Erzeni ndal Lushnjën, Magani: Rezerva për fushën dhe liderët. Çira: Një pikë që vlen sa për tri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 7, 2024 | 15:00

Erzeni ndal Lushnjën, Magani: Rezerva për fushën dhe liderët. Çira: Një pikë që vlen sa për tri

Barazim pa gola në sfidën e së shtunës pasdreke mes Lushnjës dhe Erzenit. Shijakasit gjejnë pikën e parë pas 6 humbjeve radhazi në kampionat, ndërsa verdhejeshilët regjistrojnë barazimin e tretë pa gola. Takimi prodhoi shumë emocione dhe raste, sidomos për Erzenin, por rrjetat mbetën të paprekura.

lushnja erzeni

NDESHJA – Në minutën e 9-të, Lushnja i afrohet golit, teksa kapiteni Magani vertikalizon saktë topin për Ololan, me këtë të fundit që godet përballë portierit, por Dema grushton. Erzeni përgjigjet në të 13-ën, por goditja e Hodos pritet nga Alimuçaj. Momenti më i bukur i pjesës së parë vjen në minutën e 37-të. Goditje dënimi për Erzenin, kroson Migone, topi goditet me kokë nga jashtë zonës, prej argjentinasit Jori, por Alimuçaj zgjatet dhe devijon me njërën dorë, me topin që prek traversën dhe përfundon jashtë. Në pjesë e dytë Lushnja është pranë golit që në minutën e 47-të, por Kamisoko nuk arrin të devijojë. Në të 49-ën, Jori tenton nga një goditje dënimi, por Alimuçaj devijon në korne.

Në të 54-ën është Lushnja që godet traun e portës shijakase. Kroson kapiteni Magani dhe Hida godet me kokë, me topin që stampohet në traversë. Në të 57-ën Erzeni humbet një mundësi të mirë për të marrë avantazhin. Pas goditjes së dënimit, Jori ul me kokë për Shanin, që përballë portës vendase kthen fort, por topi përfundon jashtë. Në minutën e parë shtesë tenton Hodo nga jashtë zone dhe Alimuçaj devijon në korne. Kështu gjithçka mbyllet në barazim pa gola, me Erzenin që merr pikën e parë, ndërsa Lushnja në një ditë jo të mirë nuk shënon në ndeshjen e tretë radhazi.

Gugash Magani – Trajneri i Lushnjës, u shfaq i zhgënjyer pas barazimit ndaj Erzenit. “Ishte një ndeshje e dobët nga ana jonë. Pjesa e parë la shumë për të dëshiruar. Në të dytën, mendoj se reaguam më mirë. Nuk është tragjedi që të merr pikë një skuadër si Erzeni, pavarësisht se është në këto pozita, ka shumë histori. Futbolli i ka të tre rezultatet dhe më shumë nga të gjithë, rezultatin e dua unë. I mirëkuptoj edhe tifozët, megjithatë, kjo është puna jonë. Do të mbajmë edhe presionin. Tek e fundit, trajneri i mirë është kur ka rezultat”, u shpreh fillimisht Magani, teksa më tej shtoi: “Kjo periudhë e pushimit do të na bëjë shumë punë për të reflektuar. Kam rezerva edhe për fushën që përligj atë pjesë për organizimin e lojës.

Kam rezerva edhe për lojtarët që duhet të jenë lider në fushë. I patë edhe ndërrimet, ku luajta gjithçka për gjithçka, për ta marrë fitoren. Por, kështu e ka futbolli. Po nuk shënove nuk mund ta marrësh 3-pikëshin”. Në fund Magani foli edhe për kontestimin e tifozëve dhe për të ardhmen: “Në këto momente që unë po flas, jam për të mos thënë njeriu më i urryer për futbollin, te disa nga tifozët. Pavarësisht se zemërimi ishte në kor, gjithsesi, unë do të vazhdoj punën, pasi kam bërë një kontratë morale me vete time. Nëse Lushnja do të jetë në këto pozita deri në dhjetor, atëherë nuk ka nevojë. Unë jam trajner që nuk tërhiqem zvarrë dhe nuk mbaj peng një skuadër siç është Lushnja”.

LUSHNJA – ERZENI 0-0

LUSHNJA: Alimuçaj, E. Magani(Tabaku 72’), Disha, Hida, Meta, Joti(Xhemalaj 46’), Kamisoko, Deliaj, Uillfried, Xhabrahimi(Kaçanolli 82’), Olola(Xherrison 57’); (Në dispozicion: Haremi, Koreshi, Januzi, Muça, Hysa). Trajner: Gugash Magani

ERZENI: Dema, Dialo, Jori, Shani, Gjoni, Migone, Isteri(Bespalla 76’), Zaimaj(Xheka 61’), Duraku(Akibu 76’), Mamadu(Marinaj 66’), Hodo; (Në dispozicion: Arevalo, Baruti, Shehu, Radovani, Braja, Lajthia). Trajner: Ismail Çira

Kartonë të verdhë: Hida 36’, Disha 54’ / Diallo 29’, Dema 61’, Xheka 88’, K.Bespalla 90’+1’

Gjyqtarë: E.Rusta, M.Salla, D.Memelli(Elbasan)/VAR: D.Maletaj (Tropojë), O.Yzeiraj(Patos)

Delegat: Eduart Gjini(Tiranë); VËZHGUES: Fatmir Tare(Durrës);

Trajneri i Erzenit

Ismail Çira: Një pikë që vlen sa për 3

Në ndeshjen e parë në pankinën e Erzenin, trajneri Ismail Çira mori një rezultat pozitiv në transfertë, që ishte dhe pika e parë e sezonit për shijakasit. “Ekipi ishte mobilizuar gjatë gjithë javës. Kemi bërë një stërvitje shumë intensive. Edhe javën që kaloi luajtëm mirë, pavarësisht nga rezultati. Ne jemi të kënaqur me të gjithë çunat. Po bëjnë stërvitje intensive dhe ndjehen shumë të lumtur nga stërvitja. Po e japin dhe po e shprehin në fushën e lojës. Në këtë ndeshje na u dha mundësia për të marrë tri pikë. Por gjithsesi, kur merr një pikë jashtë është si të marrësh tri pikë. Lushnja është ekip i mirë, pavarësisht nga rezultati. Shpresojmë të shkojë mirë e më mirë edhe për Lushnjën”, u shpreh Çira.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL     

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"