Ende nuk ka debutuar me Barcelonën, Shezni pranon verdiktin
Vojçek Shezni nënshkroi për Barcelonën në fillim të tetorit për shkak të dëmtimit afatgjatë të kapitenit Ter Shtegen. Portieri veteran polak, i cili sapo kishte dalë në pension, vendosi të rikthehej në profesion pas thirrjes nga Barcelona, ende nuk e ka bërë debutimin e tij për Barçën.
Hansi Flik e konsideron Injaki Penjën si portierin e padiskutueshëm titullar dhe ish-portieri 34-vjeçar i Juventusit është në pritje të shansit të tij. Polaku dëshiron të luajë sërish, por ai e kupton plotësisht situatën e tij dhe e mbështet vendimin e trajnerit gjerman.
“Nuk e fsheh faktin se po të isha trajner i këtij klubi do të luaja po aq ndeshje që kam luajtur deri më tani (zero). Është e vështirë për mua të jem i zhgënjyer me këtë situatë, sepse jam dakord me të (trajnerin Flik) 100%” tha Shezni për “Eleven Sports”.
Ishportieri i Arsenalit, mik i madh i Robert Levandovskit, i është dashur pak kohë për të rikuperuar nivelin e nevojshëm për konkurrencë të lartë dhe konsideron se është gati të rikthehet mes shtyllave. “Nuk e di se kur do të bëj debutimin tim. Fillimisht më duhej të rikuperoja aftësinë time fizike dhe kjo ishte gjëja më e rëndësishme. Tani ndihem plotësisht i përgatitur për të luajtur, si fizikisht ashtu edhe mendërisht. Unë isha gjithashtu i ri në skuadër dhe e di se nuk është e lehtë të gjesh vendin tënd”.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"