“Fanellën e Vllaznisë mund ta mbash vetëm nëse divorcohesh nga gruaja”, dëshmia e rrallë e ish-portierit të njohur shkodran
Nga Namik Mehmeti
-Vazhdimi i një interviste të nisur disa dekada më parë dhe vlerësimet për legjendën e futbollit shkodran, Paulin Ndoja-. Futbolli shkodran i prezantuar në vitet e diktaturës komuniste, që nga kurorëzimi i të parit kampionat kombëtar i pasluftës, që “Vllaznia” u shpall kampione e Shqipërisë e, deri në triumfin e demokracisë, ka prezantuar një panteon me figura sportive, që u kthyen në kujtesën e sportdashëseve shkodranë, në legjenda. Për disa nga këto personazhe të këtij panteoni, ku epiteti legjendë ishte një mohim në emër të luftës së klasave, që Partia e Punës e demonstronte me urrejtje, si në art, kulturë dhe sport.
Gazeta “Sporti Shqiptar”, me kryeredaktor gazetarin dhe publicistin e mirënjohur, z. Besnik Dizdari, i dha hapësirë në faqet e saj, ku unë (autori i këtij shkrimi), si dhe kolegët; Rifat Uruçi, Ymer Striniqi, Gasper Marku e, më pas më të rinjtë Gjergj Kola, Admir Uruçi, etj., me intervistat, kujtimet, e përmes shumë fotove, u rikthyem tek historia e vërtetë, pasi këto sportistë ishin futur në një “rreth të kuq”, për krah emrit të tyre, nga ana e regjimit komunist të para viteve ’90-të.
Nisur nga kjo menjëherë në fillimin e viteve ’90-të, u shkruan artikuj portret për sportistë dhe trajnerë të njohur, si; Filip Guraziun, Luan Shatkun, Muhamet Dibrën, Xhelal Juken, Feti Dizdarin, Bahri Kavajën (i arratisur), Qemal Tafilicën (i arratisur), Gani Manin (i arratisur), Qazim Dervishin (i burgosur), Paulin Ndojën, (i përndjekur dhe i persekutuar politik), etj., etj.
Duke sistemuar disa nga shënimet ndër vite, vërej se në intervistën e parë mbas shembjes së sistemit diktatorial, me ish-portierin Paulin Ndoja, nuk i kisha thënë të gjithë të vërtetat e jetës së tij sportive e private, (kuptohet, për arsye të censurës së rreptë), prandaj ato copëza interviste, po i plotësoj me disa vlerësime, jo vetëm të bashkëqytetarëve shkodran por, edhe përtej Shkodrës, si në Elbasan e Skrapar.
Ajo që njolloste biografinë e këtij talenti të lindur, pra të portierit të njohur Paulin Ndoja, ishte “mëkati”, se një hallë e tij, ishte martuar me një antikomunist të familjes së njohur nacionaliste, Kol Bibë Mirakaj. Prezantimin në formacionin e “Vllaznisë” të Paulinit, e bëri trajneri i mirënjohur, Skënder Jareci, në vitin 1965, kur ai së bashku me tre katër bashkëmoshatar, si Sabah Bizi, Halil Puka, Zyhdi Basha, (i familjes së njohur sportive, Basha), etj., iu bashkuan ekipit të “Vllaznisë”, duke fituar Kupën e Republikës, ku në finale mundën në Tiranë “Skënderbeun” e Korçës, me rezultatin 1-0, me gol të mirënjohurit, Selami Dani.
Ishte një prezantim dinjitoz që për djaloshin 18 vjeçar Ndoja, po hapej rruga e një karriere sportive me mjaft premisa për të ardhmen e portës shkodrane, por të prerë në mes për rrethana biografie. Dhe në intervistën e parë, sapo kryeredaktori i gazetës “Sporti Shqiptar”, z. Besnik Dizdari, hapi faqet në okelon “Dossier”, mendova se me Paulinin, do ta kisha të lehtë për të shkruar udhë-rrëfimin e tij.
