EKSKLUZIVE/ “U fituan dy lojtarë si Dodaj dhe Delaj”, ish-kapiteni Belisha: Ju tregoj pikën e fortë të Vllaznisë (E PLOTË)
Vllaznia humbi kreun e renditjes këtë javë, duke ia lëshuar Partizanit, pas barazimit pa gola kundër Elbasanit, ku edhe fatin e kishte kundër, pasi goditi shtyllën katër herë.
Gjithsesi, shkodranët janë ende aty dhe e kanë hedhur tashmë kandidaturën për fitimin e titullit kampion të këtij sezoni. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-mesfushori Amarildo Belisha, i bën një analizë skuadrës, ku shprehet se me Elbasanin meritonte më shumë. Ai vë theksin edhe te cilësitë e mesfushës si dhe te të rinjtë e talentuar si Delaj apo Dodaj.
Belisha, barazim ndeshja e fundit Elbasani-Vllaznia. Rezultat i drejtë?
Unë them se ndoshta Vllaznia mund të meritonte diçka më tepër, sepse ekipi e kontrolloi lojën në mbi 70-80% të kohës. Madje goditi edhe katër herë shtyllën, duke e dominuar lojën e ndoshta fati jo i mirë ndikoi te fitimi i tri pikëve në fund të 90 minutave.
Një pikë e fituar, apo dy të humbura për Vllazninë?
Nëse i referohemi rasteve, mund të them dy pikë të humbura, pasi në një moment Vllaznia dukej se luante në Shkodër dhe jo në Elbasan. Por duhet respektuar edhe kundërshtari, një ekip serioz i ndërtuar për objektiva të mëdha këtë sezon. Në fund ndoshta mund të thuash edhe se u fitua një pikë, duke pasur parasysh se edhe Elbasani kishte 2-3 mundësi të mira në fund, që u neutralizuan nga Qarri.
Në mendimin tuaj, kush ishin futbollistët dhe pikat e forta të Vllaznisë në këtë duel?
Mesfusha në tërësi funksionoi siç duhet me Qaton dhe Krymin kryesisht, pasi Kahrimanoviç ende nuk është fizikisht aty ku duhet, pavarësisht cilësive teknike që ka. Gjithashtu dua të theksoj edhe performancën e Jago, i cili duket se ka rikuperuar totalisht anën e tij fizike dhe është shndërruar në një pikë të fortë të skuadrës, duke qenë i rrezikshëm gjithmonë në krahun e majtë.
Mendoni se ishin të godi- tura zgjedhjet e Brdariç për formacionin?
Mund të them se Delaj dhe Dodaj janë lojtarë të të njëjtit profil. Dhe të dy kanë pasur mundësitë e tyre këtë sezon. Por besoj se zgjedhja i dha të drejtë trajnerit, ku Dodaj ish- te lojtari më i spikatur në fushë. Por edhe Delaj për aq minuta sa u aktivizua ishte në ritëm. Unë them me bindje se janë dy futbollistë të fituar tashmë te Vllaznia dhe te të cilët mund të besosh në ndeshjet e ardhshme.
Si një trajner që punon ndër vite te moshat, duhet të kenë një hapësirë më shumë për të rinjtë?
Besoj se hapësira i është dhënë të rinjve, por trajneri ka përsipër riskun e rezultateve, sepse në fund të fundit kërkohet fitorja. Aty ka disa lojtarë të rinj që luajnë në të njëjtin pozicion dhe Vllaznia beson te këta djem. Uroj ta kenë shansin e tyre dhe ta shfrytëzojnë në momentin që do iu jepet mundësia. Ata duhet të jenë të gatshëm dhe të mbajnë vendin në momentin kur do të aktivizohen.
Tifozëritë e dyja ekipeve e shijuan ndeshjen së bashku. Diçka e veçantë për futbollin tonë, apo jo?
Është diçka shumë pozitive dhe domethënëse, siç e do sporti. Tifozët dhanë një mesazh se sporti duhet të bashkojë dhe të krijojë paqe e jo armiqësi. Si gjithmonë Vllaznia është e para në këto iniciativa në futbollin tonë. Por për këtë duhet falënderuar edhe tifozeria elbasanase, që mirëpriti në mënyrën më të mirë të mundshme shkodranët.
Sa mund t’i shërbejë ky pushim i kampionatit Vllaznisë?
Besoj se skuadra është mirë psikologjikisht pavarësisht se nuk ka fituar dy ndeshjet e fundit. Lojërat kanë qenë të mira si kundër Dinamos, ashtu edhe ndaj Elbasanit. Them se kjo ndalesë mund t’i shërbejë më tepër për të rikuperuar të dëmtuarit dhe ekipi të jetë i plotë pas dy javësh.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"