndësi kanë ata? Fanellat e Panos, Halilit, Demollarit, Bizit, Ruçit dhe kolosëve të tjerë tani mund t’i mbajnë edhe ca djem afrikanë. Fitohet më shumë me ta.

Së fundi, një masë e tillë na sjell në situatën që e bën edhe më të plotë varësinë e ekipit tonë kombëtar nga prurjet e emigracionit. Ne humbasim shpresën që një ditë të zhvillojmë “brandin” e futbollit tonë kombëtar si e kemi pasur dikur. Sot kemi një ekip kombëtar “A” që ndërron fytyrë dhe karakter sa herë që ndërron trajneri. Po që se FSHF-ja mendon se kjo është një gjë e mirë, unë e tërheq kritikën.

Një rregull të ngjashëm ka edhe Kroacia me Greqinë. Pse mos ta mirëpresim një ndryshim të tillë?

Se e ka Kroacia dhe Greqia nuk mund të jetë argument i favorshëm. Së pari, sepse Kroacia dhe Greqia kanë futboll të konsoliduar prej dekadash në nivel klubesh dhe kombëtaresh, dhe ndikimi i të huajve mund të jetë i papërfillshëm. Së dyti, kush e studioi efektin apo pasojat që ai veprim ka sjellë në futbollin e atyre vendeve? Vallë ekspertët e shumeditur dhe poliglotë të FSHF-së? Së treti, përse nuk mendoni që edhe Kroacia me Greqinë mund të kenë federata joprofesionale dhe të korruptuara?! Ju siguroj që shenja të tilla janë dhënë plot.

Së katërti, futbolli është marrëdhënie punësimi, dhe në vendet e BE, punësimi është i rregulluar me ligje dhe rregulla shumë specifike që mbrojnë fuqinë punëtore të vendeve të BE. Mund të zgjatem shumë me argumente të tillë, por le ta mbyll argumentin me këshillën që Greqia dhe Kroacia sigurisht s’janë modele që ne duhet të ndjekim. Pse të mos e mirëpresim ndryshimin?

Sigurisht që personalisht do ta mirëprisja, ose së paku do hezitoja ta kritikoja ndryshimin nëse ai do të ishte paraprirë me studime, statistika, krahasime, modele dhe analiza profesionale që do të dilnin në përfundimin që një masë e tillë mund t’i sjellë të mira futbollit të klubeve dhe kombëtares. Keni dëgjuar ndonjë gjë të tillë ndonjëherë nga FSHF-ja? Nuk po flas pastaj për transparencën në vendimmarrje, që në atë institucion është në nivelin e Koresë së Veriut.

Pas skemës “Final 4”, vjen një ndryshim i tillë, pse bëhen këto eksperimente nga ana e FSHF-së?

Ndryshimi pa prit e pa pandehur i skemës së kampionatit u pa nga shumë si ilustrim i vërtetësisë së shprehjes së vjetër popullore: “Robit kur s’ka punë luan derën”. Personalisht nuk e besova kurrë këtë version naiv të ngjarjes, sepse ata që e bënë vetëm të tillë nuk janë.

Po “shqyerja e dyerve” për të huajt nuk të le në asnjë moment të mendosh se është eksperiment apo naivitet. Siç e kam përmendur edhe në përgjigjen e pyetjes së parë më sipër, koniukturat dhe interesat e pushtetit presidencial luajnë rol vendimtar në vendimet e FSHF-së. Interesi i futbollit mbetet ndonjëherë jetim, por kjo është një situatë që do ta korrigjojmë në mandatin tjetër.

KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"