Fabio Kapelo analizon Milanin: Trajnerit Fonseka i duhet kohë, por ekipi ka probleme me shumicë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2024 | 13:35

Fabio Kapelo analizon Milanin: Trajnerit Fonseka i duhet kohë, por ekipi ka probleme me shumicë

Një moment shumë i vështirë te Milani. Pas nokautit të shëmtuar në Champions kundër Liverpulit, tashmë ka një hije zëvendësimi në stol dhe të dielën është derbi ndaj Interit. Fabio Kapelo, ish-trajneri i kuqezinjve, ka dhënë një intervistë të gjatë për “La Gazzetta dello Sport”. Tema është Milani, pankina e Fonsekës, Ibrahimoviç dhe problemet që mundojnë “Djallin”. Shumë spunto nga fjalët e 78-vjeçarit dhe në vijim deklaratat e tij të plota.

kapelo

Ishit nga ata që komentuan negativisht paraqitjen e Milanit në Champions…

Sepse kisha një mendim të caktuar që me Venecian. Edhe ajo ishte një ndeshje aq jonormale, saqë i lejoi Milanit të luante në qetësi të plotë, pasi rezultoi 2-0 pas një çerek ore. Megjithatë, ndërsa shumë ishin të emocionuar, vura re se shumë herë Venecias iu hap rruga drejt portës kuqezi. Si gjithmonë fundja në ndeshjet e sivjetshme të Milanit. Pastaj përpara i doli Liverpuli dhe…

Dhe çfarë?

Kur të tjerët rrisin ritmin, ne italianët vuajmë. Gjithmonë. Liverpuli theksoi mangësitë organizative dhe teknike, sidomos kur bëhej fjalë për t’u mbrojtur. Është e paimagjinueshme që dy lojtarë rivalë u lejuan të kërcejnë të pashqetësuar para portës, edhe pse Fonseka më siguroi se kishte dhënë udhëzime për markime një për një.

Cilat janë boshllëqet më të mëdha të kuqezinjve?

E keni parë që kur Liverpuli rriti presionin, Milani nuk mund të dilte qoftë edhe një herë përpara? Rivalët ia merrnin gjithmonë topin. Boshllëk kryesor është organizativ por edhe teknik. Dhe këtu duhet të dalë disi në mbrojtje të Fonsekës. Lojtarët që bëjnë si fenomenë në Itali, kanë probleme veçanërisht kundër ekipeve angleze ose me ritëm anglez.

A ka përgjegjësi Ibrahimoviç për merkaton?

Duhet të pyesim të gjithë drejtuesit e Milanit. E dëgjova shefin në TV (Ibrahimoviç padyshim). Ai thotë se është në bosi, apo jo? Pra, ka edhe njëfarë përgjegjësie….

A mungon një lider te Milani?

Sigurisht! Shtojmë edhe faktin se në ekip nuk ka asnjë nga ajo mesfushë që ka fituar titullin. Nëse fiton, duhet përmirësuar baza e jo ta shkatërroni atë. Vitet e fundit kanë ardhur gjysmësulmues e sulmues të dytë. Dhe ku është organizatori? Por problemi prek shumë role. Sidomos atë të pykës.

Po prandaj u mor edhe Morata…

Zhiru është 9-sh i mirëfilltë, Morata është diçka tjetër. Morata nuk është “pykë”. Një ndryshim taktik i këtij lloji duhet të studiohet nga klubi dhe trajneri.

Përse ka shumë probleme mesfusha?

Reijnders pati një Kampionat Europian të shkëlqyer, Loftus di të luajë, por ende nuk është e qartë se ku, Pulisiç është një sulmues mjeshtëror. Dhe përsëri: në të djathtë ka probleme dhe klubi shkon shet Kalulunë, i cili është menjëherë titullar në Juventus dhe luan shkëlqyeshëm me PSV-në. Nuk e kuptoj se çfarë po ndodh. Nuk e di nëse disa nuk janë në nivel Milani apo nëse konteksti është i gabuar. Unë shoh njëmbëdhjetë lojtarë të shpërndarë në fushë, jo një ekip. Dhe kjo që nga viti i kaluar.

Po Leao, çfarë përgjegjësie ka?

Rafa ndonjëherë të bën të humbësh durimin, por është i vetmi që di të bëjë gjëra të ndryshme. Ndoshta e kemi pritur paksa shumë, herë na acaron e herë është fenomen. Me të ke një më pak në fazën e mbrojtjes, por diçka e tillë mund të pranohet nëse në sulm bën gjëra të veçanta si Ronaldo.

Çfarë parashikoni për të ardhmen e Fonsekës në rast humbjeje në derbi?

Jam i habitur nga shkarkimi i De Rosit: nëse ke bërë gjysmë revolucioni, duhet t’i japësh kohë, jo ta dëbosh pas katër ndeshjes. Fonsekës gjithashtu duhet t’i jepet kohë. Por tani është radha e tij.

Çfarë duhet të bëjë Fonseka?

Të hyjë në kokën e lojtarëve. Unë nuk mendoj se ata kanë tensionin e duhur konkurrues. Duket sikur janë të papërgatitur me situata të ndryshme në lojë nga ato në stërvitje. Pas skudetos u mungonte shpirti, sikur u ngopën. Tomori dukej fenomen, sot vuan jashtëzakonisht. Ndoshta Ibrahimoviç mund të karikojë disi atë dhe lojtarët e tjerë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"