Festival golash, Kastrioti dhe Korabi provojnë stolin. Nica: Rezervat luftuan dhe bënë mirë. Canaj: Po kërkojmë stabilizimin e formacionit
Kastrioti dhe Korabi janë ndeshur me njëri–tjetrin në “Redi Maloku” të Fushë-Krujës, ku triumfues dolën vendasit. Të dy trajnerët, Nica dhe Canaj, aktivizuan shumë lojtarë të stolit, por ajo që i dha bukuri takimit ishte shënimi i shtat golave, katër Kastrioti dhe tre miqtë nga Peshkopia.
Rreth 150 tifozë të pranishëm patën rastin të brohorasin e të shijojnë festivalin e golave.
Ndeshja- Sfida nisi e qetë dhe janë dibranët ata që rrezikojnë të parët në minutën e 15-të me Ndrejaj. Korabi kalon i pari në avantazh. Cikani depërton bukur dhe nga e djathta pason në zonë te Çema, i cili nga rreth 14 metra tund rrjetën, 0-1 për Korabin. Dhjetë minuta më pas Kastrioti barazon me Hodon, i cili me një inkursion të bukur del në kufijtë e zonës, godet dhe shënon. Katër minuta më pas krutanët përmbysin me Bibën, i cili finalizon pasimin e Hodos. Miqtë mund të barazonin në të 45-ën me Shehun, por nuk ia dalin. Trajneri Canaj bëri 3 zëvendësime me fillimin e pjesës së dytë Në pjesën e dytë. Në të 56’ vjen rasti parë për Korabin me Halilajn.
Në minutën e 57-të, Çela nis një top për Kapllanin e sapo futur në lojë, por ky humb shënjestrën. Minuta 70, Ndreu depërton në zonën mike, ndërpritet nga Lushkau dhe penallti. Korabi mbetet me 10 vetë pas të kuqit të Lushkakut. Ndreu gjuan nga pika e bardhë, por pret portieri Alla. Në të 77-n, Ndreaj godet fuqishëm, topi përplaset në traversë dhe Taulant Marku i ndodhur aty shënon pa vështirësi, 2-2. Në të 85-ën, Qyra shërben për Kapllanin, i cili gjuan dhe topi devijohet nga Paplekaj që shkakton autogol,3-2. Në të 88-ën, Arrojo merr një top në kufijtë e zonës së Korabit, gjuan fuqishëm dhe 4-2. Ka kohë edhe për një gol për miqtë. Ndrejaj në të 90-ën, shënon duke shkurtuar shifrat ne 4-3.
KASTRIOTI–KORABI 4-3
GOLAT: Hodo 36’, Biba 40’, Paplekaj 85’ (aut), Arrojo 88’/ Çema 26’, Marku 77’, Ndrejaj 90’
KASTRIOTI: Jaupllari, Xhafa, Qyra, Agius, Zuna, Ndreu (Musaj 73’), Kullaj, Murati, Hodo, Çela(Arrojo 63’), Biba(Kapllani 53’); (Në dispozicion: Puja, Hoxha, Ajazi, Kuka). Trajner: Stavri Nica
KORABI: Alla, Paplekaj, Lushaku, Kurti(Tota 46’), Shehu(Tushe 46’), Çomo, Halilaj, Ndreaj, Stana, Çema(Marku 74’), Cikani(Mziu 46’); (Në dispozicion: Qyrani, Hasaj, Sina, Buci, Reçi, Peralta). Trajner: Agim Canaj
Kartonë të verdhë: Cikani 43’, Lushaku 59’, 69’
Karton i kuq: Lushaku 69’(2kv)
Gjyqtarë: A. Beqiraj, D. Kasa, S. Hyseni (Tiranë)
Delegat: Arbër Kalemi (Durrës)
Vëzhgues: Kridens Meta (Tiranë)
Krutanët
Nica: Lojtarët e stolit luftuan dhe bënë mirë
Kastrioti ka bërë detyrën në shtëpi, duke siguruar një fitore me përmbysjes ndaj Korabit në javën e fundit të fazës së parë. Pas barazimit me Valbonën në Tropojë trajneri Nica shprehu rezerva për ekipin e tij dhe mbase për këtë fal disa titullarë i la në stol ndaj dibranëve. Stavri Nica, trajneri i Kastriotit, pas ndeshjes për “Panorama Sport” u shpreh: “Sot (dje) aktivizova një pjesë të lojtarëve të stolit, që kanë luajtur më pak. Ata luftuan dhe bënë mirë në këtë ndeshje, duke marrë tri pikët që na nevojitën për më tej. Shpresoj që të bëjmë më mirë së bashku me lojtarët e ashtuquajtur të formacionit bazë dhe të rrisin më shumë nivelin e lojës”.
Dibranët
Canaj: Po kërkojmë stabilizimin e formacionit
Rrotacioni në formacion ishte i dukshëm edhe te Korabi në përballjen e djeshme me Kastriotin, takim i cili u luajt në “Redi Maloku” të Fushë-Krujës. Trajneri Canaj, pak a shumë e tregoi arsyen e ndryshimet, ku ndaj Kastriotit luajtën disa lojtarë që kanë pasur më pak hapësira. “Ne kemi shumë takime në të cilat po kërkojmë të stabilizojmë formacionin. Kemi pasur dëmtime lojtarësh, si dhe të dënuar me kartonë dhe kjo na ka penalizuar. Gjithsesi, sot shënuam më shumë se dy gola dhe kjo më gëzon, ku realizuan një pjesë e mirë e sulmuesve. Kemi humbur pikët dhe jemi në një situatë të vështirë. Shpresoj shumë ta kalojmë sa më shpejt këtë situatë”, u shpreh trajneri Agim Canaj.
SHKËLQIM HASANI- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"