EKSKLUZIVE/ “Tirana si mësimore trajnerësh”, analiza e ish-mbrojtësit Dabulla: Magani e ka malore, bardheblutë rrezikojnë rënien (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2024 | 23:54

EKSKLUZIVE/ “Tirana si mësimore trajnerësh”, analiza e ish-mbrojtësit Dabulla: Magani e ka malore, bardheblutë rrezikojnë rënien (E PLOTË)

Rezart Dabulla deklaron se për Tiranën do të ishte sukses qëndrimi në kategori.

dabulla

Në një intervistë për “Panorama Sport” ish-lideri i bardhebluve, analizoi rokadën mes Shkëmbit dhe Maganit. Gjeti mangësitë në ekip si dhe deklaroi se ishin drejtuesit që gabuan në ndërtimin e skuadrës. Dabi foli edhe për kombëtaren, duke i lënë përgjegjësinë trajnerit Silvinjo.

Tirana largoi Shkëmbin. Një trajner, që ju e keni kritikuar. Ku u bazuat për parashikimin që bëtë se nuk do ta kishte të gjatë?

Unë për Shkëmbin u bazova te rezultatet në përgjithësi. Tek ambienti që ka dhe është Tirana, të cilin unë e njoh mirë. E di çfarë kërkohet, cilën filozofi ka, çfarë trajneri duhet të ketë. Te Tirana, një trajner pa eksperiencat e duhura dhe pa staturën e një tekniku të fortë është e vështirë të funksionojë. Jo vetëm Shkëmbi, por kushdo që ka qenë si puna e Bledit, para tij, të cilët kanë qenë lojtarë të mirë, që duan të bëhen trajnerë të aftë, kur e kanë provuar Tiranën kanë dështuar, pasi nuk ka pasur si eksperiencën dhe staturën e duhur. Tirana nuk është mësimore trajnerësh.

Po faji nuk është i trajnerëve që duan të drejtojnë Tiranën apo çdo ekip të madh …

Për fat të keq, ata që e drejtojnë klubin, e kanë bërë këtë ekip mësimore trajnerësh të dynjasë. Marrim trajner që ta provojë te Tirana. Ai rri aty ca kohë ikën dhe nuk lë asnjë shenjë të mirë. Filozofia është, që ti nuk mund ta bësh klubin më të pasur në Shqipëri, si autoshkollë për trajnerët. Gabimi është që në nisje. Te kjo pjesë, më shumë unë i vë faj drejtuesve, sesa Shkëmbit. Tirana do trajnerë të afirmuar dhe të ketë CV-në dhe trofe të fituara si drejtues skuadrash.

Po për Maganin çfarë mendimi keni?

Po Gugashi e ka provuar edhe më parë ambientin. Na ka shpëtuar një herë për rënien nga kategoria. Atë vit që ishte Magani, rrezikonim kategorinë. Mendoj se ka eksperiencë më shumë se të tjerët dhe në këtë moment të vështirë, si atë vit, shpresoj dhe dua që të bëjë mirë. “Fushë me lule” nuk e ka.

Përse do ta ketë të vështirë?

Them kështu, pasi jemi në fundin e tabelës. Kemi shumë lojtarë të rinj që nuk e njohin lojën e njëri-tjetrit. Të huaj kemi sa të duash. Me pikë nuk jemi mirë. Ndonjë dashamirësi të përgjithshme ndaj Tiranës unë nuk shoh. E kam për ambientin, federatën dhe të gjithë. Do të jetë malore për të. Vetë ia kemi bërë malore vetes.

Pak na e bëjnë të tjerët, jemi në situatën jo të mirë. Unë nuk shoh zgjidhje. Skuadra mendoj se do të luftojë për të mos qenë “playout”, ndërsa për katërshen e “Final 4” do ta ketë shumë të vështirë. Flas me atë që shoh. Unë shpresoj që të gabohem dhe Magani të bëjë shumë mirë dhe të na nxjerrë në “Final 4”, por e shoh të vështirë. Për mua, po shpëtuam dhe qëndruam në Superiore, do të jetë sukses. Gjë të madhe nuk pres.

Mendoni se skuadra është ndërtuar keq?

Ky është një gabim trashanik që e kam thënë që para se të niste ky sezon. Pronarët duhet të mendohen mirë për ekipin që do të ndërtojnë. Duhet të marrin drejtuesit, trajnerët lojtarët e duhur për këtë ekip. Kaq të vështirë e kanë që të kenë kontakte me ish-lojtarë apo miq e shokë.

