EKSKLUZIVE/ Viti 2025 nis me 3 largime nga Skënderbeu, “ngroh” vetëm qëndrimi i Rashicës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 6, 2025 | 9:17

EKSKLUZIVE/ Viti 2025 nis me 3 largime nga Skënderbeu, “ngroh” vetëm qëndrimi i Rashicës

Skënderbeu i vitit 2025 nis me tre largime zyrtare nga bardhekuqtë dhe asnjë afrim për momentin.

Skenderbeu

Kur jemi në ditët e para të grumbullimit të ekipit korçar këto janë lajmet zyrtare që vijnë menjëherë pas konfirmimeve të marrëveshjes mes palëve. Bëhet fjalë për tre futbollistë të larguar nga kampi korçar që janë sulmuesi Etien Tare, mesfushori Erolind Krasniqi dhe korçari Rei Pecani.

Burime zyrtare në klubin korçar thanë për “Panorama Sport” se sulmuesi Tare nuk është paraqitur në Korçë për t’u bashkuar me ekipin dhe ka kërkuar mbylljen e marrëveshjes unanimisht mes palëve. Kjo duket se është pranuar edhe nga stafi korçar, duke ndarë rrugët me sulmuesin pas më pak se gjashtë muajsh në Korçë. Tare tashmë pritet që të gjejë një tjetër ekip për të vijuar aventurën e tij dhe nuk përjashtohet një rikthim i tij në Austri apo në Zvicër atje ku djali i ish-sulmuesit të kombëtares ka provuat të luajë edhe në të kaluarën. Dëmtimi i gjatë dhe mungesa e hapësirave si pasojë e formës jo të mirë ndikuan te ky largim i shpejtë i Tares nga Korça duke mos lënë asnjë gjurmë.

Largimi i radhës ka qenë ai i Erolind Krasniqit, mesfushorit që u afrua me shumë bujë nga Gjermania, por nuk pati hapësirat e duhura në ekip. Klubi konfirmon se Krasniqi do të vijojë karrierën e tij Gjermani dhe se klubi ka pranuar të mbyllë kontratën në mënyrë të dyanshme duke e lënë të lirë kosovarin.

I treti në radhë ka qenë Rei Pecani, i cili është huazuar te Kukësi për pjesën e mbetur të sezonit. Korçarët kanë vlerësuar të nevojshëm për të hapur dritën e huazimit për Pecanin me qëllim që të ketë më shumë minuta në këmbë për të vijuar rritjen e tij në aspektin profesional. Me këto tri largime duket se ka nisur viti 2025 për korçarët që prej dy ditësh vijojnë përgatitjet në Durrës.

AFRIMET – Edhe pse u premtua me shumë bujë dhe zhurmë se do të kishte revolucion në këtë hapësirë transferimesh dhe të paktën 5-6 lojtarë cilësorë do të bashkoheshin me Skënderbeun nën urdhrat e Gjokës për të ndryshuar kurs dhe pozicionin në renditje të Skënderbeut ende nuk duket asgjë në horizont. Për momentin shumë bisedime dhe interesime por asgjë konkrete që nuk të le shijen e mirë për marrëveshje të shpejtë. Situata duket e ndërlikuar dhe e vështirë, pasi mungesa e afrimeve dhe largimet dukshëm kanë ulur akoma edhe më shumë forcën e ekipit për pjesën e mbetur të sezonit.

RASHICA – I vetmi lajm pozitiv në këto momente për korçarët duket se është qëndrimi, të paktën për momentin, të sulmuesit Ermir Rashica. Të njëjtat burime thanë për gazetën se Rashica do të vijojë të jetë futbollist i Skënderbeut edhe për pjesën e dytë të sezonit dhe kjo duket se gjithçka sa i përket transferimit do të shtyhet për në muajin korrik.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"