EKSKLUZIVE/ Zhunior zbulon kundërshtarin e preferuar: Partizan në rritje, ja kush është rivali më i fortë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2024 | 21:46

EKSKLUZIVE/ Zhunior zbulon kundërshtarin e preferuar: Partizan në rritje, ja kush është rivali më i fortë (E PLOTË)

Megjithëse aktual isht Partizani nuk ka asnjë Brazilian në skuadër, në të shkuarën talenti i këtij vendi nuk ka munguar. Dhe një nga brazilianët më të mirë ka qenë padyshim Stenio Zhunior, që me talentin dhe disiplinën e tij ishte një shembull në fushë dhe jashtë saj.

stenip

Nga Tailanda e largët, ku vijon karrierën e tij, Stenio flet ekskluzivisht për “Panorama Sport”, ku flet rreth punës dhe jetës në Azi, si dhe komenton rrugëtimin e Partizanit. Ai zgjedh rivalin e tij të preferuar dhe kundërshtarin e madh të të kuqve këtë sezon.

Stenio, po luani dhe jetoni në Tailandë prej dy vitesh. Si po ju shkon atje?

Çdo gjë po shkon shumë mirë. Është një vend me shumë ndryshim nga Europa sa i përket kulturës, por me një klimë shumë të favorshme për ne brazilianët. Po e shijoj vërtet jetesën dhe të luajturit këtu.

Në merkaton e verës së shkuar u transferuat në klubin e Rajong, duke u kthyer në ligën e parë. Ishte lëvizja e duhur?

Po, është një zgjedhje shumë e mirë dhe të kthyerit në ligën kryesore është shumë interesante për shkak të cilësisë që ka. Gjithashtu është një mundësi shumë e mirë për të parë mundësi për të ardhmen.

Ju po jetoni në një shtet shumë më të madh se Shqipëria, por a ju mungon diçka nga këtu?

Të them të drejtën Tailanda më ka bërë të ndihem mirë dhe familja ime gjithashtu po e shijon jetën këtu. Kjo është shumë e rëndësishme për mua. Por ndoshta ajo që më mungon nga Shqipëria janë njerëzit me të cilët krijova miqësi. Kam respekt maksimal për secilin.

E keni ndjekur Partizanin? Si ju është dukur rrugëtimi i tyre që kur jeni larguar?

Të jem i sinqertë nuk kam mundur ta ndjek me shumë hollësi, por kam parë ecurinë e lojtarëve me të cilët unë kam luajtur atje. Kam parë se kanë përparuar mjaft mirë, çka është edhe ajo që një klub si Partizani meriton. Një emër si Partizani, me aq shumë tituj ndër vite, meriton gjithnjë të jetë në krye dhe të luftojë për tituj.

Besoni se kjo skuadër mund të dalë kampion si dy vite më parë?

Është herët të thuash nëse mund t’ia dalë apo jo, por çka dihet është se gjithçka varet nga puna e tyre. Nëse ata duan të qëndrojnë në krye, duhet të punojnë më fort se vjet. Nëse do të punojnë fort, mendoj se do të mund të jenë kampionë në fund të sezonit.

Cili është lojtari më i mirë me të cilin keni luajtur te Partizani?

Mund të përmend Jasir Asanin, Erald Çinarin dhe Ferhan Hasanin.

Partizani sfidon Skënderbeun këtë javë, kush është favoriti?

Të luash kundër Skënderbeut në Korçë është gjithmonë një sfidë e vështirë, por besoj se Partizani, pavarësisht mungesave që ka, mund të kthehet në Tiranë me një rezultat pozitiv.

Kush mendoni se është rivali më i madh i këtij Partizani?

Nëse flasim për rivalë, Tirana do të jetë gjithnjë aty, por nëse flasim për kundërshtarët aktualë, besoj se Egnatia është skuadra që ka shënuar një përmirësim të madh në vitet e fundit dhe është rivalja më e madhe e Partizanit në kampionat.

Kush ishte kundërshtari juaj i preferuar kur luanit në Shqipëri dhe a ju ka mbetur ndonjë “peng”?

Besoj se performancat më të mira i kam pasur kundër Dinamos dhe nuk kam ndonjë “peng”. Kam bërë detyrën time, gjithnjë duke respektuar shokët e mi dhe aq më shumë klubin. Gjithnjë respekt ndaj gjithsecilit atje.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"