EKSKLUZIVE/ Zëvendësues për Rrapajn, Partizani kontakton ish-mesfushorin e Kombëtares

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 9, 2025 | 8:39

EKSKLUZIVE/ Zëvendësues për Rrapajn, Partizani kontakton ish-mesfushorin e Kombëtares

Partizani ka një ekip relativisht të ri dhe drejtuesit duket se po mendojnë edhe për të sjellë pak eksperiencë në skuadër.valon-ahmedi

“Panorama Sport” mëson se klubi i kuq ka krijuar kontaktet e para me Valon Ahmedin. 30-vjeçari në ditët e fundit ka shpallur divorcin me Shkëndijën dhe është në kërkim të një aventure të re. Duhet thënë se ai është një dëshirë e vjetër e Partizanit që nga viti 2018, kur ekipin e drejtonte Skënder Gega. Për arsye të ndryshme ky operacion nuk u krye dhe Ahmedi vijoi karrierën në Slloveni e më pas në Bjellorusi.

Në verën e vitit të shkuar ai u kthye te Shkëndija, pasi mbylli aventurën me Soligorsk, por në Tetovë gjërat nuk shkuan siç pritej dhe nuk luajti dot rregullisht. Kjo ishte edhe arsyeja e ndërprerjes së kontratës, me fantazistin, që tashmë ka dalë lojtar i lirë dhe është shndërruar në një opsion “luksi” për Partizanin. Këta të fundit para pak javësh mbyllën shitjen e Arinaldo Rrapajt në Ukrainë dhe shohin Ahmedin si lojtarin e duhur për të mbuluar boshllëkun e lënë nga vlonjati. 30-vjeçari luan si mesfushor i avancuar, teksa mund të bëjë mirë edhe në dy krahët e sulmit, ku Partizani ka gjithashtu nevojë.

SITUATA – Duhet thënë se Partizani është vetëm një nga opsionet e vendosura në tavolinë për fantazistin. Drejt tij janë interesuar edhe klube të tjera shqiptare, teksa aktive janë edhe dy pista në Kazakistan dhe Bjellorusi, ku edhe financat janë të një niveli më të lartë se këtu. Për të mbërritur tek Ahmedi të kuqtë do të duhet të tregohen më zemërgjerë se në zakonisht sa i përket pagës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"