EKSKLUZIVE/ “Vllaznia nuk kishte asnjë humbje në shtëpi”, Bruno Dita: Dinamo dominoi, katastrofë po të linim pikë (E PLOTË)
Fitorja 2-3 në fushën e Vllaznisë e certifikoi Dinamon si një kandidate potenciale jo vetëm për 4-shen e parë, por edhe për titullin kampion. Blutë treguan diferencë të madhe ndaj një rivali direkt, madje në fushën e tij, pavarësisht se rezultati përfundimtar shkoi në 2-3, duke sjellë edhe ndonjë drithërimë te dinamovitët. Kapiteni Bruno Dita, duke folur pas ndeshjes në “Loro Boriçi” për “Panorama Sport”, theksoi se suksesi në këtë transfertë ishte shumë i rëndësishëm për skuadrën. Si një lider i 18 herë kampionëve të vendit, Dita u shpreh se ekipi duhet të qëndrojë me “këmbë në tokë”, pasi ka një tur force deri në përfundimin të këtij viti kalendarik.
“Them se ishte një fitore plotësisht e merituar në fushën e një rivali të fortë, siç është Vllaznia. I shkaktuam humbjen e parë në shtëpi dhe kjo besoj se duhet vlerësuar. Dominimi ishte i dukshëm, nuk ka nevojë të flasim shumë, por nuk duhet të kënaqemi me kaq, sepse kemi disa ndeshje përpara dhe duhet të vijmë gjithmonë në rritje.
Dhe po të mendosh që kishim mungesa të rëndësishme, si Mandela, Bregu e të tjerë, ajo fitore merr më shumë vlera. Përveç 3 golave që shënuam, krijuam edhe shumë raste, që duhej t’i shfrytëzonim më mirë, pse jo si me Elbasanin. Përderisa rastet i krijojmë, duhet të shënojmë sa më shumë gola”, tha Dita fillimisht.
FUNDI DRAMATIK – Më tej, i pyetur për ato minuta të fundit, kur Vllaznia shënoi 2 gola, 31-vjeçari i bluve, tashmë i konfirmuar si qendërmbrojtës, u shpreh: “Nuk ishte aspak nënvlerësim nga ana jonë, sepse të tilla situata ndodhin në futboll. Vllaznia nuk kishte çfarë humbte në fundin e ndeshjes dhe u hodh e gjitha në sulm.
Donim ta ruanim zeron sa i takon golave të pësuar, ashtu si me Teutën, por ndodhi ashtu. Pësuam dy gola të shpejtë, por e rëndësishme është se e mbrojtëm 3- pikëshin. Në ato moment mendon gjithçka dhe të them të drejtën, do të ishte katastrofë, nëse do të linim pikë në atë ndeshje, që e komanduam për më shumë se 85 minuta, duke krijuar një mori rastesh për shënim. Dhe besoj se në fund janë rezultatet ato që mbahen mend”.
IZOLIMI I BALAJT – “Përballë kishim një ndër sulmuesit më të mirë të kampionatit. Nuk ishte vetëm meritë e imja dhe as vetëm e mbrojtjes fakti që Balaj nuk na rrezikoi, por e gjithë skuadrës. Të gjithë si skuadër nuk i lamë hapësira thuajse aspak kundërshtarit dhe kjo është meritë e stafit teknik, që e kishte përgatitur çdo gjë me detaje. Dhe po ashtu e djemve, që sërish them se duhet ta ngrenë nivelin, sepse i kemi mundësitë”, shtoi kapiteni i kryeqytetasve.
LAÇI – Për ndeshjen e radhës me Laçin, Dita tha: “Besoj se do fillojmë të mendojmë menjëherë për duelin e radhës, që ka vështirësitë e veta. Çdo ekip është i vështirë për t’u kaluar në Superiore, jo vetëm Laçi. Ne do të marrim masat që të arrijmë maksimumin edhe në javët e ardhshme.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"