Elbasani në krizë, Merxha: Ju tregoj problemin e skuadrës
Gjashtë javë pa fitore, mes tyre pesë barazime dhe një humbje, janë shumë për një Elbasan që këtë sezon ka hyrë me pretendime të mëdha. Investimet kanë qenë të shumta, por duket se ekipi po vuan për të marrë fitoret në fund. Ajo që shihej si arma më e fortë, ndeshjet në shtëpi, verdheblutë nuk i kanë shfrytëzuar dot, duke lënë pikë mjaft të vlefshme për klasifikimin.
Për ish-futbollistin dhe trajnerin, Eriol Merxha, pikërisht ndeshjet brenda janë kthyer në problemin kryesor të verdhebluve, kjo në sajë të kundërshtarëve. Në analizën që bën për “Panorama Sport”, Merxha flet edhe sesi mund të dalë skuadra nga ky ngërç, duke mos preferuar ta quajë krizë.
“Ndeshjet më të shumta i ka pasur në fushën e tij dhe ekipet e tjera janë shumë të motivuara kur luajnë kundra Elbasanit. Ndoshta është edhe faktori fushë që e bën më të këndshëm sportin, duke ditur që ka shumë tifozë. Kemi parë që çdo skuadër ka luajtur fort kundër Elbasanit, ka dështuar javën pasardhëse, sepse kanë dhënë mbi maksimalen dhe ky është realitet”, flet në nisje të bisedës së tij për gazetën ish-kapiteni i verdhebluve.
PROBLEMI NË SULM – Eriol Merxha pohon se Elbasanit i ka munguar efikasiteti në sulm deri më tani dhe nëse ky problem zgjidhet, atëherë do të vijnë edhe fitoret. “Përjashto ndeshjen me Dinamon që ka qenë një ditë e keqe, faza mbrojtëse ka qenë shumë mirë në përballjet e tjera, por nuk ka bërë mirë në fazën e sulmit.
Nëse do të arrihet një barazpeshë edhe në sulm si ekip, ashtu si edhe në mbrojtje, do të jemi më mirë dhe rezultatet do të vijnë. Këtë javë u zhbllokua edhe sulmuesi kryesor dhe mbase do të bëjë më mirë në vazhdimësi tani. Edhe dëmtimet janë faktor i rëndësishëm, sepse nuk kanë qenë asnjëherë çdo javë të njëjtit lojtarë”, vijoi më tej ish-trajneri i Elbasanit.
NGËRÇI – Përpos të gjithave, Merxha e sheh me optimizëm të ardhmen e skuadrës, pasi nuk evidenton probleme, por thjesht një ngërç që do të kalojë.
“Unë mendoj se me një fitore mund të rikthehemi sërish të fortë për të rivalizuar për vendet e para. E shoh thjesht një ngërç dhe nuk më duket se ka probleme, sepse edhe në sulm nuk i mungojnë lojtarët cilësorë, ndonëse nuk kanë dhënë aq sa duhet. Të gjithë duhet të ndërgjegjësohen për ekipin ku luajnë dhe të bëjnë më të mirën, që të mos zhgënjejnë edhe tifozët dhe ta shohin ndoshta si një rikthim me Tiranën”, mbylli prononcimin e tij për gazetën Eriol Merxha.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"