Erzeni-Korabi, sot ora 16:00/ Shijakasit pa asnjë pikë. Trajneri Canaj “qan” shënjestrën e gabuar të dibranëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2024 | 10:10

Erzeni-Korabi, sot ora 16:00/ Shijakasit pa asnjë pikë. Trajneri Canaj “qan” shënjestrën e gabuar të dibranëve

Sezoni i ri futbollistik po rezulton për momentin një ekuacion pa zgjidhje për Erzenin. Pas tri javëve të para Erzeni rezulton si skuadra e vetme e Kategorisë së Parë që ende nuk e ka marrë pikën e parë.

Agim Canaj

Madje shijakasit mbeten edhe në kërkim të golit të parë, pasi golavarazhi i tri javë të luajtura është 0-4. Nisur nga zhargoni vendasi, i bie që Erzeni ndodhet mes “katër rrugëve” të Shijakut. Shpresohet që të dielën të besuarit e trajnerit Justin Bespalla të gjejnë rrugën e duhur për të dalë nga kjo minikrizë dhe për të nisur vërshimin e pritur. Të dielën, ora 16:00, Erzeni pret Korabin në “Tofik Jashari”. Ky është një takim mes dy ekipeve që ende nuk kanë shënuar në këtë sezon.

Korabi, trajneri Canaj “qan” shënjestrën e gabuar të sulmit

Korabi pas 270 minutave të para në kampionat, mbetet sërish në pritje të fitores së parë. Dibranët do të ndeshen të dielën, ora 16:00, në Shijak kundër Erzenit për llogari të javës së katërt. Në tri takimet e luajtura, ata nuk kanë mundur të gjejnë rrugën e rrjetës dhe të shijojnë fitoren. Korabi ka barazuar 0-0 me Lushnjën në Peshkopi, ka humbur 0-1 kundër Besës në Kavajë dhe 0-0, së fundi në derbin e prefekturës kundër Burrelit.

Kjo ecuri në start nuk përkon me atë që Korabi ka dhuruar në sezonet e fundit. Këtë të diel, dibranët do të luajnë ndaj Erzenit në Shijak dhe lidhur më këtë ndeshje, trajneri Agim Canaj pranoi se reparti i sulmit nuk ka konkluduar siç duhet para portës kundërshtare. Me gjithë problematikat e hasura dhe me disa lojtarë të dëmtuar, dibranët po punojnë që sulmuesit të korrigjojnë shënjestrën. Për “Panorama Sport”, trajneri Canaj deklaroi: “E kam thënë gjithmonë, çdo ndeshje ka rëndësinë e saj. Gjatë këtyre tri javëve të para, ajo që na shqetëson më shumë është se pavarësisht se jemi mbrojtur shumë mirë, në fazën sulmuese kemi pasur problematika.

Në të tria ndeshjet e para nuk kemi arritur të shënojmë asnjë gol. Kjo na ka sjellë vështirësi në këto ndeshje, por po mundohemi dhe po punojmë shumë për të ndrequr ketë. Ndryshimet e shumta në skuadër dhe dëmtimet e disa lojtarëve kanë dhënë efektet e veta. Shpresojmë që në çdo ndeshje të përmirësohemi. Edhe kundër Burrelit luajtëm shumë mirë edhe në fazën e sulmit, por goli na mungoi. Shpresojmë të çlirohemi në ndeshjet pasardhëse, duke filluar nga sfida e radhës me Erzenin”.

SH. HASANI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"