EKSKLUZIVE/ Trajneri i ri është entuziast për aventurën në Kavajë. Çela: E dëshiroja një ekip si Besa, gjeta grup të mirë
Trajneri Emiljano Çela sapo ka marrë detyrën, menjëherë ka zbritur në fushë dhe nga 3 janari po udhëheq Besën në stërvitje, së bashku me kavajasin Bekim Kuli. Nën urdhrat e tij është vënë i gjithë kontigjenti që mbylli 2024-ën me fanellën verdhezi.Siç është bërë e ditur, nga Besa janë larguar 5 futbollistë dhe afruar 2 në merkato. Për të gjitha këto, për “Panorama Sport”, Emiljano Çela jep intervistën e parë si trajner i Besës.
Latë Kukësin dhe pranuat për të qenë trajner i Besës, si ndodhi?
Ka qenë një marrëveshje që u bë në fakt mes dy klubeve, pasi unë isha nën kontratë me Kukësin. Dëshira ime ishte që të vija te një ekip që ka synime për më lart, si Besa, një emër me histori dhe objektiva të mëdha Superioreje.
Sa e njihnit ekipin e Besës përpara se të merrnit drejtimin e tij?
Ju e dini se kemi luajtur me Besën si kundërshtar, shto këtu që e kam thuajse çdo ndeshje të saj para syve. Ndaj, nuk hezitova të marr drejtimin e skuadrës kavajase.
Keni drejtuar ekipin në 3 seanca stërvitore. Çfarë mesazhi keni marrë nga grupi që keni gjetur?
Grupi është mjaft i mirë. Ka një ndërthurje midis disa djemve të rinj të talentuar dhe disa futbollistëve me shumë eksperiencë dhe emër në futbollin shqiptar. Në këto 3 seanca kam konstatuar dëshirë, disiplinë dhe seriozitet nga çdo futbollist.
Sipas Çelës, kjo Besë ka nevoja emergjente për ndërhyrje në merkato?
Gjykoj se nga përbërja e grupit, që për mua ka bërë mirë, nuk mund të them emergjente. Pas afrimeve që tashmë i dini, të Grecës dhe Migones, janë drejtuesit e klubit ata që edhe kanë qenë më afër skuadrës dhe e dinë më mirë se unë ku ka më shumë nevojë ky ekip. Sigurisht, që do të ketë edhe afrime të tjera.
Nëse përveç Grecës dhe Migones, presidenti Bizhdili nuk do të sillte afrime të tjera, ky grup e arrin objektivin madhor?
Jua thashë më lart, Besa ka një grup cilësor dhe ka bërë mirë, derisa është ndër 3 ekipet e kreut. Me sa di unë, presidenca po kërkon lojtarë të nivelit të Grecës e Migones, që kanë kapacitet si dhe të na ndihmojnë e shtojnë alternativat për situata të ndryshme loje.
Cilat skuadra shihni si kandidate kryesore për ngjitjen në Superiore?
Nisur nga përbërjet dhe paraqitjet e deritanishme, mendoj se tashmë fatet do të ndahen mes 3 ekipeve të para, si Flamurtari, Vora e Besa.
FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"