EKSKLUZIVE/ Tension te Kukësi, përjashtohet “gardiani” i dytë pas përplasjes me mbrojtësin. Zbardhet prapaskena me portierin
Kukësi është duke kaluar një moment jo të mirë në këtë fillim sezoni në Kategorinë e Parë. Pas katër ndeshjesh të luajtura, verilindorët kanë sigluar vetëm një fitore në start me Erzenin. Më pas, tri humbje radhazi që e kanë zbritur në zonën “e ftohtë” të renditjes, pikërisht në vendin e parafundit.
Një situatë që duket se po reflektohet edhe në skuadër, pasi nuk po mungojnë problemet edhe jashtë fushës së lojës. Burime të “Panorama Sport” pohojnë se së fundmi ka pasur një përplasje midis mbrojtësit Ouen dhe portierit Enton Nova.
Nisur nga incidenti me këta dy lojtarë, klubi ka marrë vendimin për përjashtimin e portierit, ndonëse mbeten të paqarta arsyet e problemeve midis këtyre dy lojtarëve. Jo më kot, në ndeshjen me Flamurtarin ra në sy fakti që nuk kishte një portier në stol, duke mos pasur zëvendësues për Amarildo Dervishajn.
Për fat të mirë nuk ishte nevoja që të përdorej në përballjen me vlonjatët, të cilën verilindorët e mundën me rezultatin e ngushtë 2-1. Siç dihet, Kukësi u mblodh vetëm një javë para nisjes së kampionatit, ku skuadrën e kanë marrë në dorëzim drejtues të tjerë, të cilët fillimisht arritën të bënin të mundur pjesëmarrjen e klubit në kampionat.
Objektivi i tyre primar është që skuadra të arrijë të mbijetojë dhe më pas, me më shumë kohë në dispozicion, të mundohen të ndërtojnë një ekip që të synojë elitën. Nisja nuk ka qenë aspak e mirë, teksa fillimisht erdhi edhe dorëheqja e trajnerit Ilir Spahiu dhe në pankinë është ulur një njohje e vjetër si Emiljano Çela. Sfidën e radhës, Kukësi luan derbin e Qarkut, ku do të përballen me Valbonën në transfertë, një kundërshtar direkt ky sa i përket mbijetesës. Vetëm fitorja mund të kthejë qetësinë në skuadrën verilindore, trepikësh i cili do t’i largonte përkohësisht nga zona e ftohtë.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"