EKSKLUZIVE/ “Verdheblutë do të rivalizojnë me Egnatian e Partizanin”, ish-futbollisti Gjika: Elbasani u ambientua në elitë, i mund korçarët (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 24, 2024 | 22:39

EKSKLUZIVE/ “Verdheblutë do të rivalizojnë me Egnatian e Partizanin”, ish-futbollisti Gjika: Elbasani u ambientua në elitë, i mund korçarët (E PLOTË)

Me mbylljen e fazës së parë Elbasani është vetëm dy pikë larg kreut dhe brenda objektivave për “Final 4”, duke zhbërë në njëfarë mënyre edhe “mitin” e vështirësisë së përshtatjes të një ekipi që vjen nga e Para.

Dhimitër Gjika, ish-futbollist i brezit të artë të Elbasanit

Dhimitër Gjika, ish-futbollist i brezit të artë të Elbasanit

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ish-futbollisti i njohur i ekipit të Elbasanit, Dhimitër Gjika, është besimplotë në realizimin e objektivave të skuadrës dhe paraqitjet e fazës së parë nuk janë aspak rastësore. Ai ka një thirrje edhe për arbitrat që t’i japin hakun çdo skuadre, ndërsa sugjeron që Elbasani të mos bëjë më gabime në fushën e vet. Gjika pohon se Partizani me Egnatian do të jenë rivalët e Elbasanit këtë sezon, teksa ka besim se marrin tri pikët ndaj Skënderbeut, por vetëm duke e vlerësuar maksimalisht.

Z. Gjika, si të është dukur paraqitja e Elbasanit këtë fazë të parë?

Do përpiqem të jem realist dhe objektiv për të thënë të vërtetën si e shoh unë. Duhet të marrim parasysh se Elbasani ka ardhur nga Kategoria e Parë në Superiore dhe mund të them se paraqitjet e bëra këtë fazë të parë kanë qenë të mira. Për t’u ambientuar në elitë duhet punë dhe vetëm punë. Kjo do të thotë se ekipi i Elbasanit deri tani po e realizon objektivin, të jetë mes katër më të mirave. Ekipi ka bërë ndeshje të mira, por në futboll duhet edhe fati ndonjëherë. Detyra kryesore e ekipit është që ndeshjet ku në letër duhet t’i fitojmë, të mos i gabojmë.

Mendoni se i kanë mundësitë të rivalizojnë deri në fund?

Unë mendoj se jemi në rrugën e duhur, por duhet të kemi kujdes të mos tregohemi mendjemëdhenj dhe euforikë. Në asnjë mënyrë, por vetëm me këmbë në tokë.

Çdo ndeshje do vlerësimin e vet. Gjëja pozitive është se ekipi ka brumë, objektiva, ritëm dhe mbi të gjitha nuk dorëzohet kur është në disavantazh. Shpesh herë ekipet kur pësojnë gol, demoralizohen. Kjo gjë nuk ndodh tek Elbasani, sepse ka edhe stol të mirë dhe një ekip që nuk ka stol do të thotë që nuk pretendon.

Me Partizanin ekipi kishte ankesa për gjykimin. Si e patë ju?

Gjyqtari me pa të drejtë na anuloi një gol dhe nuk na dha një penallti. Të mos harrojmë se bëhet fjalë për pikë të çmuara që ndikojnë shumë në renditje. Gjithsesi, unë jam optimist se në fushën tonë ka tifozeri të jashtëzakonshme, kemi një nga fushat më të mira, por i bëj thirrje gjyqtarëve të tregohen të kujdesshëm, të paanshëm. Nuk ka rëndësi se kush është ekipi, po e meritoi t’u japi hakun, edhe pse ka gabime pa dashje. Por, për aq kohë sa është VAR-i aty, nuk bën keq të konsultohet dhe më pas të marrë vendimin. Për këtë punë është teknologjia.

Mendoni se Elbasani ka lënë shumë pikë këtë fazë të parë?

Problemi më i madh janë pikët e lëna në Elbasan dhe për fat të keq kanë qenë disa. Ajo me Dinamon është e pafalshme, llogarisim këtu edhe këtë të fundit me Partizanin. Nga ana tjetër edhe penalltia e humbur me Tiranën në fund, edhe pse normalisht ndodhin në futboll. Por, siç e theksova më lart, duke ardhur nga një kategori më poshtë, e rëndësishme është se kanë nisur të ambientohen me Superioren dhe luajnë të barabartë, nuk ka më ekip i madh apo i vogël.

Cilët sheh si rivalët e këtij edicioni?

Rivali kryesor i Elbasanit është Partizani dhe Egnatia. Edhe pse rrogozhinasit këtë fazë nuk e kanë treguar veten sa duhet, por mendoj se do të shkojë aty ku ka qenë me afrimet e fundit dhe ato që mund të bëjë në janar. Megjithatë, nuk është më ajo e para dhe nuk ka pse ta kemi frikë, të luajmë të barabartë kur të përballemi. Kemi edhe Dinamon apo Vllazninë. Këta të fundit kanë elementë cilësorë, por ka mangësitë e saj, euforizmin dhe kjo po e dëmton jashtë mase.

Të shtunën Elbasani pret Skënderbeun, si e shihni?

Skënderbeu është një ekip i vështirë. Por, duke qenë se jemi në fushën tonë dhe kemi objektiva madhorë, mendoj se do ta mundim. Kjo nuk vjen me lehtësi, asnjëherë, por duke e vlerësuar maksimalisht nga fillimi deri në sekondën e fundit, minutën e 100, sepse futbolli luhet përtej 90-të minutave po të llogarisim shtesat. Aty shpesh herë rrëzohen ekipet, edhe pse ne nuk na ka ndodhur, diçka që në njëfarë mënyre tregon edhe përgatitjen e mirë fizike.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"