EKSKLUZIVE/ Tri orët e vendimit dhe dy takime. Shkëmbi kërkoi të qëndronte, mësoni si u largua nga Tirana
Tirana dhe Bledi Shkëmbi kanë ndarë dje rrugët, por e marta paradite ka qenë një rrugë e gjatë për të dy palët, derisa u mor vendimi i shkëputjes së marrëveshjes. Një fotokopje e situatës me Orges Shehin, një vit më parë.
Nga ora 9:00 deri në orën 12:00 gjërat kanë ndryshuar, ndërsa hidhet poshtë edhe aludimi, se Shkëmbi ishte shkarkuar një ditë më parë. Ai kishte ardhur për stërvitje, por u njoftua për mbylljen e marrëveshjes me bardheblutë.
PROLOGU – Gjatë pasdites të së hënës, Refik Halili ka zhvilluar një takim, ku të pranishëm kanë qenë trajneri Bledi Shkëmbi, drejtori Agim Ibrahimi dhe zyrtarë të tjerë të klubit kryeqytetas. Të gjithë kanë diskutuar për gjendjen e skuadrës dhe situatën që është alarmante, sidomos te pikët, ndërsa janë hedhur në tavolinë disa mundësi për lehtësimin e krizës. Mesa është marrë vesh, presidenti ka kërkuar që trajneri t’i japë një zgjidhje personale këtij problemi, por nuk ka marrë një përgjigje përfundimtare nga Shkëmbi. Në fund, atij i ka mbetur si guri dhe letra në dorë. Gjithçka u la e hapur për të martën kur ishte planifikuar stërvitja e parë anti-Bylisi.
E MARTË PARADITE – Trajneri Bledi Shkëmbi dhe ndihmësi i tij Sabien Lilaj janë paraqitur për të nisur punën. Lilaj ka qenë në kafe me një nga lojtarët si dhe një nga përgatitësit atletikë. Pas ardhjes në “Skënder Halili”, Shkëmbi ka ndaluar dhe ka diskutuar në fillim me drejtorët Grent Halili dhe Agim Ibrahimi. Për rreth 30 minuta treshja ka diskutuar në hyrje të kompleksit. Më pas ata janë zhvendosur në zyrën e akademisë. Treshes i është bashkuar edhe Sabien Lilaj dhe për disa minuta të tjera ka pasur një tjetër diskutim në zyrë.
BALLAFAQIMI – Bledi Shkëmbi ka kërkuar që të vazhdojë punën, duke i kërkuar drejtuesve që të mos e ndërpresin bashkëpunimin, ndërsa korçari nuk e ka konsideruar dorëheqjen. Drejtuesit janë vënë në një pozicion jo të mirë dhe i kanë bërë të qartë Shkëmbit, se nuk ka asgjë personale dhe se janë rezultatet që ndikojnë këtë ndryshim, në drejtimin e skuadrës.
HALILI-IBRAHIMI – I njoftuar presidenti Refik Halili u ka bërë me dije dyshes Grent Halili-Agim Ibrahimi që ka vendosur të bëjë një ndryshim në ekip dhe se kjo është në të mirë të ekipit. Dy drejtorët janë veçuar nga Shkëmbi dhe kanë diskutuar, derisa në “Skënder Halili” ia ka “behu” avokati i klubit, një nga të besuari e Refik Halilit. Pas më shumë se 1 orë diskutimesh, palët kanë mbyllur mbledhjen dhe kanë zbritur në dhomat e zhveshjeve me lajmin që Shkëmbi nuk është më trajneri i skuadrës.
TAKIMI – Pas komunikimit të largimit, Bledi Shkëmbi dhe drejtuesit zhvilluan edhe një takim me skuadrën. Ibrahimi njohu grupin me vendimin dhe mbajti edhe një diskutim të gjatë në dhomat e zhveshjeve për situatën. Pas kësaj, Shkëmbi dhe Lilaj u takuan me lojtarët dhe stafin dhe u larguan menjëherë nga kompleksi “Skënder Halili”, duke mbyllur bashkëpunimin me Tiranën që nisi në fillim të qershorit.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"