Finalja me Egnatian, Çela karikon verilindorët: Me sakrificë zbehim diferencat, Kukësi ëndërron
Kukësi është gati për të bërë surprizën sot përballë Egnatias, ku do të diskutojë Superkupën e Shqipërisë në “Arena Kombëtare”. Është një sfidë me diferenca të mëdha në letër kjo ndaj kampionëve në fuqi të Superiores, por trajneri i kuksianëve, Emiljano Çela, shprehet në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” se askush nuk të ndalon të ëndërrosh.
Ai mendon se duke luftuar skuadra e tij mund të zerojë diferencat, teksa si “aleat” sheh dëshirën dhe entuziazmin në krahasim me rivalët. Kreu i stolit të verilindore tregon edhe vështirësinë e vetme para kësaj finaleje, tek përzgjedhja e lojtarëve që do të aktivizojë. Sipas Çelës, sido që të rezultojë mbrëmja e sotme, Kukësi dhe lojtarët patjetër do të kenë përfituar diçka.
Çela, si e pret Kukësi finalen e Superkupës së Shqipërisë kundër Egnatias? Jemi të qetë, ka entuziazëm dhe dëshirë në skuadër për të bërë diçka të mirë. Me përjashtim të Lalës, të gjithë lojtarët e tjerë janë të gatshëm.
Diferencat në letër duken të mëdha, keni besim se skuadra juaj mund të bëjë surprizën? Nëse do të japim maksimumin, sakrifikojmë, luftojmë dhe vrapojmë shumë, jam i sigurt që diferencat në cilësi do të zbehen dukshëm. Është një ndeshje finale dhe çdo gjë mund të ndodhë. Le të ëndërrojmë dhe shpresojmë.
Çfarë mund të ketë Kukësi një faktor plus në këtë ndeshje, në krahasim me Egnatian? Mosha e re e lojtarëve ka minuset dhe pluset e veta. Mund të kemi diçka mangët në eksperiencë dhe në përjetimin e të tilla ndeshjeve emocionalisht, por jam i sigurt që do të kemi më shumë dëshirë dhe entuziazëm në fushë.
A është e vështirë për ta përgatitur një finale si kjo? E vetmja vështirësi në një finale është përzgjedhja e lojtarëve. Është një ndeshje që duan ta luajnë të gjithë, kështu që është një vendimmarrje e vështirë për mua, bashkë me stafin tim.
Pavarësisht se si shkon finalja, çfarë përfitojnë lojtarët e Kukësit nga kjo ndeshje? Përfitojnë pjesëmarrjen. Pjesëmarrja në këto ndeshje është përgjigjja për çdo pyetje që ne i bëjmë vetes pse e kemi kaq shumë pasion këtë punë, apo përse punojmë çdo ditë me të njëjtën dëshirë.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"