EKSKLUZIVE/ “Tri ekipe më pëlqejnë në këtë start”, Elis Bakaj: Partizan, nuk dilet kampion me të rinj (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2024 | 21:37

EKSKLUZIVE/ “Tri ekipe më pëlqejnë në këtë start”, Elis Bakaj: Partizan, nuk dilet kampion me të rinj (E PLOTË)

Elis Bakaj vështirë të harrohet nga tifozët shqiptarë për grintën dhe personalitetin e tij në fushën e lojës.

Elis Bakaj Partizani

Ish-sulmuesi i Partizanit, Tiranës dhe Dinamos tashmë është vendosur në Rumani, ku ka organizuar jetën si biznesmen, por edhe po aktivizohet si menaxher futbollistësh. Aventura e radhës pritet të jetë me një rol më konkret në futboll, si drejtor sportiv ose trajner. Në një intervistë për “Panorama Sport” ish-sulmuesi i bën një analizë skuadrave të kryeqytetit, por edhe Superiores në përgjithësi. Sipas tij, niveli është në ulje dhe analizon shkaqet.

Përse ishte kaq i dobët ky derbi i fundit mes Tiranës dhe Partizanit?

Në këtë moment kampionati shqiptar nuk e ka kualitetin që ka pasur më parë, por ka favorin tjetër që Kombëtarja dhe emri i futbollit shqiptar në Europë është shumë më lart seç ka qenë më parë. Në kohën time ishte shumë e vështirë të dilje jashtë, nuk e shihnin kampionatin me këtë sy. Nuk ka qenë ky emër, por sot është. Ka lojtarë shqiptarë që tashmë luajnë në ligat më të forta, plus Kombëtarja ka bërë të vetën, kushtet e stadiumeve gjithashtu. Më parë kur na shihnin skautët në “Qemal Stafa” ose në Durrës a Peqin, ishte balta deri në gju. Ti kishe kualitet, por nuk të merrnin me ato kushte. Tani janë përmirësuar kushtet, por kualiteti i lojtarëve nuk është siç ka qenë më parë. Duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë gjë.

Përse mendoni se ka rënë cilësia e kampionatit? Një arsye është lëvizja e shpejtë. Në momentin që të spikat një lojtar, të largohet pas vetëm gjashtë muajsh. E shohim gjithnjë këtë fenomen, sepse edhe tregu shqiptar është bërë i parapëlqyer. Për shembull në Rumani i duan shumë lojtarët shqiptarë, sepse kanë ardhur më parë dhe kanë spikatur. Por jo vetëm Rumania. Kjo mendoj se është arsyeja, në momentin që del një lojtar, shitet direkt. Kjo nuk i lejon skuadrat të ndërtojnë cikle dhe bie cilësia.

Flasim pak për Partizanin, që ka ndryshuar trajnerin dhe ka pasur largime të rëndësishme dhe afrime jo të bujshme. Si ju duket? Ardhja e trajnerit të ri ndërron komplet strukturën. Sa i përket organikës, kur bën shumë lëvizje ka lojtarë që ambientohen shpejt, por ka edhe që ambientohen vonë ose fare. Këto gjëra domosdo në futboll ndikojnë dhe te Partizani mendoj se kanë pasur shumë impakt. Trajneri nuk e njeh kampionatin. Pastaj ky afrimi i trajnerëve të huaj nuk më pëlqen shumë, sepse ka shqiptarë që mund të bëjnë shumë mirë. Po dalin trajnerë të mirë shqiptarë. Unë jam dakord të marrësh një trajner të huaj, por të jetë dikush me “CV”, që kur e merr në Shqipëri, të ndikojë në rritjen e nivelit. Jo të marrësh një trajner të nivelit të trajnerëve që janë në Shqipëri. Pa e paragjykuar trajnerin e ri që ka ardhur, sepse është vetëm fillimi dhe ai ka nevojë për kohën e tij dhe mund të bëjë shumë mirë. Por duhet t’i japim dorën më shumë trajnerëve shqiptarë, ka emra që mund të bëjnë mirë. Nëse merr një të huaj, të jetë 10 herë më i mirë sesa shqiptari.

Çfarë elementesh i mungojnë skuadrës së Partizanit të këtij sezoni? Duke hequr portën, Partizani ka nevojë nga pak në çdo repart. I duhen lojtarë me eksperiencë, jo të rinj. Ti nuk mund ta fitosh kampionatin vetëm me lojtarë të rinj. Të rinjtë nuk e kanë përvojën për të menaxhuar presionin në ndeshje vendimtare. Kjo vjen me vitet mbi supe, mund të jesh shumë i talentuar, por të ndodh të gabosh në një moment, që është fatal për skuadrën. Në një ekip duhet të jetë lojtari i ri, ai me eksperiencë, ai që vrapon pafund, ai që di të japë topin, ai që të bëjë golin. Prandaj edhe trajneri duhet të jetë në kohën e duhur në klub, që të bëjë këtë lloj përzgjedhje. Trajneri i ri erdhi vonë, nuk e njeh ekipin dhe s’bëri fazë përgatitore. Ai tani mund të thotë se lojtarët dhe ekipin nuk e ka bërë ai. Unë nuk jam aspak me ndërrimet e shpeshta, duhet t’u japësh kohë trajnerëve.

Nga ana tjetër, Tirana ka emëruar Shkëmbin në stol dhe ka ndërruar gjithë ekipin. Si ju duken në krahasim me ekipet e tjera? Tirana është ndryshuar komplet, do kohë. Tirana është risk i madh. Ka ndërtuar një ekip të tërë nga e para. Është rrezik shumë i madh, në një emër si Tirana, ku nuk të pret njëri, s’të japin kohë. Tifozët e Tiranës janë mësuar gjithnjë duke fituar tituj. Nëse nuk fiton titullin ose Kupën, te Tirana është dështim. Ka probleme edhe aty, jo më kot kanë marrë këto rezultate në këto javë të para. Te Tir ana kër kohet shumë kohë dhe nuk e di a pret apo s’pret njeri. Sepse nuk je në një ekip si Bylisi, për shembull.

Dinamo riktheu Ilir Dajën dhe ka bërë disa afrime lojtarësh me eksperiencë. Do të përparojë kjo Dinamo? Dinamo është mirë, mendoj se ka bërë afrime të goditura për kampionatin shqiptar. Ka marrë lojtarë të Kombëtares, me eksperiencë dhe që kanë luajtur jashtë. Ka sjellë edhe një trajner, i cili dihet se çfarë ka arritur në karrierë. Unë e kam pasur edhe trajnerin tim, e di shumë mirë sesi punon Iliri. Është trajner që ka fituar trofe, shkroi historinë me Ballkanin. Ka eksperiencë dhe di si të menaxhojë ekipin. Shpresoj që edhe klubi t’ia bëjë gjërat e lehta.

Sipas jush, cilët janë pretendentët për katërshen?

Mua më ka pëlqyer Egnatia. Vjet e kam ndjekur edhe në stadium dhe ishin shumë të kompletuar. Këtë vit kanë pësuar disa ndryshime veçanërisht në sulm, por mendoj se mbeten të fortë dhe pretendentë. Vllaznia gjithashtu nuk është keq, ka lojtarë me eksperiencë dhe e ka ruajtur grupin, jo më kot është në krye. Edhe tri ekipet e kryeqytetit, që tani janë pak më mbrapa, por besoj se do të ngjiten në renditje, sepse nuk u lejohet të qëndrojnë poshtë. Do të ishte dështim total për ta.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"