Esat Mala përsëri vendimtar: Vllaznia është në rritje, goli si çlirim për mua

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2024 | 22:28

Esat Mala përsëri vendimtar: Vllaznia është në rritje, goli si çlirim për mua

E sat Mala rikthehet të bëjë atë që di më mirë, të shënojë dhe të tregohet vendimtar për Vllazninë. Sulmuesi hapi siparin e golave në betejën kundër Egnatias, e fituar 3-1 në Shkodër. Pas ndeshjes ai foli për “Panorama Sport”, ku nuk e kurseu kënaqësinë për golin dhe fitoren, që sipas tij i jep tjetër hov skuadrës.

mala

Hapët siparin e golave dhe festuat gjatë, kishte ndonjë arsye?
E nisëm lojën shumë mirë, duke fituar çdo dyluftim. Normalisht që u kënaqa me shënimin e golit, pasi më mungonte prej kohësh. Për më tepër, edhe pse i dhashë ekipit një ndihmesë më shumë, për këtë ishte edhe ajo festë.

Ndiheni më i çliruar pas këtij goli?
Normalisht që ndihëm mirë. Jam ndier mirë edhe gjatë fazës përgatitore dhe takimeve të para. Kur shpërblehesh me gol, ndihesh edhe më mirë, pasi goli përkthehet në ndihmesë për skuadrën.

Çfarë ndryshoi te kjo Vllazni kundër Egnatias?
Ne po tregonim nga ndeshja në ndeshje se ishim në rritje. Po kombinomin më mirë dhe po funksionim më mirë. Mendoj se edhe sot (dje) e treguam me lojë dhe fitore se ishim më mirë dhe kishim dëshirën dhe grintën për çdo top. Falënderoj edhe tifozët që na mbështetën, sepse ishin një shtysë e madhe për ne.

Do të vijojë kjo ecuri pozitive edhe në takimin e radhës?
Besoj se po, pasi kur vjen pas fitores, edhe entuziazmi është më i lartë. Është një transfertë e vështirë, pasi Durrësi është një ekip i vështirë, por nëse japim maksimumin mund të arrijmë te më e mira.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"