EKSKLUZIVE/ “U prish futbolli”, Idrizi thumbon: U dënova për ‘Korbat e Komitetit Ekzekutiv’ (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 28, 2023 | 12:32

EKSKLUZIVE/ “U prish futbolli”, Idrizi thumbon: U dënova për ‘Korbat e Komitetit Ekzekutiv’ (E PLOTË)

Flamurtari është dy ndeshje larg ngjitjes. Që të mbetet në garë për një vend në elitë, duhet të kalojë Korabin këtë të diel. Finalja e “play off”-it duhet të luhej në “Elbasan Arena”, por rrugës përfundoi në kompleksin “Partizani”. Një ndryshim që Sinan Idrizi e ka mësuar nga gazeta, pasi gjendet në Turqi. E megjithatë, për të nuk përbën problem.

-800-450-Sinan-Idrizi

Në fund të fundit qëllimi mbetet i njëjti: kualifikimi për në finalen e madhe. Gjatë një interviste ekskluzive për “Panorama Sport”, presidenti i vlonjatëve i rikthehet edhe njëherë mbylljes së stadiumit. Ai thotë se në ndeshjen me Apoloninë delegati Bujar Pregja, numëronte njerëzit në stadium, si gjermani plakat te “Dimri i fundit”. Pret nga skuadra që me dibranët të bëjë detyrën.

Pengesa e radhës për të kapur elitën, quhet “Korabi”. Çfarë pret Idrizi nga kjo finale “play off”-i?
Unë nuk kam çfarë pres më. E kam thënë që vetëm maksimumin. Në krye nuk u renditëm, nuk kam më komente tani. Pritshmërinë time apo të qytetarëve të Vlorës e dinë tashmë të gjithë. Nuk kemi pse të përsërisim të njëjtën gjë, pasi do ta tepronim.

Shumë vuajtje me Apoloninë, si e patë atë ndeshje?
Mund të fitonim ne thellë, por mund të rezultonte edhe me një dështim total nga ne. Apolonia është një superekip për syrin tim. Janë me këmbë në tokë, luajmë futboll me djem të rinj që janë luftarakë. Një superndeshje. Deri në minutën e 70-të ishin ne vendimtarë, pastaj ndodhën ato që ndodhën.

I keni takuar lojtarët pas ndeshjes?
Unë shkova dhe takova pak këtë djalin tonë, Pedron. E takova para se të ikja në Turqi. Ai, sa herë që bënë golin, zbulon gjithmonë atë bluzën poshtë fanellës me shkrimin “Jezusi shpëton”. Me këtë pjesë u mora pak. U thashë “ore mirë që shpëton Jezusi, por na bëj edhe ndonjë gol. Mos na humb golat dhe penalltitë kështu, se pastaj do të na kryqëzoni të gjithëve…” (qesh).

Keni ndonjë kërkesë për ekipin para Korabit?
Ata e dinë shumë mirë. Kanë një impenjim të jashtëzakonshëm që nga stafi i trajnerëve dhe nga lojtarët vetë.

Duhet të luhej në Elbasan, por rrugës ndeshja shkoi te kompleksi i Partizanit. Keni një koment?
Ashtu? Nuk kam koment… Më mirë akoma. Do të harxhojmë pak më shumë, pasi Elbasani është pak më afër. Po nuk kanë marrë parasysh largësinë gjeografike.

Në këtë ndeshje do të keni të paktën tifozët në krahë?
Jemi me tifozë?! E dini çfarë, m’u kujtua diçka nga ndeshja me Apoloninë. Ishim të dënuar ne dhe kur pashë atë të deleguarin e FSHF-së(i referohet Bujar Pregjës) më kujtoi një film. E keni parasysh “Dimrin e fundit”? Kujtoni pak atë gjermanin që numëron plakat, kanë ikur apo jo te partizanët në mal… i numëronte me gisht ai. E kuptoni se çfarë ndodh në Shqipëri ore?! Ju flisni për futboll, do të luhet në Elbasan apo do të luhet në Tiranë. Të luhet në hënë ore! Këta e kanë prishur futbollin, o burrë. Numëronte me gisht ai, e kuptoni çfarë bëhet këtu apo jo? Të luajnë ku të duan ore, çfarë problemi ka!

I druheni gjykimit në këtë finale?
Jo, shiko… Gjykim tendencioz nuk ka pasur. Ka pasur një gjë shumë të shëmtuar në ndeshjen me Dinamon. Pjesët e tjera kanë qenë brenda kuadrit njerëzor. Mund të kemi gabime njerëzore, mund të kemi teprime njerëzore, në favorin tonë, në disfavorin tonë dhe të tjera si këto.

Do të jeni në kompleksin e Partizanit të dielën për të parë ndeshjen?
Po me kësmet të Zotit, po. Mos jam i dënuar dhe nuk di gjë? Këtu dënohesh për një batutë nga “Korbat e Komitetit Ekzekutiv”. Më thanë ke thënë “korba”. Po mirë ore, korbi është një zog i zi, shumë i bukur që unë e kam qejf. Dhe mua po të më thuash korb, ose korba për shembull nuk më mbetet hatri…

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"