Erzeni-Valbona, “lumenjtë” nuk dalin dot nga shtrati. Trajneri Luga: Na mungon lojtari gol, besoj tek ekipi im

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 2, 2024 | 13:47

Erzeni-Valbona, “lumenjtë” nuk dalin dot nga shtrati. Trajneri Luga: Na mungon lojtari gol, besoj tek ekipi im

Takimi Erzeni-Valbona, i zhvilluar të shtunën në “Tofik Jashari” të Shijakut përfundoi me rezultatin e barabartë 1-1. Përballja u prit me shumë interes nga tifozëria vendase, me shpesën që Erzeni do të merrte fitoren e parë, gjë e cila nuk ndodhi sërish.

ERZENI VALBONA

Shijakasit shënuat të parët me Akibu, por Llanaj barazoi dhe me këto dy gola u mbyll i gjithë takimi, ku të dy ekipet ruajnë pozicionet në fund të renditjes.

NDESHJA- Erzeni e nisi mbarë takimin, pasi e gjetën golin që në minutën e 12-të me Akibu. Mbrojtësi Baruti pasi shmangu një kundërshtar pasoi tek Akibu, që prapa shpinës së mbrojtjes, godet bukur dhe 1-0. Zgjohen miqtë, që i afrohen portës në të 16-ën me Farrukun, por shpërdoroi. Erzeni kërkon golin e sigurisë, por mungon qetësia para portës tropojane. Kapiteni Migone dhe Isteri nuk shfrytëzuan rastet për shënim. Terreni i rënduar nga reshjet e shiut e uli ritmin e të dy ekipeve.

Minuta 34, Lamçe me një kundërsulm të shpejtë pason te Llanaj në krah të majtë, që e kontrollon mirë topin, hyn në zonë dhe përballë portierit Dema godet saktë, 1-1. Në fund të kësaj pjese, Akibu ka qenë pranë golit të dytë, por topi del jashtë. Pjesa e dytë nisi me ritëm nga të dyja ekipet kundërshtare, ku rastet për shënim janë prezent si tek Erzeni, por edhe te Valbona. Fillimisht miqtë në të 48-ën rrezikojnë me Vidricën, të cilit i vjen një top nga e majta, por nuk ia del të shënojë. Në të 50-ën, Laval mund të kishte ndryshuar rezultatin bë favor të miqve. Shijakasit nuk e ulin ritmin, ku shfrytëzuan edhe ndërrimet e kryera nga trajneri Luga, që freskon ekipin. Një rast ideal pati Lajthia në të 87-ën, por nuk arriti të shënojë. Loja ka qenë e luftuar, por deri në fund mbeti në fuqi barazimi 1-1, ku të dy “lumenjtë” nuk dolën dot nga shtrati i tyre.

 

ERZENI – VALBONA 1-1

GOLAT: Akibu 12’/ Llanaj 34′

ERZENI: Dema, Jori (Brahaj 65′), Baruti, Gjoni(Durraku 75′), Shani,  Migon, Isteri(Shehu 75′), Hodo, Kola(Diallo 61′), Bespallov (Lajthia 61′), Akibu; (Në dispozicion: Arevalo, Kortes, Marinaj, Xheka, Halilaj).  Trajner: Ergys Luga

VALBONA: Hoxha, Zeqiraj, Lamçe(Udo 88′), Farruku (Doçi 58′), Lala, Alinani (Kamilo 82′), Llanaj, Laval, Vidrica(Balla70′), Aluku (Uesli 82′); (Në dispozicion: Rosaj). Trajner: Osman Qelia

Kartonë të verdhë: Jori 43′, Baruti 52′, Gjoni 72′ / Vidrica 43’, Alinani 70’

Gjyqtarë: A. Stolaj (Tiranë), K. Zefej (Lezhë), K. Shehu(Tiranë)

Vëzhgues: Engjëll Pjetrushi (Lezhë)

Delegat: Engli Kokona (Tiranë)

Luga: Na mungon lojtari gol

Ergys Luga, trajneri i Erzenit, pas ndeshjes u shpreh:Na duhej patjetër fitorja, por shpërdoruam raste. Goli erdhi si rezultat i punës që kemi bërë në seancat stërvitore. Më vjen keq që pësuam një gol për një gabim milimetrik. Ne prodhojmë lojë, krijojmë raste të pastra, por ekipit i duhet lojtari gol. Duhet të përqendrohemi te vazhdimësia. Unë vazhdoj të besoj te të mitë”.

ALBERT ALIKO- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"