EKSKLUZIVE/ Ish-kapiteni kampion, Pisha është i bindur për cilësitë e bluve: Dinamo, fito derbet dhe je për titull! (E PLOTË)
Dinamo e këtij sezoni është shumë më ndryshe, një pretendente e denjë, jo vetëm për pjesëmarrjen në “Final 4”, por edhe për titullin kampion.
Ngritja e bluve në lojë dhe rezultate është evidente nga java në javë, edhe pse me mungesa të rëndësishme titullarësh këto ndeshjet e fundit. Nga gjysma e parë e kampionatit ka mbetur për t’u luajtur vetëm java e fundit dhe sigurisht që një konkluzion i saktë mund të jepet, duke iu referuar asaj që Dinamo ka dhënë në fushë. Arjan Pisha, ish-kapiten i bluve për shumë vite, në një intervistë për “Panorama Sport” thekson se skuadra ka bindur në fushë. Ishmbrojtësi gjykon se Dinamo ka kapacitetet për të fituar titullin, por për ta bërë këtë gjë i duhet të fitojë edhe derbet, pra të mundë edhe Tiranën dhe Partizanin.
Arjan, çfarë mendoni për Dinamon e këtij sezoni, duke iu referuar asaj që kjo skuadër ka dhënë deri tani në kampionat?
Dinamo më ka pëlqyer, të them të drejtën, sidomos në ndeshjet e fundit. Pa dyshim që është një nga pretendentet kryesore për të shkuar në 4-she, por edhe për të qenë në vend të parë. E them këtë, sepse ka vërtet një skuadër me kualitet, që e ka rritur shumë lojën dhe kjo gjë të jem besim për të bërë akoma më mirë. Ka një mënyrë të qartë loje dhe rezultatet që ka marrë nuk janë rastësi. E pamë në Shkodër që dominoi totalisht, me përjashtim të atij tolerimi të pakuptimtë në minutat e fundit.
Çfarë ka ndodhur, sipas jush, që kjo Dinamo ka marrë fytyrën e një skuadre pretendente?
Janë shumë gjëra që janë bashkuar mendoj. Grupi i lojtarëve është me cilësi dhe kjo kuptohet nga fakti që po fitojnë edhe tani që kanë mungesa. Trajneri ka ndikimin e vet patjetër, Dinamo ka rregulluar lojën mbrojtëse, që e ka pasur defekt më përpara. Ka krijuar stabilitet dhe kjo është shumë e rëndësishme. Pa përmendur shumë emra, do të thosha se ka fatin të ketë në skuadër një lojtar si Zabërgja, një nga më të mirët e kampionatit. Është një lojtar i rrallë dhe është luks ta kesh në skuadër. Unë do të shtoja edhe investimin që ka bërë presidenti Bardhi, një njeri shumë i përkushtuar edhe pasionant për t’i dhënë gjithçka Dinamos.
Po përfundon gjysma e kampionatit tashmë, sa shanse ka realisht kjo skuadër për të fituar titullin pas kaq shumë vitesh?
Mendimi është se Dinamo duhet të luftojë fort për të marrë vendin e parë, sepse i ka të gjitha mundësitë. Nuk është larg, vetëm 2 pikë dhe me lojërat që po zhvillon na ka bindur se mund të bëjë më shumë sesa thjesht pjesëmarrja në “Final 4”.
Jemi në javën e derbit me Tiranën. Si e parashikoni këtë ndeshje?
Ndeshjet derbi ndoshta janë “prova” e fundit që kjo Dinamo duhet të kalojë, sepse për të fituar titullin kampion në Superiore duhet të fitosh edhe derbet me Tiranën dhe Partizanin. Deri tani nuk ka marrë asnjë fitore në derbi dhe këtë fundjavë besoj se do ta kalojë edhe këtë pengesë, duke fituar me Tiranën. Fitoret në derbet me dy rivalët e kryeqytetit do të ishin edhe një konfirmim për gjithçka thashë, do t’i jepnin Dinamos akoma më shumë moral për të marrë maksimumin nga ky sezon.
Tirana po vuan këtë sezon, mund të jetë një favor për Dinamon në derbin e kësaj jave?
Jo, nuk e mendoj kështu, sepse derbet mbeten derbe gjithmonë, pavarësisht situatave që kalojnë skuadrat. Tirana, për të së vërtetës, ka shfaqur probleme si në lojë, ashtu edhe në rezultate. Nuk të bind me atë që jep në fushë, një skuadër me stacione të shkëputura nga njëri-tjetri, nuk prodhon lojë dhe e ka të vështirë të shkojë te goli. Por në derbi mund të ndryshojë gjithçka. Unë do të uroja që klubi të bëjë ndërhyrjet e duhura në merkaton e janarit, sepse duket që skuadra ka nevojë për më shumë cilësi. Unë them se kampionati ynë ka nevojë për Tiranën, siç ka për Partizanin, Dinamon, Vllazninë, Elbasanin e ndonjë tjetër.
Katërshja e parë sikur është shkëputur pak në krye. Këto skuadra do ta diskutojnë titullin, apo mund të ketë ndonjë surprizë?
Nuk do ta përjashtoja as Elbasanin, edhe pse është pak prapa me pikë. Ka një skuadër të mirë dhe besoj se edhe me ndihmën e tifozëve do të ngrohet. Por katërshja e parë duket më e konsoliduar. Partizani është ekip i fortë, stabël, Egnatia është kampione në fuqi, për Dinamon folëm dhe po ashtu edhe Vllaznia ka të njëjta synime.
FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"