EKSKLUZIVE/ Vllaznia kërkon me çdo kusht një sulmues, shkodranët tentojnë ish-in e Partizanit
Vllaznia kërkon të afrojë me çdo kusht një sulmues në merkaton e dimrit për të zëvendësuar Bekim Balajn, apo edhe për t’u alternuar me të.
Gjysma e parë e kampionatit ka treguar qartë se sa e vështirë që të përballohen kaq shumë ndeshje vetëm me një qendërsulmues. “Panorama Sport” mëson nga burime të saj se kandidati kryesor që mund t’u bashkohet kuqebluve për fuqizimin e sulmit është një emër i njohur në futbollin shqiptar, Alfred Mensah. Ganezi që këtë sezon ka qenë pjesë e Ballkanit në Kosovë, më parë është aktivizuar disa sezone me Skënderbeun dhe më pas me Partizanin.
Sulmuesi 25- vjeçar ka luajtur shumë pak me kampionët e Kosovës dhe në këtë situatë mundësitë janë të mëdha për një lëvizje të tij te një skuadër tjetër, ku do të ketë më shumë hapësira. Drejtuesit e klubit shkodran e kanë vënë në rreth Mensah dhe sipas burimeve të gazetës i kanë bërë edhe një ofertë konkrete për ta veshur kuqeblu në vazhdim të kampionatit.
Trajneri Tomas Brdariç e ka thënë hapur se Balaj nuk mund ta përballojë i vetëm gjithë kampionatin, kështu që duhet edhe një tjetër qendërsulmues. Në verë Vllaznia afroi sulmuesin nga Gaboni, Edlin Esang Matouti, por ai ka luajtur vetëm 38 minuta, pasi ka pasur probleme fizike dhe për më tepër nuk u është përgjigjur pritshmërive të klubit. Për këtë arsye, afrimi i një sulmuesi qendre është i domosdoshëm te Vllaznia, pasi për krahët e repartit të avancuar alternativat nuk mungojnë.
KUSH ËSHTË MENSAH – Drejtuesit e Vllaznisë kanë zgjedhur Alfred Mensah si përforcim të mundshëm në merkaton e dimrit, sepse ai e njeh mirë kampionatin shqiptar dhe nuk ka nevojë për shumë kohë që të ambientohet. Sulmuesi është aktivizuar për 3 sezone me Skënderbeun dhe 2 sezone me Partizanin, duke shënuar 24 gola me këto dy skuadra. Bëhet fjalë për një sulmues që “armën” më të fortë ka shpejtësinë. Te Ballkani, ku kaloi në verë, ganezi është aktivizuar vetëm në 6 ndeshje kampionati, por në të gjitha si zëvendësues. Tani mbetet për t’u parë, nëse do të ketë një marrëveshje zyrtare mes klubit shkodran dhe sulmuesit afrikan, pasi në kohë merkatoje gjithçka mund të ndodhë.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"