“Elbasanin e njohim pak, gati për fitore”. Gvozdenoviç tregon planin e klubit: Duhet një Skënderbe rentabël

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 19, 2024 | 13:18

“Elbasanin e njohim pak, gati për fitore”. Gvozdenoviç tregon planin e klubit: Duhet një Skënderbe rentabël

Skënderbeu është gati për ndeshjen e parë të kam pionatit kundër Elbasanit, që do të luhet sot në orën 20:00 në stadiumin e Korçës. Si zakonisht, në konferencë për mediat ka dalë numri një i stolit bardhekuq, Ivan Gvozdenoviç, i cili kërkon ta nisë me fitore duelin e parë të sezonit.

GVOZDENOVIC

Trajneri foli edhe për objektivin e Skënderbeut këtë sezon, ndërsa theksoi se skuadra ka një projekt që të promovojë sa më shumë talente dhe t’u dhurojë tifozëve argëtim dhe futboll të bukur. Gvozdenoviç bëri edhe një mesazh për tifozërinë, duke e ftuar që ta mbështesin sa më shumë ekipin gjatë këtij kampionati.

Ivan, sot fillon sezoni i ri edhe për ju. Është gati Skënderbeu?

Po, ne jemi gati për ndeshjen e parë në shtëpi kundër Elbasanit, por jo vetëm për këtë. Jemi gati për të gjithë kampionatin, për të 36 javët, Kupën dhe “Final 4”. Nuk mendoj vetëm për sot, por për gjithë sezonin. Sigurisht që java e parë është ajo që ka më shumë rëndësi për momentin dhe ne jemi përgatitur shumë mirë. Jemi të qetë dhe për gjithçka kemi treguar do të flasim vetëm pas ndeshjes.

Si e pret skuadra startin e kampionatit, a ka emocione para kësaj ndeshjeje të parë?

Patjetër, kemi pak, pasi futbolli është një lojë me emocion dhe me energji brenda. Kemi emocione, por ama do të jemi me zemër dhe me tru për të luajtur si duhet dhe të mendojmë vetëm pozitivisht.

Rivali i parë është Elbasani, sa e njihni?

Elbasani ka emër të madh në Shqipëri dhe kemi respekt. I ndoqa në një test miqësor që kanë luajtur me Arisin në Greqi, kemi pak informacion. Do të shohim në fushë se çfarë do të bëjmë. Pres të japim maksimumin.

A jeni i kënaqur me lëvizjet e klubit në merkato deri tani?

Po, jam i kënaqur. Kemi katër lojtarë që janë larguar dhe kanë firmosur jashtë. Merkato është e hapur deri në fund të gushtit dhe deri atëherë do të presim se çfarë do të ndodhë. Nuk besoj që të kemi largime të tjera, por shpresoj shumë që të kemi edhe dy lojtarë të afruar në këtë hapësirë të mbetur të merkatos.

Deri tani në miqësoret e zhvilluara, keni provuar më  së shumti lojtarët që kanë qenë te Skënderbeu. Kjo tregon se afrimet nuk janë ende gati për të qenë titullarë?

Mendoj se të gjithë janë gati për të luajtur. Unë kam 25 lojtarë shumë të mirë dhe një pankinë të fortë që do të ndihmojë skuadrën gjatë sezonit. Lojtarët e tjerë duan edhe pak kohë për të qenë titullarë. E rëndësishme është që do të tregojmë forcën tonë në çdo ndeshje.

Kush e zëvendëson në mesfushë Liçon e larguar?

Ne kemi 7 mesfushorë dhe kemi shumë alternativa. Për momentin Juri është më afër si lider i mesfushës, por që kemi lojtarë të tjerë që mund të na hyjnë në punë për gjithë sezonin, për të bërë mirë. Kemi cilësi në mesfushë dhe për këtë jam i bindur.

A mund të flasim për objektivat e Skënderbeut?

Objektivi jonë është që të rrisim lojtarë dhe të kthejmë klubin rentabël. Pra, të vijojmë projektin tonë dhe ky është objektivi i Skënderbeut në këtë sezon.

A keni një mesazh të fundit para nisjes së kampionatit?

Po, kam një mesazh për tifozët, të cilët i falënderoj për mbështetjen e sezonit të kaluar. Do të jemi sërish bashkë dhe kështu jemi më të fortë. Presidenti gjithashtu është me ne dhe na jep shumë pozitivitet. Preferojmë që për momentin të flasim më shumë në fushë.

LLAZI SARO- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"