Federata nuk e grumbulloi në Lojërat Europiane, Kuçana kampion në Gjermani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 27, 2019 | 23:32

Federata nuk e grumbulloi në Lojërat Europiane, Kuçana kampion në Gjermani

Disa muaj më parë federata e qitjes u përfshi në polemika të shumta, për shkak të mosgrumbullimit për në Lojërat Europiane “Minsk 2019” të kampionit Arben Kuçana. Në vend të tij federata dërgoi në atë event Henri Rrufën, djalin e presidentit të FSHQ-së, Stefan Rrufës.

arben-kucana

Një zgjedhje që solli një përplasje dhe akuza të shumta nga qitësi Kuçana, i cili ngriti zërin për këtë padrejtësi të bërë ndaj tij. Federata e shpjegoi këtë zgjedhje, duke theksuar se udhëtonin në Bjellorusi me ftesa dhe se kishin menduar që t’u jepej më tepër hapësirë sportistëve të rinj. Kuçana për ditë me radhë akuzoi drejtpërdrejt kreun e federatës, duke e quajtur një shkelje dhe një skandal të madh përjashtimin e tij, pasi është kampion i padiskutueshëm në këtë sport.

Së fundi, qitësi Kuçana, i cili jeton prej vitesh në Gjermani, ka arritur një tjetër rezultat të shkëlqyer në disiplinën “10 m air pistolet”. Ai është shpallur kampion i Gjermanisë, duke i shtuar repertorit të tij edhe një tjetër medalje ari. Pas këtij suksesi, 51- vjeçari nuk ka ngurruar ta thumbojë sërish federatën. Në një postim në rrjetet sociale ai shkruan: “Në kampionatin gjerman kampion, ndërsa në Shqipëri, federata më pezullon nga të gjitha garat.

Arben Kucana

Kush e deshi me gjithë zemër Shqipërinë dhe nuk vuajti”, shkruan Kuçana në profilin e tij në “Facebook”. Kujtojmë se qitësi Kuçana prej shumë vitesh jeton në Mynih të Gjermanisë, ndërkohë që ka marrë pjesë në garat tona të kampionatit kombëtar, duke qenë një kampion i padiskutueshëm.

Si për ironi të fatit, vetëm disa muaj pasi u la jashtë listës së një eventi ndërkombëtar si Lojërat Europiane, ai tregon vlera të padiskutueshme duke shkëlqyer në Gjermani. Theksojmë se problemi me përzgjedhjen e sportistëve të cilët përfaqësojnë Shqipërinë në garat ndërkombëtare ka qenë gjithnjë i pranishëm në sportin shqiptar. Së fundmi, hije skandali u shfaqën edhe në listën e delegacionit për në Lojërat Mesdhetare të Plazhit “Patra 2019”, ku presidenti i KOKSH, Viron Bezhani, u shpreh se nuk u pyet për caktimin e listës së sportistëve pjesëmarrës.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"