EKSKLUZIVE/ Tirana-Dinamo në Vlorë, Dejvi Bregu: Prisni derbi spektakolar, jemi gati për t’i mundur (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2024 | 21:28

EKSKLUZIVE/ Tirana-Dinamo në Vlorë, Dejvi Bregu: Prisni derbi spektakolar, jemi gati për t’i mundur (E PLOTË)

Derbin e parë sezonal kundër Tiranës, Dinamo do ta luajë në qytetin e Vlorës, në shtëpinë e Dejvi Bregut.

BREGU

Një arsye më shumë që sulmuesi vlonjat i bluve të kërkojë rolin e protagonistit për skuadrën e tij. Në një intervistë për “Panorama Sport”, 28-vjeçari thekson se do të jetë një sfidë e luftuar nga të dyja skuadrat, ku ajo që do të gabojë më pak, do të fitojë. Bregu vlerëson Tiranën si një skuadër të fortë, edhe pse është më poshtë në renditje pas 8 javësh. Sulmuesi parashikon një sfidë me nivel të lartë, që do të kënaqë ata që do ta shohin në stadium dhe nga televizori. Sa i takon Dinamos, vlonjati shpreh besimin se do të fitojë një trofe këtë sezon, pasi ka gjithçka që i duhet.

Dejvi, si do ta vlerësonit ecurinë e Dinamos në këto 8 javë kampionat, mund të kishit bërë më shumë?

Ecurinë e këtyre 8 javëve do ta vlerësoja të mirë. Natyrisht që ka vend për përmirësim dhe ne për atë po përpiqemi këtë periudhë, që të rritemi si skuadër. Duke qenë se kampionati është i tillë, ku duhet të vlerësosh çdo ndeshje dhe çdo kundërshtar, ne e kemi të qartë se duhet të japim maksimumin gjithmonë.

 

Në aspektin personal, keni ndonjë peng? Kam peng penalltinë në Ballsh, sepse ishte në minutën e fundit të ndeshjes dhe ekipi mund të merrte 3 pikët. Jo se humba penalltinë, pasi nuk është e para që e humbas, por për momentin që ishte. Duhej të dilnim me 3 pikë, por fatin e keq timin dhe të ekipit dolëm pa pikë nga ajo ndeshje.

Si e parashikoni derbin me Tiranën, çfarë ndeshjeje mund të jetë? Derbin e shikoj një ndeshje të luftuar. Tirana ka një ekip goxha të mirë dhe mendoj që të dyja palët do të kërkojnë ta fitojnë ndeshjen. Për 3 pikët luhet si nga ne, por besoj edhe nga Tirana. Shpresoj të bëhet një ndeshje e bukur për tifozët në stadium, por edhe për ata që do ta ndjekin nga ekrani. Shpresoj që të gjithë të jenë të kënaqur me spektaklin që mund të prodhojë kjo sfidë derbi.

Mund të jenë vendimtare mbrojtjet apo sulmet në këtë sfidë? Për mua vendimtare do të jenë skuadrat, pra loja si skuadër, jo mbrojtjet apo sulmet. Dihet që futbolli është një lojë gabimesh dhe kush gabon më pak ka më shumë shanse që ta fitojë ndeshjen. Mund të jetë një derbi që do të varet nga episodet dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të vëmendshëm për të shfrytëzuar rastet që mund ta na ofrojë kjo ndeshje.

Ndeshja është spostuar në stadiumin e Vlorës. Mund të jetë një ogur i mirë për ju si vlonjat? Uroj dhe shpresoj që po.

Çdo ndeshje ka rëndësinë e vet, por derbit mund të bëjnë diferencën, duke ditur dhe formulën e kampionatit. Çfarë mendoni për këtë aspekt? Çdo ndeshje vlen 3 pikë, por derbi ka një rëndësi më të madhe. Luhet me rivalët e kryeqytetit dhe normalisht në media e kudo merr një vëmendje ndryshe, por në fund të fundit janë 3 pikë. Për sa i përket formulës, është e ditur tashmë që gjithë ekipet që pretendojnë, duhet të jenë pjesë e “Final 4”, që më pas të luftojnë për titullin kampion. Ne do të mundohemi të bëjmë sa më pak gabime që të jemi pjesë e 4-shes.

Si ndiheni në treshen e sulmit me Mandelën dhe Zabërgjën? Mund të jeni sulmi më i mirë i kampionatit? Ndihem mirë me të gjithë, si me Mandelën, Zabërgjën dhe me Vilën, apo këdo që profesori mendon të aktivizojë. Për faktin, nëse do të jemi sulmi më i mirë apo jo, kjo mbetet për t’u parë në fushë. Sulmuesit maten me gola dhe asiste, kështu që të gjithë ne që luajmë në sulm duhet ta ndihmojmë ekipin me gola e pasime, që në fund përkthehen në pikë dhe kjo është me e rëndësishmja.

Me aq sa kanë treguar këto javë, ku mund të shkojë Dinamo? Jo vetëm sa kanë treguar këto javë, por duhet parë edhe në vazhdimësi. Ne do të përpiqemi të arrijmë maksimumin. Duke thënë maksimumin kam parasysh “Final 4” dhe jo thjesht të jemi pjesë e tij, por duke synuar titullin kampion. Ky klub ka këtë projekt dhe nuk i mungon asgjë për ta realizuar. Kam shumë besim te stafi dhe lojtarët që ka në përbërje Dinamo se kemi për të dalë me trofe këtë sezon.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"