Erzeni mbeti “thatë” në Burrel, vendosi penalltia e Farrukut. Bicaj: Jo rastësisht në vend të katërt. Luga: Ndeshja u vendos nga një episod
Burreli merr tre pikë “të arta” në fushën e vet përballë Erzenit, që mbyll tabelën e klasifikimit në Kategorinë e Parë. Skuadra matjane fiton me rezultatin 1-0, me gol të shënuar nga kapiteni Farruku në minutën e 19-të nga pika e bardhë e penalltisë të fituar nga Dushkaj.
Ndeshja i pati të gjitha brena, grintë, nervozizëm dhe luftë sportive, por janë vendasit ata që e nisin në sulm. Shijakasit patën rastet e tyre, madje edhe pas pësimit të golit nuk demoralizohen. Ata tentojnë të barazojnë, por mbrojtja matjane dhe portieri Dani nuk do e lejojnë. Pjesa e dytë është më ekuilibruar, por Erzeni mori në duar frenat e lojës në disa momente, por nuk arrin të gjejnë hapësira për të barazuar. Të dy trajnerët bëjnë zëvendësime të shumta, por rezultati nuk ndryshon deri në fund.
Bicaj- Trajneri i Burrelit, Ditmar Bicaj, pas ndeshjes tha: “Jam i kënaqur me fitoren dhe lojën e Burrelit. Mund ta mbyllnim ndeshjen duke mos i dhënë mundësi kundërshtarit, që na vuri në vështirësi në disa momente. Fryma e grupit është arma kryesore e këtij ekipi. Kampionati është i gjatë dhe Burreli nuk është rastësisht në vendin e 4-të, sepse që nga fillimi i kampionatit e deri më tani kemi treguar rritje në të gjitha aspektet. Burreli luan çdo ndeshje si finale”.
Luga- Ergys Luga, trajneri i Erzenit, pas takimit u shpreh: “Ndeshja ishte e barabartë dhe u vendos nga një episod. Deri në fund të kampionatit do të luajnë gjithçka për gjithçka. Në këto ndeshje që unë kam drejtuar Erzenin, loja e skuadrës sa vjen dhe rritet. Edhe pse jemi të fundit në tabelën e klasifikimit ne do të tentojmë deri në fund pasi ka ende shumë javë kampionat”.
BURRELI – ERZENI 1-0
GOLI: Farruku 19′(11-m)
Burreli: Dani, Fetaj, Shkalla, Muriel, Zhunior(Ramos 63′), Xhakaj, Osikel, Hoti (Musolli 77′), Arango (Murra 63′), Dushkaj, Farruku. Trajner: Ditmar Bicaj
Erzeni: Dema, Dialo (Xheka 78′), Baruti (Kola 78′), Shani, Zaimaj, Jori, Hodo (Marinaj 78′), Migone, Brahja, Bespalla (Radovani 57′), Oulare (Isteri 64′). Trajner: Ergys Luga
Kartonë të verdhë: Shkalla 48’/Oulare 61′
Gjyqtarë: B.Dragusha, J.Podgorica (Shkodër), E.Muça(Lezhë)
Vëzhgues: Engjëll Pjetrushi (Lezhë) /Delegat: Dritan Kadia (Tiranë)
FATOS LAMAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"