Elbasani 2 muaj pa fitore, Bordin e pret me Tiranën! Italiani: Duhet të jemi më të fortë
Elbasani pret këtë të diel Tiranën në një ndeshje ku nevojitet patjetër fitorja. Në të kundërt gjërat mund të vështirësohen më shumë për elbasanasit, duke vënë në rrezik serioz objektivat e sezonit.
Verdheblutë nuk fitojnë prej 6 ndeshjesh radhazi në kampionat dhe në një farë mënyre janë nën presionin e pikëve, për më tepër që luajnë në shtëpinë e tyre dhe çdo hap fals është i ndaluar. Aktualisht Elbasani mban vendin e 5-të në renditje, me 17 pikë, 3 më pak se zona “Final 4”. Në daljen para mediave pas ndeshjes së Kupës me Ilirinë, ku të tijtë fituan 3-1, trajneri Roberto Bordin foli edhe për përballjen e së dielës me Tiranën.
Ai theksoi se stimujt për të dalë me tri pikë nga kjo sfidë janë maksimalë. “E dimë të gjithë rëndësinë e ndeshjes me Tiranën. Të gjithë e presim dhe në fushë duhet të tregojmë që jemi më skuadër, më të gatshëm. Në Kupë disa gjëra ndodhën, disa jo dhe kjo gjë nuk është e mirë. E dimë që në fundjavë luajmë në fushën tonë me një skuadër të rëndësishme dhe besoj se stimujt do të jenë në maksimum”, u shpreh fillimisht kreu i stolit elbasanas.
KRITIKAT Mungesa e rezultateve dhe ndonjëherë edhe loja jo e mirë, ka bërë që për skuadrën e Elbasanit të ketë shumë kritika. Trajneri italian i kupton ato, por thotë se i ka pëlqyer reagimi i lojtarëve në Laç. Për të kjo është e rëndësishme për vazhdimësinë, ndërsa me Tiranën pret autokritikën. “Kritikat qëndrojnë, kur nuk ke rezultate. Bëmë një ndeshje të mirë në Laç, ku mendoj se meritonim diçka më shumë me situatat që ndodhën. Mund të kishim një penallti më shumë në favor në atë ndeshje, pas 10 sekondash. Ishte një ndeshje e rëndësishme pas një humbjeje të rëndë që kishim pësuar në shtëpi. Ishte një reagim që e prisnim të gjithë dhe erdhi. Por tani duhet të jemi të fortë dhe të zotë për ndeshjen e radhës”, vijoi më tej trajneri Roberto Bordin.
SKEMA Në të gjitha ndeshjet e deritanishme Bordin ka qenë fanatik i skemës 3-5-2. Edhe pse kjo skemë nuk ka dhënë rezultatet që priteshin, tekniku italian nuk ka hequr dorë. Në Kupë ndaj Ilirisë ai luajti me një 4-3-3, duke dhënë indicie se mund ta aplikojë atë edhe në kampionat kundër Tiranës. Ai e lë të hapur si mundësi, por gjithnjë duke pasur parasysh edhe lojtarët që do të ketë të gatshëm. “Ishte i sforcuar ky ndryshim skeme, por edhe mund të ndodhë gjatë sezonit. Varet shumë nga ndeshjet dhe nga kundërshtari. Sistemi i lojës në Kupë ka qenë pak i detyruar, për shkak se disa lojtarë janë stërvitur veçmas”, e mbylli prononcimin e tij italiani i stolit verdheblu.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"