Erzeni di të fitojë vetëm në Kupë, Valbona me mendjen te kampionati. Luga: Mora përgjigje pozitive nga ekipi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2024 | 15:14

Erzeni di të fitojë vetëm në Kupë, Valbona me mendjen te kampionati. Luga: Mora përgjigje pozitive nga ekipi

Erzeni di të fitojë vetëm në Kupën e Shqipërisë, pasi në kampionat shijakasit ende nuk e kanë provuar shijen e trepikëshit. Takimi i luajtur dje në stadiumin “Tofik Jashari” ndërmjet Erzenit dhe Valbonës, i vlefshëm për turin e dytë të Kupës, ka përfunduar me rezultatin 2- 1 për vendësit.

erzeni valbona

Golat u shënuan në minutën e 66-të nga Duraku dhe në të 81-ën nga Juri. Ndërsa për tropojanët shënoi Krasniqi në minutën e dytë shtesë. Erzeni në raundin e tretë të Kupës do të përballet me Dinamon, por vëmendja mbetet te mbijetesa në kampionat.

NDESHJA- Të dy trajnerët hodhën në fushë jo gjithë formacionin bazë, duke ruajtur forca edhe për ndeshjet e fundjavës në kampionat, ku kanë edhe prioritetet. Pjesa e parë ka qenë e luftuar nga të dy ekipet, por rastet për shënim kanë qenë të pakta. Shijakasit kanë tentuar në të 8’ dhe të 26’. Në të 37’ Lajthia ka tentuar të shënojë, por portieri Hoxha nuk e ka lejuar. Dy minuta më vonë, Alinani për miqtë godet në drejtim të portës vendase, por Arevalo largon topin. Fraksion i dytë ka qenë më i bukur se i pari, ku erdhën edhe 3 gola. Ndërrimet te Erzeni kanë funksionuar mirë. Gol i parë u shënua nga Duraku në minutën e 66-të. Erzeni sulmon nga e djathta dhe Duraku me kokë e dërgon topin në rrjetë, 1-0. Goli i dytë shënohet me të njëjtën skemë si i pari, por kësaj radhe nga krahu i majtë dhe është Jori ai që godet saktë dhe e dërgon rezultatin në 2-0. Goli i miqve vjen në minutën e dytë të shtesës me autor Krasniqin.

Vladimir Gjoni- Trajneri i Valbonës, Vladimir Gjoni, pas ndeshjes për gazetën tha: “Jam i qetë, sepse Kupa nuk ishte objektivi ynë. Vëmendja jonë është në kampionat, ku ndeshjen e radhës do ta luajmë në shtëpi”.

 

 

ERZENI – VALBONA 2-1

GOLAT: Duraku 66′, Jori 81’/ Krasniqi 90+2′

ERZENI: Arevalo, Kola, Kortes, Jori, Shani (Baruti 71′), Bespallov, Shehu (Brahja 71’), Isteri, Xheka (Duraku 59′), Marinaj (Akibu 59′), Lajthia(Zeneli 82′).(Në dispozicion: Dema, Gjoni, Hodo) Trajner: Ergys Luga

VALBONA: Hoxha, Farruku, Lala, Lamçe, Zeqiraj, Mashi, Alinani (Aluku 56′), Balla(Kovaçi 60′), Uesli (Kamilo 67’), Laval (Llanaj 56′), Vidrica (Krasniqi 56′). (Në dispozicion: Marku, Udo, Doçi) Trajner: Vladimir Gjoni.

Kartonë të verdhë: Baruti 90+1’

Gjyqtarë: G. Sulko, S. Met’hoxha, E. Malo (Lushnjë)

Vëzhgues: Servet Bogdani (Durrës)

Delegat: Marjo Kërtusha (Durrës)

Luga: Përgjigje pozitive nga ekipi

Erzeni ka treguar në ndeshjen e Kupës se ka vlera dhe potenciale për të bërë më mirë në edhe kampionat. Ergys Luga, trajneri i Erzenit, pas ndeshjes u shpreh: “Valbonën e vlerësuam, edhe pse ishte një ndeshje  Kupe. Mora përgjigje pozitive nga skuadra, që u shpreh shumë mirë në fazën sulmuese. Me ndryshimet në formacion në pjesën e dytë, mendoj se reaguam mirë dhe realizuam dy gola. Tani, pas kualifikimit do të luajmë me Dinamon, një emër i madh në futbollin shqiptar”.

ALBERT ALIKO- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"