EKSKLUZIVE/ Zbulimi i Vllaznisë, Kevin Dodaj: Ishte ëndërr, por më e mira nuk ka ardhur ende për shkodranët (E PLOTË)
Kevin Dodaj është një nga protagonistët e momentit te Vllaznia dhe një prej talenteve më premtues të kampionatit.Këtë sezon, përveçse ka zënë vend në formacion, sulmuesi e ka konkretizuar lojën e tij të mirë edhe me gola. Shënoi në fitoren me Skënderbeun në Shkodër dhe në barazimin me Egnatian në Rrogozhinë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, 19- vjeçari flet për formën e mirë që po kalon dhe grumbullimin me Kombëtaren U21.
Dodaj, goli i dytë radhazi. Si po e përjetoni këtë moment të mirë tuajin?
Uroj që të kem gjetur vazhdimësinë dhe të eci me këtë ritëm për të shënuar në çdo ndeshje. Për të ndihmuar skuadrën që të fitojë ndeshjet, sepse arritjet personale janë në plan të dytë. Më duket sikur po përjetoj një ëndërr dhe po ndjej një kënaqësi të madhe në këto momente.
Loja jote ka qenë vërtet në nivel të mirë, por tashmë edhe shënjestra është përmirësuar. Ndonjë stërvitje e veçantë?
Gjithmonë jap më të mirën në stërvitje, impenjohem maksimalisht. Po ashtu si thuajse çdo futbollist, edhe unë bëj edhe stërvitje ekstra nga ajo që mund të bëhet me grupin. Besimi që më është dhënë dhe eksperienca që po marr nga ndeshja në ndeshje besoj se kanë ndikuar pozitivisht. Dhe kjo besoj se është arsyeja që po shënoj.
Si është marrëdhënia juaj me trajnerin Brdariç, sepse shihet që është shumë afër elementit të ri. Ju jep ndonjë këshillë?
Trajneri patjetër që na këshillon të gjithëve. Na tregon edhe periudhën kur ai vetë ka qenë i ri dhe ka pasur vështirësitë e fillimit si çdo futbollist. Unë mundohem të zbatoj 100% çdo urdhër dhe këshillë të tijën. E falënderoj, sepse ai qëndron shumë pranë me çdo futbollist te Vllaznia.
Sa e rëndësishme është për ty kjo skuadër, duke qenë se je një produkt i akademisë së Vllaznisë?
Për çdo fëmijë në Shkodër është ëndërr që një ditë të luajë me Vllazninë. Edhe unë që i vogël doja t’i përjetoja këto emocione që po përjetoj tani. Të mbaj veshur fanellën e skuadrës së zemrës dhe të kontribuoj për të. Patjetër një meritë ka akademia Vllaznia, ku një sportist mëson shumë. Por gjithashtu edhe akademia “Atletik” në Shkodër, ku hodha hapat e parë të futbollit
Deri ku mund të shkojnë Dodaj dhe Vllaznia së bashku?
Unë dhe Vllaznia duhet të vazhdojmë punën me kokën ulur. Të përmirësohemi nga ndeshja në ndeshje dhe të rritemi. Besoj se ende më e mira nuk ka ardhur dhe ne duhet ta tregojmë këtë. Në fund të ditës me punë dhe sakrificë gjithçka do shpërblehet në fushën e lojës.
Tashmë edhe grumbullimi me Kombëtaren U-21…
Në çdo disiplinë sportive, apo edhe çdo fushë të jetës, të përfaqësosh kombin tënd është nder. Patjetër që është krenari e madhe dhe dua të jap më të mirën time edhe me Shpresat.
Premton gol Dodaj edhe me fanellën kuqezi?
Pse jo? Dëshira ime është shumë e madhe dhe dua të shënoj edhe me Kombëtaren U-21. Shpresoj ta realizoj në njërën nga dy ndeshjet që do kemi tani
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"