Por jo, një fakt…! Jo vetëm një “kleçkë” e tij në biografi, ku në Shkodër ishin me këtë cen, me dhjetëra e qindra bij e bija të familjeve nacionaliste, por se Paulini ishte në shënjestër, më shumë se disa sportistë të tjerë “të deklasuar”, siç thuhej atëhere rëndom, në zhargonin e diktaturës komuniste.
Intervista me portierin Paulin Ndoja
– Ajo që më dha zemër të pretendoja të afirmoja talentin tim, ishin spektatorët e zjarrtë shkodranë, të cilët më duartrokisnin dhe më çonin peshë pas ndeshjeve, jo vetëm në Shkodër, por në Tiranë e, deri në Gjirokastër. Pa lënë pa falënderuar edhe drejtuesit e sportit, trajnerët Xhod Shaqiri e Juka, si dhe gjithë futbollistët, me të cilët ndamë shumë gëzime, por përjetuam edhe episode të padëshiruara, por unë edhe i paramendoja.
Pas këtij suksesi, pas 19 viteve ku “Vllaznia” solli Kupën e Republikës në Shkodër, u afrua një miqësore me një skuadër të Shkupit. Si gjithnjë, listat përpiloheshin në zyrat e Komiteteve të Partisë e të Degës së Punëve të Brendshme. Sigurisht portieri Ndoja e ëndërronte si çdo i ri futbollist përfshirjen në listë së bashku me shokët e tij të skuadrës?
Këtu u vendos gjithçka për të ardhmen e karrierës time. Mospërfshirja në listën e miqësores me Shkupin, pa dyshim që do të hapte një dosje që ishte përpiluar me aq fanatizëm nga të gjithë aktorët e diktaturës komuniste, nga Komiteti i Partisë, Dega e Punëve të Brendshme, Këshilli Popullor i Lagjes, etj.
Pra përmendej axha im i dënuar politikisht, i cili punonte arsimtar e, kish kryer studimet e larta në Zagreb, po edhe babai im punonte arsimtar, ndërsa burri i hallës time, antikomunist dhe ish ministër i Brendshmesh në Qeverinë “kolaboracioniste”, Kolë Bib Mirakaj, e rëndonte edhe më shumë dosjen që kishte mbishkrimin; “Pualin Ndoja”.
Kjo dosje sigurisht që do të bëhej një objekt diskutimesh dhe prej foljoresh, deri në gënjeshtra e fakte të paqena. Përjashtimi i Ndojës nga futbolli në vitin 1973, do të kishte dhe një akuzë tjetër, që prekte direkt personin tuaj?
Po e vërtetë tashti ishin lënë në një anë biografia e babës, axhës e burrit të hallës, dhe po merreshin direkt me personin tim. Gruaja ime, ishte nga familja Diamanti, me banim në Tiranë. Babai i saj, ishte akuzuar nga Ministria e Brendshme, si pjesëmarrës në incidentin e bombës së Ambasadës Sovjetike, në vitin 1951. Ajo që kishte lindur po në atë periudhë kur ndodhi ajo ngjarje, pra krejt e pafajshme, siç janë të gjithë fëmijët, do të merrte ndëshkimin e kurdisur nga organet e diktaturës komuniste. U ndodha në një pozitë të papritur e, të vështirë.
Më thanë se; fanellën e “Vllaznisë”, mund ta mbash nëse divorcohesh nga gruaja. Nuk e kuptoja se kaq i padëshiruar isha nga Partia e Pushteti komunist, sa të arrihej në të tilla presione dhe inskenime të tmerrshme. Pas kësaj u ktheva në shtëpi, pa u ndalur në asnjë bar-bufe, ku sportdashësit nxitonin të më afronin një kafe, apo një teke raki.
Prindërit mbetën të befasuar nga kushti që më kishte afruar Partia dhe Sigurimi i Shtetit; “o me gruan e pa futboll, o me futbollin, e pa gruan”. “Atëherë, qoftë lënë kjo puna e futbollit, përpara familjes” – ishte mendimi, që shfaqen prindërit, duke mos shikuar në sy, për të mos më vrarë më shumë, shpirtërisht”, kujtonte në mes të tjerash, ish-legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja.
