Erzeni zbret Besën nga froni/ Josa: Dominuam, por shpërdoruam shumë. Luga: Ekipi mu përgjigj, pikë motivimi për ecurinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2024 | 14:46

Erzeni zbret Besën nga froni/ Josa: Dominuam, por shpërdoruam shumë. Luga: Ekipi mu përgjigj, pikë motivimi për ecurinë

Erzeni ka marrë pikën e parë në kampionat nën drejtimin e trajnerit Luga, që barazuan pa gola në shtëpi ndaj Besës. Kavajasit janë detyruar që me këtë frenim të lëshojnë vendin e parë, pasi janë parakaluar nga Vora. Erzeni-Besa, i zhvilluar në stadiumi “Tofik Jashari” ngjalli një interesim të veçantë për shkak të pozicionit që mbanin të dy skuadrat në renditje.

erzeni besa

Erzeni, pas pikës në transfertë me Lushnjën dhe ndryshimit në drejtim në pankinë, kishin ndryshuar për mirë në këtë takim. Kjo u pa edhe në ndeshjen e luajtur në mesjavë. Kualifikimi në Kupë me trajnerin Ergys Luga dha sinjalin e parë për ecurinë e shijakasve. Takimi nisi i qetë për të dy ekipet deri në minutën e 10-të, përveç një rasti të minutës së 3-të. Kapiteni i Besës, Mazrekaj, pasi ka marrë një goditje dënimi në krahun e djathtë, godet në mënyrë të gabuar duke çuar sferën jashtë kuadratit. Një pjesë e parë, ku skuadra vendase më shumë u mundua të mbrohej se sa të sulmonte. Trajneri Luga studionte lojën e miqve të ardhur nga Kavaja dhe ndryshon modulin e lojës në 5-4-1. Duhet thënë, se Besa shpërdoroi raste të pastra për shënim.

Pjesa e dytë– Që në fillim u pa qartë se skuadra e Erzenit kërkonte më shumë në këtë takim. Pas pushimit, trajneri Luga bën një zëvendësim në start. Nga fusha del Marinaj dhe në vend të tij hyn Akibu. Tashmë loja e Erzenit është më e bukur se ajo e fraksionit të parë. Shijakasit i janë afruar disa herë portës të Besës, por pa gjetur rrugën e rrjetës duke shpërdoruar raste të pastra për shënim. Në këtë pjesë, i vetmi rast i pastër ishte ai minutës së 76-të, kur njëri nga futbollistët e Besës godet nga distanca topin që shkon pranë vijës fatale, por Marinaj e largon duke shpëtuar portën shijakase.

Këta të fundit kanë zhvilluar një lojë fantastike, duke zbatuar detyrat e dhëna nga trajneri Ergys Luga. Kjo u pa gjatë gjithë lojës në mbulimet e lojtarëve më të mirë të Besës, si kapiteni Mazrekaj dhe Spahiu. Këtyre nuk u është lënë hapësirë për të shënuar duke i lënë në hije. Gjatë javës, drejtuesit e Erzenit kishin punuar shumë në stërvitje dhe frytet e punës u panë në fushë. Kjo ka qenë surpriza e javës të 8-të. Erzeni frenon kryesuesen e trajnerit Mirel Josa, që tashmë ka zbritur nga froni.

ERZENI – BESA 0-0

ERZENI: Dema, Baruti, Dialo, Gjoni(Bespallov 80′), Shani, Jori, Isteri, Marinaj(Akibu 46′), Zaimaj (Oulare69’), Migone, Hodo (Duraku 80′). (Në dispozicion: Arevalo, Radovani, Brahja, Kola, Shehu, Lajthia). Trajner: Ergys Luga

BESA: Mehidri, Frashëri, Kapo, Abdullai, Nurja, Mëllugja,  Olivera (Ibrahimi 89’), Stafa(Gjinaj 65′), Mazrekaj,  Kanu (Kurt Mert 66′), Spahiu (Aleksandre78’) (Në dispozicion: Ahmetaj, Perja, Nkube, Deliu, Ramilli, Meçja). Trajner: Mirel Josa

Kartonë të verdhë: Gjoni 40′, Akibu 67′, Migone 83’, Duraku 88′, Shani 90’/Abdulai 78′, Nurja 83′, Mëllugjaj 90′

Gjyqtarë: D. Maletaj, Xh. Rroshi, K. Shehu (Tiranë)

Delegat: Mario Kërtusha (Durrës)

Vëzhgues: Prek Pjetrushi (Lezhë)

Erzeni

Luga: Ekipi mu përgjigj, pikë motivimi për ecurinë

Trajneri i Erzenit, Ergys Luga, pas barazimit 0-0 me Besën, për “Panorama Sport” u shpreh: “Ekipi shfaqi vlera ndaj Besës dhe kjo vjen si pasojë e stërvitjes së mirë. Skuadra mu përgjigj në të tria repartet, ku Besës i mbyllëm zonat e rrezikshme, pasi kanë lojtarë driblues të një niveli shumë të mirë. Na mungoi finalizimi, ndërsa në pjesën e dytë ishim disi më mirë kjo edhe nga zëvendësimet që bëmë. Çdo gjë shkoi sipas planit, por ishim të pafat në shënimin e golit. Uroj që skuadra të vazhdojë të më përgjigjet si tani, kuptimin e mirë të fjalës jam në siklet për përzgjedhjen e formacionit. Skuadra po tregohet shumë konkurruese dhe uroj që ky barazim me kryesuesen të na shërbejë si motivim, që Erzeni të ketë një vazhdimësi më të mirë në ndeshjen e radhës në transfertë ndaj një rivali”.

Besa

Josa: Dominuam, por shpërdoruam shumë

Trajneri Mirel Josa e kishte paralajmëruar që para ndeshjes që Besa në Shijak do të kishte një nga transferta më të vështira. Realisht e tillë rezultojë përballja me Erzenin, ku për shumë arsye Besa nuk arriti që të shënonte. Fusha ishte në disfavor të kavajasve, pasi kanë lojtarë që e qarkullojnë poshtë topin, por trajneri Josa nuk e quan justifikim, pasi edhe skuadrat e tjera kanë luajtur në atë terren dhe ia kanë dalë. “Jam i kënaqur nga ekipi. Dominuam lojën dhe patëm raste shënimi, por nuk u treguam të saktë. Nuk e çmoj terrenin si shkaktar të barazimit, pasi aty kanë luajtur edhe të tjerët. I patëm shanset dhe nëse do të kishim shënuar, atëherë fitorja jonë do të ishte e sigurt”, u shpreh Josa për “Panorama Sport”. F.FERIZAJ

ALBERT ALIKO- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"