Emiliano Vila është i bindur: Kjo Teutë do të jetë më sulmuese se vjet
Lojtari i Teutës, Emiliano Vila, ka folur për “Panorama Sport” pas ndeshjes miqësore më Laçin. Sipas tij, ekipi duhet të shënonte më shumë, ndonëse është i kënaqur më paraqitjen që bëri skuadra. Ai pranoi se gjërat do të jenë më mirë në këtë sezon të ri dhe skuadra do të ndryshojë shumë në krahasim me sezonin e kaluar.
Si e patë Teutën në provën ndaj Laçit?
Ekipi është rritur. Ekipi po përgjigjet shumë mirë. Në këtë përballje, zhvilluam në tërësi një ndeshje shumë të mirë ku mund të shënonim më shumë, por ka ende vend për përmirësim. Trajneri po mundohet të na përshtatë me stilin e lojës sulmuese dhe ne po punojmë për këtë.
Ju kemi parë në disa pozicione. Ku ju pëlqen më shumë të luani?
Roli im natyral është mesfushorë, por mund të luaj në çdo pozicion ku do të më vendosë trajneri. Preferenca ime është të ndihmoj ekipin. Në fund të sezonit do të shohim gjithçka.
Sa dëshirë kishe për t’u rikthyer te goli?
Ekzistonte një dëshirë e madhe për të shënuar. Të gjithë po bëjmë një punë të mirë, merrem vesh me shokët. Goli i djeshëm më motivon akoma më shumë për ecur përpara dhe të ndihmoj ekipin.
Çfarë ka ndryshuar tek Teuta e sezonit të ri?
Kanë ndryshuar shumë gjëra. Trajneri e njeh ambientin, por ka ide të reja. Jemi të bashkuar. Të gjithë në fitore edhe në humbje. Jemi si një familje, si një trup i vetëm dhe veprojmë po si një trup i vetëm, jo të veçuar. Këtë sezon besoj se do të bëjmë mirë dhe jemi në rrugën e duhur, të cilën do ta vazhdojmë, duke mos u dorëzuar. Të gjithë së bashku jemi shumë të fortë.
Në aspektin personal, çfarë synimesh keni me Teutën?
Synimi im është që të bej paraqitje më të mira se sezoni që lamë pas, dhe së bashku me skuadrën të arrijmë ato objektiva që ka vendosur klubi.
ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"