Erzeni-Pogradeci, ora 13:30/ Luga: Shpresoj të marrim atë që meritojmë në fushë! Liqenorët vijnë me dy mungesa
Takimi Erzeni-Pogradeci i programuar për t’u luajtur të shtunën e kaluar në orën 13.30 në stadiumin “Tofik Jashari” të Shijakut, është shtyrë për shkak të reshjeve të dendura të fundjavës.Takimi është përcaktuar për t’u luajtur sot në të njëjtin orar dhe për këtë kanë rënë dakord të dy klubet. Ndërkohë që seancat stërvitore anti-Pogradec janë zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Sipas programit të detajuar nga tekniku Ergys Luga, ato kanë zgjatur rreth 90 minuta, të zhvilluara paradite. Ndërkohë që mesfushori Zaimaj dhe mbrojtësi Gjoni janë në dyshim për shkak lëndimi, trajneri Luga pohon se stafi mjekësor beson shumë që ata të jenë gati për këtë sfidë.
Takimi me pogradecarët do të jetë mjaftë interesant. Erzenit kërkon të marrë pikët maksimale dhe gradualisht të ngjitë shkallët e renditjes. Kjo shihet qartë dhe në gatishmërinë që kanë futbollistët për këtë takim. Për teknikun Ergys Luga, dy ndeshjet e fundit komentohen kështu: “Normalisht kjo javë nuk na ka shkuar sipas planit, sepse na ka ndryshuar mikrociklin javor të përgatitjeve. Ndeshja u shty dhe na duhet te përballemi me dy ngarkesa për të mërkurën, dhe ndeshjen e fundjavës me Kastriotin. Kemi rishikuar ndeshjen dhe e kemi përpunuar me aq mundësi sa kemi pasur, por uroj dhe shpresoj që në këto dy ndeshje të fundit të fazës së parë, të marrim atë që meritojmë në fushën e lojës”, thotë për gazetën trajneri i shijakasve.
Ndryshe nga ndeshjet e kaluara, në sfidën e sotme përballë Erzenit në transfertë, Pogradecit do t’i mungojë për shkak të kartonëve Kastrati dhe Raza, megjithatë Mema pritet t’i besojë Kapllanit nga minuta e parë.
Barazimi i arritur në ndeshjen e fundit ndaj Korabit në transfertë, shton oreksin e vendësve për të marrë tri pikët, çka do të ngushtojë diferencën me rivalin më të afërt plus katër me Valbonën. Ndërkohë që liqenorët me humbjen e pësuar ndaj Burrelit në fushën e tyre, kërkojnë me çdo kusht që të mos dalin pa pikë nga fusha e vështirë e Shijakut. Ajo që vlen të theksohet është, se skuadra liqenore në shtatë ndeshje të zhvilluara deri më tani në transfertë, renditet e fundit me një pikë me golavarazh negativ – 9 (2-13). Pika e marrë në transfertën ndaj Besës në “Egnatia Arena” tregon se me besim te vetja çdo gjë arrihet.
ALBERT ALIKO/NDERIM GOCI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"