FINALJA E SUNDAY LEAGUE/ Prestige me mentalitet fituesi, synon titullin e dytë kampion në 4 vjet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 26, 2023 | 18:40

FINALJA E SUNDAY LEAGUE/ Prestige me mentalitet fituesi, synon titullin e dytë kampion në 4 vjet

Sot në orën 21:00 do të luhet finalja e Sunday League, kampionatit të futbollit 9×9, organizuar nga FSHF. Prestige dhe Kastriotët do të përballen mes tyre në fushën e re në “Shtëpinë e Futbollit” për të shpallur skuadrën kampione të këtij sezoni.

prestige-1-e1685023132382-770x412

Prestige do të diskutojë për herë të tretë këtë finale nga katër edicione të Sunday League, ku sezonin e parë është shpallur kampione, ndërsa njëherë ka shkuar në gjysmëfinale. Një dominim i skuadrës Prestige, që kërkon të fitojë titullin për herë të dytë.

Pasi kaluan me sukses në gjysmëfinale ekipin e Dussel, Prestige ka ditë që po përgatitet për këtë finale nën drejtimin e trajnerit Eldiano Topi, i cili pohon se investimi, eksperienca dhe përbërja e skuadrës të bën të kërkosh titullin.

“Kemi bërë një punë shumë të mirë këtë sezon. Prestige është një skuadër që pretendon çdo sezon, pas ka një grup me elementë shumë cilësorë. Objektivat që i kemi vënë vetes është finalja dhe titulli kampion. Si stafi, ashtu edhe lojtarët e kanë vlerësuar maksimalisht finalen.

Me punën që kemi bërë mendoj se finalja na përket neve, sepse jemi skuadra më e mirë. Këtë e them edhe për presidentin tonë Fatmir Hysenbelliu, i cili na ka mbështetur shumë, duke na plotësuar çdo detaj që skuadrës mos t’i mungojë asgjë dhe prandaj duam t’i shpërblejmë me fitimin e titullit kampion” – u shpreh Topi.

Seriozitetin e punës dhe përgatitjeve e thotë edhe kapiteni i ekipit të Prestige, Erti Hysko, i cili ka besim se do ta kalojnë me sukses edhe këtë finale.

“Ne jemi si një familje, jemi përgatitur me shumë seriozitet dhe shpresoj që mundi dhe djersa jonë të shpërblehet me fitimin e titullit kampion. Jam i bindur që do të bëjmë një ndeshje të bukur dhe në fund do të kurorëzohemi kampionë” – thotë Hysko.

Besimplotë për të triumfuar është edhe një nga lojtarët më me eksperiencë të Prestige, Mario Biba, i cili bazohet te menataliteti fitues dhe historia e këtij ekipi.

“Mentaliteti dhe motivimi është maksimal, kështu që i vetmi synim është të japim shpirtin në këtë finale, të mos kursehemi në asnjë rast dhe në fund të fitojmë trofeun. Kam shumë besim se do t’ia dalim” – deklaroi Biba.

Prestige u rendit i pari në grupin A dhe në play-off siguroi finalen, ndërsa ekipi Kastriotët zuri vendin e tretë në grupin B, por në gjysmëfinale ia doli të mposhtë skuadra e Vila L dhe tashmë do të luajë në finale.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"