Esat Mala e bën formacionin “ekuacion” me dy të panjohura, Brdariç projekton skuadrën anti-Teuta
Vllaznia do të presë Teutën në javën e 14-të të Superiores.Shkodranët, që vijnë pas katër rezultatesh pozitive radhazi, nuk duan të ndalen dhe të vijojnë në këtë ecuri. Përballë publikut të tyre ditën e shtunë në orën 17:00, do të kërkojnë maksimumin në betejën kundër durrsakëve. Për këtë arsye, edhe trajneri Brdariç duket se ka hartuar formacionin titullar për duelin e radhës.
MUNGESAT – Mungesë e sigurt është ajo e Krymit, që u dëmtua në miqësoren e javës së shkuar ndaj Arsenal Tivat. Fillimisht u raportua se koha e rikuperimit të tij pritej të zgjatë 3-4 javë, por klubi i Vllaznisë dëshiron ta rikuperojë në kohë rekord mesfushorin dhe për këtë arsye ka vendosur ta dërgojë në Serbi. “Panorama Sport” zbulon se sot Krymi udhëton drejt klinikës së terapistes me famë, Marjana Kovaçeviç, që në zhargon është quajtur “magjistarja”. Është po e njëjta mjeke, që ndihmoi edhe Bekim Balajn para një muaji.
MBROJTJA – Në repartin e prapavijës, Melos Bajrami ka fituar hierarki brenda skuadrës shkodrane. Kështu, njëri mes Juriç dhe Stojanoviç duket se do ta nisë nga stoli ndaj Teutës, me serbin të avantazhuar ndaj kroatit. E nga krahët e prapavijës të paprekshëm duken Gurishta në të djathtë e Jago majtas.
MESFUSHA – Në mesfushë, ai që shihet si zëvendësuesi direkt i Krymit është Sala. Megjithatë do të shikohet me vëmendje këto ditë edhe forma e Deliut, që është rikthyer nga dëmtimi. Repartin e mesfushës pritet ta kompletojnë Qato dhe Kahrimanoviç. Por opsion tjetër është edhe zbritja e Malës në mesfushë, duke ulur në stol Kahrimanoviç.
SULMI – Në këtë mënyrë nga krahët do të luajnë Gruda dhe Dodaj. Të cilët do të mbështesin sulmuesin kryesor të ekipit, Bekim Balaj. Të gjithë këto variante të lojës janë provuar nga Brdariç dhe vetëm ditën e shtunë do të merret vesh 100% .PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"