Elbasani dominon qipriotët në miqësore, por verdheblutë hasin vështirësi për golin
Elbasani ka barazuar pa gola në miqësoren e parë në tokën greke kundër qipriotëve të Ethnikos Aknas, aty ku po vijon fazën e mbetur përgatitore.Trajneri Roberto Bordin po i shfrytëzon në maksimum këto ndeshje për të krijuar një ide më të qartë rreth lojtarëve që po stërvit në skuadër dhe për të kristalizuar formacionin. Edhe në këtë sfidë italiani e rreshtoi skuadrën me tre mbrojtës: Musta, Telushi, Lulaj, për të vazhduar me K.Kasën dhe Lilën nga krahët, por që më shumë shohin përpara. Mesfusha iu besua Dros dhe Hilës në qendër, ndërsa Melo me Ze Gomesh ishin në mbështetje të Gjonit në fazën ofensive.
NDESHJA – Përballja do të niste e qetë, me Elbasanin që pak e nga pak mori në dorë “frenat” e lojës dhe ushtroi presion të vazhdueshëm në zonën kundërshtare. Verdheblutë dolën mirë nga krahët me K.Kasën dhe Lilën, duke harkuar topa në zonë, por sulmuesit elbasanas nuk u treguan të saktë në mundësitë e tyre. Ze Gomesh ishte një rrezik konstant dhe shërbeu njëkohësisht mirë për shokët e ekipit, por në 3-4 momente portieri qipriot u kthye në hero, duke evituar gola të sigurt. Në anën tjetër, ekipi verdheblu ishte i vendosur mirë në fushë dhe nuk la hapësira në prapavijë, ndonëse qipriotët u përpoqën me kundërsulme.
E para u mbyll me një Elbasan dominues, por pa gola. Në të dytën trajneri Bordin nisi me zëvendësimet dhe aktivizoi thuajse të gjithë lojtarët. Ritmi ra dhe ekipet ishin më të kujdesshëm, ndoshta duke iu druajtur ndonjë dëmtimi. Në tërësi ishin elbasanasit më kërkues, por pa ia dalë ta gjenin golin. Është mbyllur kështu 0-0 kjo ndeshje, ndërsa Bordin mbetet i pathyeshëm në miqësore, me 2 fitore dhe 2 barazime. Verdheblutë kanë programuat edhe një test tjetër gjatë qëndrimit në Greqi.
VLADIMIR MEMA–PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"