EKSKLUZIVE/ “Vëmendja u zhvendos tek interesat personale”, Jani Kaçi: Veprimet individuale sollën pasoja te Skënderbeu (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 18, 2024 | 21:28

EKSKLUZIVE/ “Vëmendja u zhvendos tek interesat personale”, Jani Kaçi: Veprimet individuale sollën pasoja te Skënderbeu (E PLOTË)

Ecuria jo e mirë e Skënderbeut në ndeshjet e fundit është kthyer në një temë shqetësuese jo vetëm për klubin, por edhe për opinionin sportiv në Korçë.Jani KaçiPër një prej ikonave të këtij klubi, Jani Kaçin, 9 ndeshjet pa fitore e kanë çuar ekipin në një ngërç psikologjik, që duket se ka bllokuar lojtarët në fushë. Në një intervistë ekskluzive të dhënë për “Panorama Sport”, ish-portieri i shquar i Kombëtares, tregon situatën ku ndodhet Skënderbeu dhe mbi të gjitha mënyrën se si dilet nga kjo krizë rezultatesh.

Z.Kaçi, një fazë pa fitore. Si e shihni pozicionin e Skënderbeut në këtë moment?

Skënderbeu u ndërtua mbi një vizion afatgjatë, duke u bazuar te puna e palodhur, përfshirja e lojtarëve të rinj të ardhur nga akademia dhe rekrutimet me perspektivë. Ky projekt i qëndrueshëm dhe i mirëorganizuar çoi në rezultate të shkëlqyera, duke i siguruar skuadrës rikthimin në Superiore me meritë të plotë.

Puna serioze, profesionalizmi dhe ndjeshmëria e drejtuesve krijuan një atmosferë entuziazmi në ekip. Lojërat e bukura dhe rezultatet pozitive e bënë skuadrën të spikaste, jo vetëm si grup, por edhe nëpërmjet individëve të talentuar. Skeptikët nuk e kishin imagjinuar që Skënderbeu do të përfundonte në vendin e tretë, një arritje historike për të gjithë.

Po thoni që ky sezon nisi ndryshe sa i përket potencialit të këtij grupi?

Ky sukses u dha kënaqësi jo vetëm lojtarëve, por edhe drejtuesve. Falë kësaj performance, disa lojtarë të rëndësishëm fituan vëmendjen e tregut dhe u larguan, duke hapur rrugën për lojtarë të rinj që ishin pjesë e projektit, ose të sapoardhur.

Megjithatë, fillimi i sezonit të ri nuk arriti të ruante të njëjtën ambicie dhe energji pozitive si më parë. Vëmendja u zhvendos nga objektivat e përbashkëta të klubit te interesat personale. Këto veprime nuk ishin me dashje, sepse lojtarët janë djem të përkushtuar, por ndikuan negativisht në grup. Askush nuk mendoi se një skuadër e re në moshë ka nevojë për më shumë kohë dhe pjekuri për të spikatur në mënyrë natyrale.

Sa ndikim patën te ky sezon këto që ju përmendët më sipër?

Veprimet individuale sollën pasoja në këtë kampionat. Nuk është faji i lojtarëve të rinj, mosha dhe mungesa e një lideri në fushë dhe jashtë saj ishin faktorët kryesorë. Përgjegjësia rritet me suksesin dhe lojtarët e rinj nuk duhen ngarkuar më shumë se çfarë mund të përballojnë në këtë fazë të karrierës së tyre.

Si mund të dilet nga kjo situatë?

Me ndihmën e stafit dhe mbështetjen e gjithë klubit, këta djem, të cilët janë të talentuar dhe të ndershëm, do të bëjnë më të mirën për të ecur përpara. Trajneri Gjoka, me eksperiencën dhe qasjen e tij profesionale, ka mundësinë të ndihmojë skuadrën të kalojë këtë fazë të vështirë psikologjike. Psikologjia mund të kapërcejë çdo pengesë dhe me përkushtimin e duhur Skënderbeu do të jetë sërish një emër i madh në futbollin shqiptar.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"