Elbasani, me tifozë në Selanik për miqësoren e luksit ndaj… Arisit
Deri më tani Elbasani ka matur forcat në miqësore me skuadra që militojnë një kategori më poshtë dhe me Bylisin, që në letër nuk ka pretendime të mëdha në elitë. Rezultatet e verdhebluve kanë qenë deri diku të kënaqshme, dy fitore dhe dy barazime.
Megjithatë, janë parë gjëra për t’u përmirësuar, sidomos në aspektin ofensiv, ku ekipi krijon shumë, por i mungon saktësia para portës kundërshtare. Forca reale e verdhebluve do të shihet ndoshta më qartë në miqësoren e sotme me Arisin e Selanikut, në orën 19:00. Bëhet fjalë për një nga skuadrat elitare dhe me potencial në kampionatin helen. Ndonëse në letër elbasanasit janë inferiorë, kjo ndeshje shihet si një test gjeneral për një skuadër që këtë sezon do të pretendojë trofe në Superiore, ose të paktën një vend mes katër më të mirave. Nga ana tjetër, ky test do t’i shërbejë trajnerit Roberto Bordin për të kristalizuar edhe formacionin, të paktën për ndeshjen e javës së parë ndaj Skënderbeut.
Deri më tani italiani ka bërë jo pak eksperimente, ku duket se dilemat më të mëdha i ka në mbrojtje, ku herë ka provuar skemën me katër lojtarë dhe herë me tre. Dilema ka në të gjitha repartet edhe për faktin se tanimë verdheblutë kanë luksin të kenë dy formacione të gatshme dhe kuptohet që lufta për një vend titullari është e madhe. Për këtë arsye, testi me Arisin shihet si shumë i rëndësishëm për të parë progresin dhe për të kuptuar se cilët do të jenë titullarët.
TIFOZËT – Për Elbasanin nuk ka kuptim një ndeshje pa tifozë, pavarësisht se ku luan. Për këtë arsye, klubi ka marrë masat që edhe në Selanik të jenë prezentë tifozët elbasanas, duke arritur marrëveshjen me klubin vendas për të hapur një sektor të veçantë vetëm për ta. Fakti që në Selanik ka një numër jo të vogël emigrantësh shqiptarë dhe për më tepër elbasanas, bën që të shpresohet se në stadium do të ketë përkrahës të skuadrës verdheblu. Sakaq, mësohet se edhe nga qyteti i Elbasanit tifozët janë organizuar me mjetet e tyre private për të udhëtuar drejt Selanikut për të përkrahur ekipin e tyre të zemrës.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"