Edhe vetë me eksperiencën që kanë pasur, i kanë provuar të gjitha nuk e kanë kuptuar që nuk mund të fusësh këdo në këtë klub, sepse nuk funksionon mirë. Ekipi nuk bëhet për një muaj, por me kohë dhe lojtarë që i përshtaten skuadrës. Ky është budallallëku më i madh në botë. Më pas kur dështojnë, qahen dhe thonë jo na e bënë kështu e ashtu. Faji së pari është presidencës.

Po për skuadrën çfarë mendimi ke?

Emër të caktuar ata nuk kanë. Brenda mund të ketë ndonjë emër që shkon te mesatarja. Skuadrën mund ta bësh edhe pa yje, me lojtarë mesatarë, por këta futbollistë duhet të përshtaten me ambiciet që ke ti si klub. Duhet të shkrihen më shpejt me njëri-tjetrin. Duhet të kenë një lider brenda skuadrës. Te Tirana nuk shoh ndonjë lider që të marrë përsipër gjëra.

Cili është lideri te Tirana? Në mbrojtje, mesfushë apo sulm… Kujt do t’ia “varësh këmborën” që të zgjidhë çështjet kur edhe trajneri nuk është i duhuri e me radhë? Në këtë skuadër unë nuk kam gjetur liderin.

Po Superioren në përgjithësi si e vlerëson?

Për mendimin tim nuk ka kundërshtarë të dobët. Ti pretendon të shkosh në “Final 4”. Kujt do t’ia marrësh vendin? Edhe Elbasani që është në vendin e pestë ka performuar më mirë sesa Tirana. Elbasani është shumë më mirë sesa Tirana, por flas për këtë moment dhe çfarë kam parë në fushën e lojës. Nëse ndodh ndonjë mrekulli dhe del ndonjë lojtar që te Tirana shënon gol çdo ndeshje dhe bën atë që shpresojmë që dikush ta bëjë kjo është gjë tjetër.

Në janar, çfarë lojtarësh i duhen Tiranës?

Në janar nuk gjen dot lojtarë të mirë. Kur këta të klubit nuk i gjetën lojtarët e mirë që vjet kur vendosën të prishnin ekipin, zor se do të bëjnë ndonjë gjë të madhe këtë vit.

Një opinion për ndeshjen me Elbasanin dhe derbin?

Trajneri i ri solli adrenalinë të re. Shenja pati edhe me Bylisin. Ekipi reagoi, por shpresoj që Gashi të bëjë më të mirën e vet. Ngaqë ka qenë vet lojtar “agresiv”, flas sportivisht ai mund të sjellë të reja. Unë e kam pasur trajner dhe ai është një gjeri që punon është kërkues. Dëshira, kërkesa dhe agresiviteti sportiv, mbase mund t’i injektojnë diçka ekipit që të bëjë mirë. Dhe ta shohim në vazhdimësi nëse fiton. Ne duhet të luftojmë në çdo moment për fitoren dhe kjo është ajo që unë nuk kam parë në këtë skuadër. Nuk kam parë ego agresivitet, luftë deri sekondën e fundit.

Për kombëtaren, çfarë opinioni ke?

Humbje që na solli me këmbë në tokë. Ne u ruajtëm nga Çekia, e konsideruam të fortë, por harruam që Ukraina ka lojtarë shumë cilësorë. E pamë në fushë për 45 minuta se çfarë na bënë.

Për mua ishte pak rezultati 0-2, sepse duhet të mbaronte më shumë. Në pjesën e dytë u ndërruan disa lojtarë dhe ndryshoi fizionomia e lojës. Më habit situata me lojtarët tanë. Uzuni për shembull që luan në Spanjë. Po kalon formë shumë të mirë. Si nuk e shfrytëzojmë këtë lojtar? Si ka mundësi që fusim në fushë një lojtar të dëmtuar? Çfarë do të bëjë ai?

Ai nuk vraponte dot, ne i fusim me zor në fushë. Për mua një pjesë e madhe e gabimit është zgjedhja tekniko-taktike e lojtarëve dhe formacionit që e filluan ndeshjen. Trajneri e bëri gabimin në këtë rast. Nuk kanë shumë faj lojtarët. Ndeshja kundër Ukrainës nuk ishte përgatitur siç duhet. Ne ndoshta mendonim se Ukraina do të vinte këtu për të luajtur dhe ne e mendonim barazim ndeshjen, por do ta fitonim këtë takim. Ata treguan futboll shumë cilësor dhe me fat të madh shpëtuam nga goli i tretë. Për mua duhet të luajë ai që është në formë dhe i përshtatet kundërshtarit. Ne gabuam në strategji.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"