Por karakteri burrëror i Paulinit, kishte qenë për ato përfaqësues të aparatit partiak e të Sigurimit të Shtetit, një tjetër argument, se portieri shkodran nuk duhet mëshiruar.
Do të pasohej kjo përndjekje me masa të tjera, disi jashtë natyrës njerëzore, kur edhe vëllain 10 vjeçar, Francin, e nxorën nga grupi i shokëve, duke e vrarë shpirtërisht, jo vetëm vogëlushin 10 vjeçar të familjes Ndoja, por edhe legjendën e futbollit shkodran dhe atij shqiptar, trajnerin Muhamet Dibra, që stërviste me plotë pasion e përkushtim të rrallë atë grup të talentuarish djemsh me plotë ëndrra fëmijërore.
Kam biseduar e shkruar shumë për legjendën e “Vllaznisë”, Muhamet Dibra dhe ai më ka shprazur pa rezerva mjaftë episode e aventura nga jeta e tij futbollistike. E kishte provuar edhe ai në kurriz luftën klasore.
Ishte përjashtuar nga futbolli, kur ekipi kombëtar i Shqipërisë u godit nga një ngjarje e papritur, gjatë udhëtimit për në Hungari. Ikja e Bahri Kavajes e Bule Vathit, (të dy futbollistë të ekipit përfaqësues), duke u hedhur nga vapori në ujërat e Dardaneleve, u shfrytëzua nga përgjegjësit e ekipit kombëtar dhe nga personi i Sigurimit të Shtetit, që shoqëronte ekipin kombëtar, për të goditur Muhametin, duke thënë se; “ai kishte qenë në dijeni të planit të dy shokëve të tij dhe nuk e kishte denoncuar”?!
Mjeshtri Dibra, kishte ndjerë zhgënjime gjatë karrierës së tij sportive, edhe kur ekipi i veteranëve të futbollit i “Vllaznisë”, po përgatitej të shkonte për një ndeshje miqësore në Podgoricë të Malit të Zi, (pjesë e federatës së Jugosllavisë së asaj kohe), për t’u ndeshur me ekipin e veteranëve të ekipit të “Buduçnostit”, ai nuk ishte përfshirë në listë, me ekipin e veteranëve, ku ishte dhe një nga më të vjetrit në moshë.
“Por më mbetet ‘birë në zemër’, – më thoshte Muhameti, – kur më urdhëruan që mos t’ia jepja fanellën e ‘Vllaznisë’, 10 vjeçarit Franc Ndoja”. Kjo kuptohet, në vazhdën e luftës së klasave ndaj familjes Ndoja.
Lidhur me këtë, Paulini kujtonte: “Ish – shokët e mi me të cilët kisha luajtur, vihen në shënjestër nga instruktorët e Komitetit të Partisë e, spiunët e Sigurimit të Shtetit”.
Lista vazhdon me pezullimin e vëllezërve, si kur stërvitej me grup- moshat me trajner, ish futbollistin e mirënjohur Selami Dani. “Përjashtimi i Paulinit, të gjithë ne shokëve që kishim luajtur me të, na i preu gjunjët dhe unë këtë e ndjeja dyfish, jo vetëm në adresë të Paulinit, por dhe të vëllait të tij, që nuk ma bënte zemra t’i thoja; mos eja ma në stërvitje me shokët”, kujtonte Dani.
Më ka mbet në kujtesë një takim i rastësishëm me ish Ministrin e Arsimit, Thoma Deliana, në korridoret e katit të parë, ku së bashku me gazetarin sportiv i njohur edhe në Tiranë për përkushtimin e tij, ndaj “Vllaznisë”, Rifat Uruçi dhe inspektorin e Klubit “Vllaznia”, Fahri Fani, po aq i përkushtuar për kontributin e vyer, për sportin shkodran.
Ish-ministri Thoma Deliana, i përgëzoi dy përfaqësuesit e sportit shkodran, për paraqitjen dinjitoze të ekipeve të “Vllaznisë”, e në veçanti të ekipit të futbollit.
