“Fajtorë të gjithë, skuadra s’ka lidhje me futbollin fierak”/ Dimo: Apolonia jo ekip, por ndërmarrje që stërvit njerëz

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2024 | 12:50

“Fajtorë të gjithë, skuadra s’ka lidhje me futbollin fierak”/ Dimo: Apolonia jo ekip, por ndërmarrje që stërvit njerëz

Për Amarildo Dimon, ish-kapitenin e Apolonisë, starti i kampionatit është nga më “të tmerrshmit” e mundshëm, pasi kanë marrë 5 pikë nga 21 të mundshme. Gjithashtu, loja e skuadrës lë shumë për të dëshiruar në shtatë javët e para.amarildo dimoPër “Panorama Sport”, ai pohon se Apolonia nuk ngjason me një ekip futbolli, por ndërmarrje që stërvit disa njerëz. Nuk ka nevojë për koment për të gjetur fajtorët për këtë situatë të vështirë, pasi janë të gjithë fajtorë, nga i pari deri tek i fundit.

Apolonia ka marrë 5 pikë nga 21 të mundshme. Si e vlerësoni startin?

Të tregohem i sinqertë, starti është nga më të tmerrshmit e mundshëm, pra jashtë çdo lloj parashikimi. Mund të ishte edhe më keq, nëse nuk do të fitonin në Kukës, që mbetet e vetme në 7 javë kampionat. Pra, është rrjedhojë e strategjisë së dobët, objektivave që nuk kanë, ndonëse shprehen për Superioren dhe ambientin, që nuk është më i miri.

Çfarë mendoni se nuk ka shkuar si duhet në shtatë takimet e para?

Lë shumë për të dëshiruar loja kolektive e skuadrës, që nuk ka luajtur as një 90-minutësh të vetëm mbi nivelin mesatar. Nuk më ka pëlqyer dhe nuk ka bindur asnjëherë në 7 javë kampionat. Si pasojë e lojës së dobët kanë ardhur rezultatet zhgënjyese, në shtëpi dhe në transfertë. Pastaj “thembra e Akilit” nuk ka nevojë për shumë filozofi. Mendoj se nëse nuk ka investime, nuk ka rezultate dhe sukses. Ne mund të flasim kurdoherë për futbollin, por është e kotë, sepse Apolonia nuk është më një ekip futbolli, por një ndërmarrje që stërvit disa njerëz.

Mungesa e pikëve dhe rezultatet zhgënjyese sollën dorëheqjen e parevokueshme të Artan Mërgjyshit. Ishte ky “fajtori” i vetëm?

Unë mendoj se të kërkosh për fajtorë në një ekip futbolli, që nuk ka investime, strategji, objektiva, nuk ka entuziazëm, nuk ka asgjë prej gjëje, por që ka vetëm një emër si Apolonia. Në fakt, këtë emër të madh dhe të lavdishëm në futbollin shqiptar nuk e meriton, sepse është emri i atyre lojtarëve që kanë derdhur djersë. Nuk ka nevojë për shumë mend për të gjetur fajtorët, pasi janë të gjithë fajtorë, nga i pari deri tek i fundit. Pastaj, kush ka më shumë e kush ka më pak faj, e dinë ata që bëjnë këto politika. Ne që i shikojmë nga jashtë, na duken të gjithë fajtorë, madje dhe punëtori i fushës.

As trajneri i ri, Pajaziti, nuk e ndryshoi situatën. Si ka mundësi?

Trajneri i ri, cilido qoftë ai, nuk ka shkopin magjik që të ndryshojë menjëherë situatën e vështirë. Në ekip ka rënë entuziazmi, lojtarët nuk janë të motivuar dhe rrjedhimisht nuk kanë vazhdimësi. Me Besën nuk shkoi çdo gjë keq, por vazhdoi seria e mungesës së entuziazmit dhe humbjes së besimit. Ndoshta eksperienca dhe ndërthurja e mirë e ekipit kavajas bëri që Apolonia të dilte pa pikë. E njëjta gjë ndodhi edhe në Tropojë, ku Apolonia kaloi e para në avantazh dhe çerek ore para përfundimit të takimit u barazua. E shoh skuadrën në një ngërç të madh psikologjik, si pasojë e mungesës së theksuar të rezultateve dhe uroj shumë që kjo pauzë të shërbejë për të përmirësuar shumëçka.

Ku e shikoni Apoloninë në fund të sezonit?

Në fund të sezonit shpresoj shumë që Apoloninë të jetë sërish në Kategorinë e Parë, sepse mund të ketë edhe ndonjë skenar tjetër më të hidhur, që nuk do të na vinte aspak mirë. Pastaj nuk do të kishim më mundësi të flisnim dhe ndiqnim ekipin, pasi do të na mbetej thjesht të kënaqeshim me nostalgjinë e viteve të Apolonisë së lavdishme.

I druheni edhe rënies?

Ne mund të flasim për futbollin, të analizojmë ndeshjet. Të flasësh sot për Apoloninë është e vështirë. Gjendja është e mjerueshme. Po, i druhem rënies në të Dytën, sepse ekipi është pa objektiva, pa dëshirë, pa oponencë dhe pa tifozë. Pra, një ndërmarrje ose firmë private që bën çfarë të dojë me aktivitetin e saj dhe asnjë nuk i kërkon llogari.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"