Filozofi spanjolle me lojtarë nga Seria A, dishepulli i Vengerit me 5 gjuhë të huaja që bëri një… mrekulli / Ja si ia doli Silvinjo
Që nga e premtja jemi zyrtarisht në finalet e Kampionatin Europian në Gjermani në vitin 2024. Falë barazimit 1-1 në Kishinau kemi mundur të sigurojmë, për herë të dytë në historinë tonë, pjesëmarrjen në një eveniment të tillë madhor. Kjo falë punës, përkushtimit, sakrificave të të gjithëve, lojtarëve në fushë dhe stafit teknik, me në krye trajnerin Silvinjo.
Braziliani që flet pesë gjuhë (portugalisht, italisht, anglisht, spanjisht), mes të cilave dhe pak fjalë shqip, është timonieri i Shqipërisë në këtë rrugëtim të shkëlqyer drejt Gjermanisë. Një kualifikim i arritur para kohe, me një ndeshje të mbetur nga fundi, por që mund të jetë dhe qershia mbi tortë, sepse matematikisht mund ta mbyllim grupin në vend të parë si kurrë ndonjëherë në historinë tonë të vjetër dhe të re.
Natyrisht që jehona e kualifikimit tonë në “Euro 2024” i ka kaluar kufijtë e Shqipërisë. Kjo edhe për faktin se kombëtarja kuqezi është kthyer në një konglomerat ndërkombëtar, shqiptarë, italianë, brazilianë, argjentinas të bërë së bashku për një objektiv të arritur tashmë.
Ndaj që nga Spanja e afërt e deri në Brazilin e largët, mediat në këto vende i kanë kushtuar jo pak radhë dhe analiza suksesit të kuqezinjve të drejtuar nga Silvinjo. Secili me këndvështrimin e tij, i ka kushtuar vëmendje suksesit të Shqipërisë së Silvinjos. Mediat spanjolle, si gjithnjë tepër të vëmendshme, kanë nxituar ta etiketojnë kualifikimin e kuqezinjve “si me pak nuanca spanjolle”.
Arsyeja është sepse te kuqezinjtë janë Myrto Uzuni (Granada), Ivan Balliu (Vajekano) dhe Keidi Bare (Espanjol), ndonëse ata nuk janë të besuarit e palëvizshëm të brazilianit. Por që sipas spanjollëve, në çdo rast Shqipëria “made in” Seria A tashmë ka një penelatë jeshilartë (Brazil) dhe një filozofi futbolli me prekje spanjolle.
Kjo edhe për vetë faktin se Silvinjo ka luajtur në Spanjë me Barcelonën, teksa dhe ndihmësit e tij Zabaleta (Espanjol) dhe Doriva (Selta Vigo), gjithashtu kanë një të kaluar në vendin iberik.
I ardhur në fillim të vitit 2023 në krye të kuqezinjve, aventura e Silvinjos nuk mund të ishte më e mirë, pasi spanjollo-braziliani e ka kualifikuar Shqipërinë në “Euro 2024”. Kjo do të jetë hera e dytë që Shqipëria do të luajë në një Europian pas suksesit në vitin 2016, nën drejtimin e Xhani de Biazit.
SI BABAI SI DJALI – Braziliani ka pasur mësues të mirë, Arsen Venger, Viktor Fernandez, Migel Angel Lotina, Frank Rajkard, Pep Guardiola dhe Roberto Mançini e kanë instruktuar atë gjatë kohës së tij si lojtar. Pas përfundimit të futbollit të luajtur kapërceu në pankina, ku pak e nga pak, nisi të mësonte dhe artin e trainingut.
Si një trajner i dytë në projekte të ndryshme, ai ku mësoi më shumë ishte shkolla e bërë me Roberto Mançinin, ku ishte ndihmësi i tij për dy vjet tek Interi (2014-2016), apo dy etapat e tij me Titen te Korinthiansi dhe Brazili (2016- 2019), trajnerë që ndjekin me fanatizëm një shkollë të qartë futbolli. Motoja e tyre është në kërkimi i dominimit nëpërmjet zotërimit të topit dhe një plani të qartë dhe pozicionimit të saktë.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"