Në këtë moment si gjithnjë, gazetari Rifat Uruci, jo vetëm nuk u impresionua me prezencën e ish-ministrit Deliana, por ju drejtua atij, duke i thënë; duhej të shikohej qëndrimin ndaj portierit Paulin Ndoja, i cili për një kleçkë në biografi, nuk po i hapej rruga për të e përfaqësuar “Vllazninë” e Kombëtaren, në ndeshjet jashtë Shqipërisë.
Ish-ministri Deliana, premtoj se shpejtë portieri Paulin Ndoja, do të përfaqësonte futbollin shqiptar edhe në aktivitetet jashtë Shqipërisë, bile me sa kujtohet, Paulini u grumbullua me ish- “17 Nëntorin” e Tiranës, në përgatitje për Kupat e Europës. Por as edhe ish-ministri Deliana, e kishte shumë të vështirë, të thyente barrierat e arshivave të Sigurimit të Shtetit.
Në një libër të botuar së fundi, nga ish-prokurori shkodran, Sokol Parruca, (djali i ish-Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Shkodrës, i mirënjohuri Bilal Parruca), në mes eseve të shkruara me shumë përkushtim për qytetin e tij të lindjes, Shkodrën, e për protagonistët e saj në fushën e artit, kulturës e sportit, i kushton dhe një ese shumë impresionuese dhe objektive, portretit të portierit; “Legjenda e portës shkodrane”.
Eseja e ish-prokurorit Sokol Parruca, kushtuar portierit Paulin Ndoja
Pasi vlerëson meritat e kësaj legjende, ish-prokurori i sistemit komunist, shfryen dufin ndaj padrejtësisë që i është ba Paulinit, me këto rreshta:
-“E ndërsa, ti ishe garanci për fitore, me ty fituam kupa e kampionate. Të tjerët në Tiranë i errësonte suksesi yt, aq sa, vetë ish-kreu i Sigurimit të Shtetit, urdhëroi: Pse brohoritma për Paulin Ndojën, do të dëgjojmë ne’?! Kaq u desh…ne na prenë brohoritjet, na prenë entuziazmin…! Ndërsa ty…! Ah ty, të vranë, të vranë, bash në kulmin e shkëlqimit tënd!
Sa i tmerrshëm ai çast, kur skuadra ishte bërë gati për të shkuar e për të luajtur jashtë shtetit, një përfaqësues i Sigurimit që shoqëronte ekipin jashtë, lexonte emrat që do të udhëtonin. Të gjithë lojtarët në ankth, askush nuk ishte i sigurt. Ku i dihej çfarë luhej në ato zyra të errëta të Sigurimit. Lexoheshin emrat një nga një…ne jashtë prisnim, ah sa kemi pritur të lexohet emri yt?! Por jo…nga zëri i përfaqësuesit të Sigurimit, kurrë nuk u lexua emri yt, as i të madhit Xhelal Juka, as i të mrekullueshmit Frederik Çapaliku.
Shkurt Partia nuk ju donte, çka do të thoshte, një jetë e pasigurt…?! Ndërsa ne ju donim dhe më shumë…ishte një dashuri, ku përzihej mirënjohja, për çka dhatë për ne, me keqardhjen, sesa pa drejtësisht, po veprohej me ju…?!
Eh Paulin i dashur, sesi po më bien ndër mend ato ditë kur “Vllaznia”, ishte jashtë dhe ti në Shkodër. Të kujtohet kemi ndenjur bashkë, ty të lexohej dhembja brenda heshtjes tënde. Loti i shpirtit ku gjaku pikonte. Ecnim të dy rrugëve të qytetit flisnim me heshtjen tonë…?!
Dhembjen nuk e shërojnë fjalët. O Zot pse ishim ndërtuar ashtu! Ti na mrekulloje, na lumturoje…na ruaje portën…na e mbrojte të pa prekur…ndërsa ne, nuk të ruajtëm, nuk të mbrojtëm, të lamë me heshtjen tonë, të bëhesh preh e viktimë e Sigurimit të Shtetit…! E tani ç’të të themi, të kërkojmë të falur, është fyese për ty, madje cinike. Të të themi se ashtu ishte koha, ashtu ishte sistemi, është një justifikim i pështirë. Ishim thjeshtë dele. Ishim pa dinjitet”!
