“Final Four? Duhet të qetësohemi pak…”, Tafas “qan” fazën e dytë: Teutës i mungojnë 7-8 pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 24, 2024 | 18:43

“Final Four? Duhet të qetësohemi pak…”, Tafas “qan” fazën e dytë: Teutës i mungojnë 7-8 pikë

Vendi i gjashtë në kampionat, me 23 pikë të grumbulluara në 19 javë, por që se paku Teuta duhet të kishte dhe disa pikë më shumë. Kështu shprehet në intervistën për “Panorama Sport” gardiani i portës se bluve, Angelo Tafas, i cili i bën një pasqyrë të qartë ekipit blu. Sipas tij, Teuta ka nevojë për mbështetje nga të gjithë, edhe kur barazon, apo kur nuk bën lojëra të mira, për të mos u ngarkuar më shumë emocionalisht.

tafas goli

Sa keqardhje keni që e mbyllet vitin me një barazim kundër Bylisit?
Luajtëm me Bylisin në shtëpi, por u nxituam dhe në fund nuk morëm pikët e plota. Ndodhi edhe për faktin se Bylisi është një ekip që u mbrojt me bllok të ulët dhe na vuri në vështirësi. Sulmet ishin sporadike.

Si ju është dukur Teuta në këto 19 javët e para të kampionatit?
Në pozitat që ndodhemi, mund të them se kemi bërë një fazë të parë shumë të mirë, sepse kemi marrë goxha pikë, ndërkohë që në të dytën kemi lënë goxha pikë dhe për këtë na vjen keq, pasi kemi merituar së paku 7-8 pikë më tepër. Unë besoj se Teuta po përpiqet të ndërtojë diçka që i përket të tashmes dhe të ardhmes dhe kjo është bërë realitet. Jemi me “këmbë në tokë” kur kemi mbërritur në 19 javë. Përjashto disa momente të ndërtimit të lojës, në përgjithësi paraqitjet kanë qenë të mira dhe jemi në rrugë të mbarë, falë punës që po bëhet këtu.

A e ka Teuta petkun e një ekipi pretendent, për katër vendet e para?
Jemi në një moment që na duhet të qetësohemi pak, në sensin e mendimit që ne krijojmë për skuadrën. Ky kampionat është shumë i fortë, mjafton një hap fals dhe ndërron vendet në renditje apo me një fitore ngjitesh lart. Teuta ka nevojë për mbështetje, sepse së bashku do të ngrihemi lart. Gabime do të bëhen, futbolli i tillë është, por Teuta është me këmbë në tokë dhe ka një grup cilësor.

A është Tafas tashmë në më të mirën e tij?
Unë po bëj detyrën falë përkushtimit tim dhe trajnerit Rizvani. Dita-ditës po rritemi dhe mendoj se jemi në rrugë të mbarë. E rëndësishme është që skuadra është e bashkuar.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"