Fernando Alonso i çudit të gjithë, firmos kontratën e re në Formula 1 deri në moshën 45-vjeçare
Fernando Alonso i ka dhënë fund sot të gjitha dilemave rreth të ardhmes së tij. Piloti spanjoll, nëpërmjet një video-konference, ka zbuluar se ka rinovuar kontratën me skuadrën e Aston Martin deri në vitin 2026.
Piloti asturian ishte një ndër emrat më të lakuar në merkaton e pilotëve, pasi kontrata ne skuadrën aktuale mbaronte në fund të këtij viti dhe ekzistonte mundësia që ai të shkonte te një nga skuadrat e mëdha si Red Bull apo Mercedes, të cilat kanë vende bosh për edicionin e ardhshëm. Por Alonso vendosi të qëndronte te Aston Martin, i bindur se ky ekip ka potencial për të luftuar për objektiva prestigjiozë, edhe pse në mbyllje të kësaj kontrate do të jetë 45-vjeçar.
“Kam folur me skuadra të tjera, po, është normale kur hyn në negociata. Duhet të shohësh tregun, t’i dëgjosh të gjithë. Është e zakonshme dhe është e drejtë të dëgjosh propozimet apo të shohësh se si lëviz tregu. Në mendjen time, Aston Martin ishte zgjedhja më logjike. Më e mira, e ndjeva që më donin më shumë te Aston Martin. Bisedat e tjera nuk bënë që të arrija në një konkluzion, ose kërkohej më shumë kohë. Te Aston Martin ishte një dëshirë e qartë që të punonim bashkë. Kjo ishte vendimtare”, shpjegoi Alonso.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"