Qytetari shkodran Sokol Parruca, që ishte rritur me futbollin dhe me një admirim e përkushtim për ekipin e “Vllaznisë”, nuk mund të mbante pa shprehur edhe atë zhgënjim që përjetoi së bashku me bashkëqytetarët e tij, kur ajka e futbollit të “Vllaznisë”, persekutohej deri në përjashtime dhe persekutime deri në familje.
Pak ditë më parë, Paulini festoi 78 vjetorin e lindjes. Këtu në Firenze, kam njohur një-ish futbollist të “Labinotit”, të Elbasanit, Ilir Buzo. Më ka folur disa herë për futbollistët e “Vllaznisë”, por me Paulinin, kishte debulese dhe vlerësonte talentin e tij si portier klasi dhe nga ana tjetër, Iliri shprehte keqardhjen, pasi diktatura komuniste, i kishte mohuar të drejtën për të përfaqësuar Shqipërinë dhe Shkodrën, në ndeshjet ndërkombëtare.
-“Më kujtohet një episod nga takimi me Paulinin në aeroportin e Rinasit, kur në shoqërinë me mjeshtrin Mihail Gjika, bisedës tonë nuk i mungonte edhe humori e, kjo falë Paulinit, por në një moment kur ai (Paulini), po ankohej për kohën me vranësira, ndërhyri shoqëruesi i Sigurimit të Shtetit, i cili ju drejtua Pualinit:
– ‘Për cilën kohë bisedoni, për kohën e Zogut apo të…’?!
Por Paulini iu përgjigj menjëherë, pa e lënë atë të plotësojë pyetjen e nisur.
– ‘E kishim fjalën për motin e vranët dhe me shi’.
Ne vumë buzën në gaz dhe shoqëruesi i ekipit, kaloi pa e zgjatë më tej bisedën. Kur u ndamë, Paulini më tha me humor, që edhe kur flas për motin, Sigurimi Shtetit shqetësohet bajagi”!
Ndërsa një ish-sportist tjetër, Resmi Hidershaj, ish-futbollist i skuadrës “5 Shtatori” të Skraparit, i cili jeton këtu në Toskana, me njohjen e parë që patëm, më solli bisedën tek Paulin Ndoja.
– “Në vitin 1966, kur Paulini erdhi në Skrapar si ushtar, ekipi ynë i futbollit, e priti me shumë zemërgjerësi, duke qenë një privilegj për Skraparin, që do të kishim në portë një emër të madh dhe mbi të gjitha një qytetar, që trashëgonte me modesti traditat e vyera të futbollit shkodranë. Ai së bashku me mbrojtësin e ish- “17 Nëntorit”, Gëzim Kasmi, i dhanë një frymëmarrje të pa pritur qytetit të Çorovodës, ku tashmë emrat e tyre, përmendeshin në çdo bisedë dhe fusha e futbollit, rrethohej nga qindra sportdashës të gjitha moshave”.
Dhe me të gjithë këto tramvaja në jetën e tij rinore, Paulini nuk u distancua nga shokët e tij të futbollit, nga sportdashësit dhe jo pak nga kuadrot e pushtetit lokal, drejtor ndërmarrjesh, ai mbështetej dhe inkurajohej, se rikthimi i tij në futboll, do të ishte një realitet, madje shumë i shpejt.
Me shembjen e diktaturës komuniste, me organizimin e ri të klubeve sportive, Paulini u afrua tek “Vllaznia”, si trajner i portierëve, anëtar i kryesisë së Klubit Sportiv “Vllaznia”, e drejtor i stadiumit të emërtuar tashmë me emrin e një legjende futbollit shqiptar, të madhit “Loro Boriçi”.
Po dhe vetë Paulini, u radhit përkrah tri legjendave të “Vllaznisë”: Rragami-Bizi-Zhega, duke plotësuar një kuartet të pa harruar, për sportdashësit shkodranë dhe jo vetëm. Memorie.al
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"