Elbasan i tjetërsuar, sa larg ecurisë së vjetshme! Verdheblutë përballen me realitetin në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2024 | 17:23

Elbasan i tjetërsuar, sa larg ecurisë së vjetshme! Verdheblutë përballen me realitetin në Superiore

Edhe pse vinte si debutues, Elbasani hyri me pretendime të mëdha këtë sezon në elitë. Objektivi i vendosur nga drejtuesit ishte dhe mbetet “Final 4”, ndaj për këtë arsye vendosën të shpenzojnë jo pak në merkato për të përforcuar skuadrën.

Koreografia e tifozëve të Elbasanit në ndeshjen e djeshme

Koreografia e tifozëve të Elbasanit në ndeshjen e djeshme

Mirëpo, deri më tani verdheblutë janë shumë larg pritshmërive që kanë pasur në fillim, teksa shohin se vendi i katërt i është larguar me gjashtë pikë dhe nga ana tjetër kanë plot tetë ndeshje që nuk fitojnë. Një situatë nga e cila verdheblutë kërkojnë të dalin me çdo kusht, në mënyrë që të jenë deri në fund në garë për arritjen e objektivave.

KRAHASIMI
Dihet se elita ka një tjetër standard me Kategorinë e Parë dhe në Elbasan e kishin të qartë se nuk do të ishte e lehtë për të qenë në krye, siç bënin një sezon më parë. Mirëpo, nuk mendohej që do të kishin kaq shumë diferenca në 15-të javët e para. “Panorama Sport” i ka bërë një vëzhgim ecurisë së verdhebluve vitit të kaluar në të Parën kur pretendonin Superioren dhe këtij sezoni, ku synojnë Europën. Shifrat nuk janë aspak optimiste për ekipin e drejtuar nga Roberto Bordin, sepse është plot 15-të pikë më pak sesa ai i vjetshmi që drejtohej nga rivali i tij i nesërm, Nevil Dede.

dfgfdgdfgfdgfdgfdg

Elbasani aktual ka grumbulluar vetëm 18-të pikë dhe është në vendin e pestë, përkundrejt 33 të një sezoni më parë, kur mbanin vendin e dytë. Sa i përket golave të shënuar dhe të pësuar, edhe këtu diferencat janë të mëdha me 31-17 dhe 13-16. Sa i përket fitoreve, kishin marrë tri pikët në dhjetë raste vitin e kaluar, përkundrejt tre të tillave këtë edicion, ku duket se diferencën e kanë bërë pikërisht barazimet e shumta. Sa i përket pikëve për ndeshje, elbasanasit koleksiononin një mesatare prej 2.2 në një ndeshje sezonin e kaluar, ndërsa këtë vit vetëm 1.2 për ndeshje. Gjithsesi, duhet pranuar se bëhet fjalë për dy nivele të ndryshme dhe në njëfarë mënyre shifrat pritej të kishin diferenca, ndonëse jo në këto përmasa.

ANTI-BYLIS
Koha nuk pret dhe Elbasani nuk ka shumë kohë për të bërë llogari në këto moment, pasi nesër luan ndaj Bylisit në shtëpi. Një ndeshje deri-diku vendimtare për fatet e skuadrës, sepse një fitore e rifut sërish në shina dhe bën të harrohet kriza e deritanishme, ndërsa një humbje apo barazim tjetër i zhyt edhe më thellë. Si për koiçidencë, fitorja e fundit e verdhebluve është ndaj mallakastriotëve dhe në Elbasan shpresojnë që të përsërisin sfidën e kaluar kur edhe dolën me tri pikë. Përballë do të kenë një njohje të vjetër, trajnerin që i ngjiti në Superiore, Nevil Deden.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"