Fierakët presin për të shijuar fitoren e parë, Repaj: Kthesa e Apolonisë vjen nga “Kukës Arena”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2024 | 11:28

Fierakët presin për të shijuar fitoren e parë, Repaj: Kthesa e Apolonisë vjen nga “Kukës Arena”

Apolonia do të luajë sot në orën 16:00 kundër Kukësit, ndeshjen e vlefshme për javën e tretë të kampionatit. Fierakët udhëtojnë drejt Kukësit vetëm për fitore, pasi çdo rezultat tjetër do të komplikonte më shumë situatën.

REPAJ SERJAN

Me vetëm 1 pikë në dy javët e para të kampionatit, Apolonia pret reagimin për të mos hyrë në krizë rezultatesh. Në një intervistë për “Panorama Sport”, qendërmbrojtësi Serjan Repaj tha se ndaj kuksianëve skuadra do të kërkojë fitoren. Ai pohoi se ekipi është në formë të mirë dhe ka besim që paraqitja do të vijë në rritje.

Sa i ka shërbyer Apolonisë ndërprerja e kampionatit?

Gjatë kësaj periudhe jemi munduar të bëjmë një përgatitje të mirë dhe të detajuar për të qenë në lartësinë e duhur kundër Kukësit. Pushimi erdhi në momentin e duhur, atëherë kur kishim më shumë nevojë për rikuperimin e plotë të disa lojtarëve. Ekipi gëzon formë të mirë dhe jemi të motivuar për fitore. Them se paraqitja do të vijë në rritje.

Pas dy javëve, fitorja kthehet në detyrim për fierakët në Kukës?

Në takimet e para nuk kemi marrë maksimumin, që i kishim si objektiv për ato ndeshje. Duhet të reflektojmë dhe e mira është që ta bëjmë në fushë. Kjo do të jetë ndeshja jonë e kthesës dhe për këtë duhet të angazhohemi totalisht e të japim më të mirën tonë. Në Kukës shkojmë për të bërë më të mirën e mundshme dhe për të synuar tri pikët.

Sa e vështirë do të jetë ndeshja kundër Kukësit?

Sigurisht që do të jetë shumë e vështirë, ashtu siç janë të gjitha ndeshjet deri në fund të sezonit. Duhet vlerësuar maksimalisht çdo takim dhe më e rëndësishmja, nuk ka ndeshje të thjeshta. Të gjitha janë shumë të vështira dhe kërkohet kujdes maksimal. Duhet të luajmë me ide të qarta, por edhe në mënyrë të thjeshtë.

E shikoni të mundur fitoren?

Kemi punuar me përkushtim dhe kemi bërë maksimumin në stërvitje për të marrë fitoren e parë në kampionat. Triumfi vlen dyfish në transfertë, si dhe për të treguar karakter në fushë dhe për të dalë fitimtarë. Nuk duhet të gabojmë më, pasi ia bëjmë më të vështirë vetes.

Fillimi po rezulton i vështirë, cili është objektivi i Apolonisë?

Është shumë herët të flasim për objektiva sezonalë, vendi i parë, apo i dytë. Ne i marrim ndeshjet një e nga një dhe do të japim maksimumin në çdo përballje. Mendoj se edhe rezultatet nuk do të na mungojnë. Natyrisht, synojmë ngjitjen në elitë, por duhet të jemi me “këmbë në tokë”, pasi rruga është e gjatë dhe e vështirë.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"